Letër për LDK-në ose entropia e partisë - Nga Lis Bukuroca
Po i përmend vetëm tri deklarata nga zyrtarë të LDK-së:
1. “Rezultati nuk pasqyron potencialin e LDK-së!” - Avdullah Hoti
2. “Pushteti i shkoi VV-së, por çelësin e suksesit e ka opozita!” - Edita Tahiri
3. “Ndonëse pritjet ishin të tjera, LDK nuk arriti t’i kapitalizojë në mënyrën më të mirë zgjedhjet e 28 dhjetorit, përballë populizmit të paparë ndonjëherë, presionit dhe frikës së mbjellë.” - Lutfi Haziri
Mendoje këtë të lutem: ti merr pjesë në një garë atletike dhe, nga 10.000 metra, arrin të vraposh vetëm 1.300. Mbetesh pa frymë dhe rrëzohesh. Kur ngrihesh në këmbë, thua: “Ky nuk është potenciali im.”
Po i kujt ishte atëherë? I dikujt që nuk mori pjesë fare? Hoti e thotë atë për të nënvizuar se LDK ka potencial, por ky potencial është shtrydhur brenda partisë dhe nuk ka zë. Është i alivanosur. I palëvizshëm.
Mendimi i dytë: Pas kësaj humbjeje dramatike, Edita Tahiri, kjo zonjë e madhe e LDK-së së Rugovës, e sheh të arsyeshme ta nxjerrë në pah “opozitën” dhe të flasë në emër të saj, jo të LDK-së. Kjo shkrirje flet shumë. Për fat të keq.
Aty kemi dy probleme serioze. Së pari, ajo shpërfill dështimin e madh. Së dyti, e fut LDK-në në të njëjtin thes me PDK-në dhe AAK-në. Mu aty ku nuk e dëshironte Rugova, por Mustafa. Kjo është për keqardhje, sepse tregon nivelin e degradimit dhe pafuqinë e partisë së vet.
Ai pohim dëshmon se LDK nuk ka më individualitetin e vet, as profil, as autoritetin e dikurshëm, as shtirjen; përkundrazi, fshihet pas grupimit “opozitë”, thua se bëhet fjalë për një subjekt të vetëm politik.
Mirëpo zonja Tahiri ka të drejtë. Pse? Sepse, qyshkur Isa Mustafa kidnapoi LDK-në, si Trumpi Maduron, partia u shndërrua në një nëndegë të PDK-së. Sot, votuesi nuk sheh asnjë dallim mes këtyre dy partive, përveç nëse i krahason të kaluarat e tyre.
Mendimi i tretë: Haziri nuk e kërkon fajin te partia e vet dhe natyrisht nuk e gjen te kryesia, te kryetari, apo te mënyra se si është ndërtuar ligjërimi publik i LDK-së. Jo. Sipas tij, fajin e paska populizmi, presioni dhe frika e mbjellë.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se, nëse ti je lënduar me sëpatë, nuk i ke fajet ti, por sëpata. Ose, plagën që ke marrë nuk duhet ta shërosh, ta mjekosh apo të reflektosh pse ndodhi; mjafton të gjesh fajtorin: ishte gozhda, sëpata apo fqinji. Cili?
Kjo logjikë shmang përgjegjësinë dhe e largon vëmendjen nga dështimet e brendshme.
Me atë mënyrë arsyetimi, një parti shuhet. Mund të ketë njerëz të mirë, siç supozon Hoti, por aty ku merren vendimet ka njerëz të dobët, ose të tejkaluar, ose pa vizion. LDK ka qeliza të sëmura brenda, kanceroze, por përpiqet të “mjekojë” të tjerët, pa terapi, pa ide të reja dhe pa aftësi për të kuptuar gjendjen e vet.
Mos e përmendni pas çdo rënie Rugovën. Ai nuk mund t’ju ndihmojë më. Ai ka fituar me meritat e veta dhe me ndihmën e ndonjërit prej jush, por ai është i vdekur, dhe i ndjeri nuk fiton vota; votat i fiton i gjalli. Ju jeni të gjallë. Nëse e besoni edhe ju, si unë, se jeni të gjallë, atëherë, nëse nuk dini ndryshe, lejoni të veprojë brezi i ri, që di më mirë se ju.
Mos kaloni nga themelues të partisë në varrmihës të saj. Koha juaj ka ikur. Rezultati e dëshmoi. Pse qenka kaq e vështirë për ta kuptuar? Po silleni si Berisha me PD-në. Në grahmën e fundit. Në krye, derisa t’i dalë shpirti partisë.
Përmendja e së kaluarës për të mbuluar paaftësinë e së tashmes është mendësi e vjetër komuniste. Fragmente të saj. Është sikur plaku 90-vjeçar që thotë:
“Dikur kam qenë shumë i shpejtë.” Po, ke qenë. E dimë. Por nuk je më. E kujt i intereson kush ishe dje, kur kandidon sot? Atëherë ishe LDK e Rugovës, sot e Mustafës. Mu kjo është arsyeja pse do të humbni: nga mungesa e guximit për t’u distancuar prej tij dhe nga shndërrimi në kopje të PDK-së.
Dhe, mos harroni, nuk i keni më para vetes njerëzit pa e me telefon në shtëpi, por njerëzit me kompjuter në xhep. Kuptojeni!
Në vend që të merren me reformimin e partisë, i pari mendon se rezultati paska pasqyruar potencialin e ndonjë shoqate të huaj, jo të LDK-së. Ndërsa e dyta thotë se Kurti e ka portën kryesore, por opozita e paska çelësin e suksesit. Hiç më pak se të suksesit. Merreni me mend ju lutem, çfarë vetëngushëllimi dhe vetëmashtrimi.
Pra, sipas zonjës, ata paskan humbur në mënyrë dramatike, por megjithatë paskan fituar çelësin e madh të suksesit. Domethënë humbja nuk ishte humbje, por fitore e madhe. Kush e ka çelësin, e hap derën! Tmerr! Me këtë logjikë, LDK shkon te Ramushi ose te Limaj.
Çfarë bën një skuadër futbolli kur është e pasuksesshme? Merr lojtarë të rinj, më të mirë, nëse dëshiron të mbetet në ligë.
Zgjedhjet nuk fitohen duke shpërfillur plagën. Plaga nuk shërohet duke e fshehur, por duke e pranuar. Duke e mjekuar. Të thuhet: “Ne jemi partia e Rugovës,” ndërkohë që veproni si filial i PDK-së dhe AAK-së, është haluçinacion.
LDK nuk ringrihet kurrë më duke fajësuar populizmin, por duke pranuar se humbja erdhi nga brenda. Duhet demokraci e brendshme, kandidime dhe konkurrencë. Të fitojë më i miri, jo më i nënshtruari. Personaliteti, jo vegla.
Nëse nuk e votoni Vjosa Osmanin, atëherë dëshmoni se ju intereson më shumë vetvetja sesa shteti. Nuk kemi asnjë figurë tjetër në skenën politike që gëzon pranueshmërinë e saj.
Me kokëfortësi mund vetëm ta defaktorizoni Presidencën dhe ta ktheni atë në një institucion simbolik, si ai i Begajt në Shqipëri, pa ndikim real brenda dhe jashtë vendit: një rol dekorativ, siç ndodh në vende ku institucionet janë zbukurime të autokratit.
Ju po rrëshqisni drejt greminës dhe fajin ia vini kodrës. Ejani në vete. Nëse nuk keni guxim të përballeni me realitetin, lironi vendet.
Me këta njerëz në krye, herën tjetër nuk i kaloni as 7%. Pa reformë të vërtetë, shpërndarjen e LDK-së nuk e ndal askush.
Elektorati u shpërnda, tash e keni radhën ju. Kur partia kishte sukses, kishte Rugovën dhe shumë akademikë në krye - jo Mustafën, jo Lumirin, Hikmeten, Doarsën e Shalën. Kishte personalitete të formuar, me kulturë dhe edukatë, jo amatorë.
Ju të gjithë e dini se kush ishte LDK dje, por jo kush është ajo sot. Ju jeni shkëputur nga realiteti. E shikoni popullin nga lart, nga pozita e njerëzve të pasur e milionerëve, dhe nuk i ndjeni vuajtjet dhe dëshirat e tij.
Ky popull do shtet ligjor. Ky popull do drejtësi. Ky popull do prokurori dhe gjykata funksionale. Ky popull, me votë, dëshmoi se ka inteligjencë më të madhe mesatare sesa Karteli Mediatik, i cili, duke ju mbështetur ju, ju dëmtoi si kurrë më parë.
P.S. Një përvojë personale
Kam qenë anëtar i LDK-së për katër vite. E lashë kur një grup më sulmoi dhe më kërcënoi, vetëm pse po lexoja një përgjigje nga kabineti i Helmut Kohl, të cilit i kisha shkruar për gjendjen në Kosovë. I pata shkruar edhe Papës, edhe presidentit francez Mitterrand. Viti ’93 ose ’94. Isha edhe njëri nga kryetarët e nëndegës disa vite…
Gjatë luftës në Kosovë, në një protestë në Bon, një zyrtar i qytetit m’u afrua dhe pas prezantimit formal, më pyeti:
“A është e vërtetë se UÇK financohet nga kriminaliteti, nga heroina, droga?”
“Nuk kam dëgjuar kurrë që mafiozët të jenë patriotë. Para dy javëve isha përkthyes në një gjyq ku mafiozët ishin një shqiptar, një serb, një kroat dhe një boshnjak. Kjo është propagandë e Shërbimit sekret serb....”, i thashë.
“Pse mund të jetë propagandë?”-, pyeti ai.
“Sepse patrioti dhe mafiozi janë dy botë të ndryshme. Atdhetari nuk bëhet kurrë mafioz, sepse dëmton imazhin e kombit. Mafiozi nuk bëhet kurrë patriot, sepse nuk i intereson kombi dhe adhuron paratë, jo atdheun.
Mafiozët nuk mund të jenë patriotë sepse u intereson shitja e mallit, jo kombësia e tij.” Dhe kështu, disi, pat përfunduar biseda.
Sidoqoftë, LDK e sotme duhet të kuptojë se fitorja e Kurtit, edhe më e madhe se ajo e Rugovës, është rezultat i përkushtimit të tij të pakompromis për të ndërtuar një shtet ligjor. Ju me PDK-në nuk e doni atë, sepse duket se keni frikë vetë, mu si Karteli Mediatik.
Reformë ose shuarje totale… Alternativë tjetër nuk keni: pjesëmarrës në ringritje, ose pjesëtarë të ceremonisë së varrimit ku duhet të shkruani: “Këtu pushon LDK e Mustafës.”
© Lis Bukuroca

















