Mazhoranca e korridoreve si deformim i demokracisë - Nga Nador Bakalli
Kanadaja po shkon pikërisht drejt saj. E lexuat saktë. Kanadaja, jo ndonjë vend hibrid apo i botës së tretë. Sot që flasim, ky vend po përballet me një deformim të paprecedent të demokracisë së vet qindra-vjeçare.
Vitin e kaluar, kanadezët zgjodhën një qeveri liberale në minorancë, një praktikë krejtësisht legjitime dhe demokratike, që i mundëson partisë me numrin më të madh të ulëseve të formojë qeverinë. Krejt në rregull deri këtu.
Por prej më shumë se një viti tashmë, kryeministri dhe qeveria kanë ndjekur një fushatë agresive rekrutimesh dhe joshjeje ndaj deputetëve të partive të tjera, me synimin për të ndërtuar një mazhorancë jo përmes votës, por përmes marrëveshjeve korridoriale.
I pesti u "konvertua" sot.
Deputetja që ndërroi kahun dhe iu bashkua qeverisë, e solli Partinë Liberale vetëm një ulëse larg mazhorancës absolute (50% + 1).
Kjo, të nderuar miq, nuk është mazhorancë e dalë nga vota, është mazhorancë e ndërtuar me joshje. Kjo mazhorancë nuk është fituar me program dhe besim qytetar, por është ndërtuar hap pas hapi, me kalime individuale deputetësh pas zgjedhjeve. Një praktikë e tillë, që në pamje të parë duket “procedurale”, në thelb deformon përfaqësimin demokratik sepse qytetarët votojnë një drejtim politik dhe jo një mandat të lëvizshëm sipas rrethanave personale të deputetit.
Nëse një deputet "rilind" dhe ndryshon krahun politik, zgjidhja më e drejtë është e qartë: rikthim te votuesi përmes zgjedhjeve në zonën përkatëse. Përndryshe krijojmë një standard të ri të rrezikshëm ku qeveritë nuk ndërtohen më në kutinë e votimit, por në korridoret e Parlamentit. Dhe kur mazhoranca ndërtohet në korridore, demokracia fillon të zbrazet nga përmbajtja e saj.
© Nador Bakalli





















