Andej-Këtej

Lufta nuk (pas)ka mbaruar (!) - Nga Vangjush Saro

Nga: Vangjush Saro - Vancouver

Fitorja mbi nazi-fashizmin dhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore ishte një ngadhnjim i popujve ndaj tiranisë. Por çfarë ndodhi më pas, ndërsa 9 Maji vinte dhe ikte, vjen dhe ikën, si edhe në këtë 80-vjetor? Është pothuaj një tjetër histori; dhe ajo na tregon që jo, Lufta nuk (pas)ka mbaruar…

Ish-Bashkimi Sovjetik, duke përfituar nga kontributi i madh në atë luftë, si dhe për shkak se i çliroi një sërë vende, u përpoq t’i mbante ato nën sundim, duke u imponuar atyre sistemin socialist. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shembjes së Komunizmit, e mbetur tashmë pa ish-republikat sovjetike, por edhe e ndarë nga të gjitha vendet e ish-Bllokut Komunist, Rusia hyri në një periudhë amullie; derisa u shfaq ish-oficeri i KGB-së, z. Putin, që u përpoq dhe vazhdon të përpiqet ta ribëjë siç ishte dikur. Mision i pamundur! Rusia e pas ‘90-ës, që edhe më parë është përfshirë në pushtime, si në Afganistan apo territore të shteteve fqinje, sulmoi brutalisht Ukrainën, duke krijuar sot e tre vjet një nga problemet më të rënda në botë; krizën dhe disfatën ajo përpiqet t’ia postojë Evropës apo NATO-s.

“Të mëdhenjtë” e kanë edhe oreksin të madh. SHBA-të, për hir të hegjemonisë, duke synuar zgjerimin dhe mbrojtjen e interesave të tyre, u përfshinë në shumë luftëra, të hapëta apo të fshehta: në Kore, Vietnam, Afganistan, Irak, në disa vende të Amerikës latine gjithashtu. Në pozita agresiviteti është tash edhe Kina, që rritjen e saj ekonomike, por edhe synimet e papërmbajtshme, përpiqet t’i realizojë duke kërcënuar ishujt përreth saj e, mbase, edhe duke yshtur luftë e konflikte në rajon, sikundër po ndodh midis Indisë e Pakistanit.

Çfarë është sot 9 maji, pra? Popujt që lanë miliona viktima në Luftën e Dytë Botërore, kanë të drejtën të kujtojnë atë fitore aq të dhimbshme dhe të aspirojnë liri e demokraci. Por në fakt, historia ka mbetur po në vend, duke xhiruar, sikur në baltë. “Të mëdhenjtë” vazhdojnë të gllabërojnë e të majmen në kurriz të popujve më të vegjël. Lufta është filmi më i pëlqyer i tyre. Klani i z. Putin do të përpiqet ta kthejë 9 Majin e sivjetëm në një ditë kërcënimesh për fqinjët - përfshi Ukrainën në hall - por edhe për vetë NATO-n. Rusia është një vend i stërmadh, por që vuan për shkak të një sistemi autokratik, pa demokraci, pa opozitë, përkundrazi duke u përpjekur (si edhe më parë) të shtypë fqinjët. Për fat të keq, edhe Amerika, një nga fuqitë më të mëdha në botë, ajo që gjer dje udhëhiqte Perëndimin, po luan tani si jo më keq në këto konflikte.

Megjithatë, e meqë po flasim për një ditë të shënuar, por që i përmbledh ato ç’u thanë më sipër, një gjë ishte dhe mbetet e qartë: 9 Maji nuk është i agresorëve; nuk është i autokratëve. Ishte fitorja madhështore e popujve që mposhtën nazi-fashizmin; mbetet episodi më i rëndësishëm dhe më i drejtë në historinë moderne të botës, anipse disa nga fitimtarët, për fat të keq, kanë humbur toruan dhe po ndjekin atë fjalën: Të shkojë uji në arën time! (Po ç’ujë de… nafta, mineralet e rralla, si dhe ëndrra e përralla të tjera që e kanë trazuar botën si kurrë ndonjëherë.)

Për të gjithë ata që përpiqen të bëjnë pazare në kurriz të popujve, mund të kujtojmë atë që thotë një personazh i Kafkës: “Siguria që kanë, rrjedh nga marrëzia e tyre.” Por bota ka vuajtur mjaft nga të marrët; duhet t’u japë duart atyre, kushdo qofshin. Shtetet, qytetarët, nuk duan luftë e përgjakje, nuk kanë nevojë për drejtues të përjetshëm, për diktatorë apo edhe fodullë që ta shpifin e të lëndojnë, por për drejtues të llojit burokrat, për nëpunës të përkohshëm, për njerëz që postet i përqasin me parimet e Demokracisë. (Australia, Kanadaja, shtetet skandinave, etj. sjellin përvojat më bindëse në këtë temë; që do të thotë… mos u biesh në qafë të tjerëve.)

Po ndalem pak edhe në episodin shqiptar sa i takon kësaj teme. U bë një kohë e gjatë që “kundërshtarët” (vendas) të kontributit të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore përpiqen të ndryshojnë historinë. Mjerimi i këtyre cinikëve është një gjë aq e vockël krahasuar me të vërtetën rreth kësaj lufte. Janë të mundur gjithsesi, nga vetë e vërteta. Janë faktet dhe dokumentet që gjithashtu i “mundin” ata; dokumente të arkivave britanike, të atyre shqiptare, italiane e më shumë se kaq.

Lufta filloi me rezistencën kundër pushtuesve fashistë, më 7 prill 1939. Në këtë rezistencë, atë ditë, më pas dhe shumë e shumë ditë të tjera - krahas komunistëve apo edhe atyre që s’e dinin ç’ish kjo fjalë, por u përfshinë në luftë - dhanë kontributin e tyre edhe vetë nacionalistët, që në fakt ishin ushtarakë të Zogut ose thjesht krijuan (disa nga) çetat e para që filluan të përballen me pushtuesit italianë. Edhe pse jo gjithnjë në humor lufte, ata dhanë një lloj kontributi.

Pas kapitullimit të Italisë Fashiste, u dyndën nazistët gjermanë. Nga ardhja e tyre deri në çlirimin e vendit (nëntor 1944) ishte a s’ishte një vit… Vetëm një vit. Në këtë ndërkohë, ndodhi Mukja, u acarua përplasja mes komunistëve dhe nacionalistëve; por për kaq gjë, askush nuk mund ta njollosë atë luftë me epitetin dashakeq “civile”. Siç jam përpjekur të them edhe në ndonjë shkrim tjetër, madje edhe në librin tim “Shqipëria në dy kohë”, mund të flasim për elemente të një lufte civile, për episode të tilla; vetëm kaq. (Teprimet, por edhe krimet e mëtejme dhe ato pas lufte, janë tjetër gjë.)

Po i mbyll këto radhë me fjalët e S. Beckett: “Njeriu me kujtesë të mirë asgjë nuk kujton, sepse asgjë nuk harron.” Përtej sloganeve dhe propagandave, e vërteta është e kthjellët, si vetë 9 Maji, që nuk flet dhe nuk mund të flasë me gjuhën e agresorëve, kolaboracionistëve dhe ekstremistëve; sepse ishte dhe mbetet festë e lirisë dhe inspirim e shpresë për demokraci.

© Vangjush Saro - Vancouver