Adhurimi ndaj Carney-t: kur fantazia zë vendin e realitetit - Nga Mathieu Bock-Côté
- Published in Kanada

- Nga: Mathieu Bock-Côté - Journal de Montreal
Sipas narrativës politike që na vjen nga kryeqyteti kanadez, Ottawa, Mark Carney paska shkëlqyer në vizitën e tij në Washington.
Thuhet madje se mes presidentit amerikan dhe kryeministrit kanadez ka pasur një duel diplomatik, ku kanadezi doli fitimtar.
Fantastike! Shkëlqyeshëm! Lavdet për Carney-n po vërshojnë si një stuhi tropikale.
Na kërkohet, pra, që ta duartrokasim me entuziazëm dhe, me një stil prej delesh të bindura të shpallim të gjithë në kor: “Rroftë Carney!”, duke ngritur në qiell autoritetin e tij prej ish-bankieri qendror.
Por, pasi kemi shteruar gjithë superlativat për “Markun e mrekullueshëm”, është momenti të kthehemi në realitet.
A janë ende në fuqi tarifat tregtare amerikane kundër Kanadasë? Po.
A i ka shtuar Trump së fundmi Kanadasë edhe tarifa të reja, për shembull për industrinë e filmit? Edhe kjo është e vërtetë.
A e ka përsëritur ai idenë e vjetër për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të Amerikës? Përsëri, po.
Dhe atëherë lind pyetja: pse e mburrim me aq pasion Mark Carney-n?
Ku është, në të vërtetë, arritja e tij madhështore?
Hipoteza ime është se kemi rënë të gjithë në një lloj iluzioni kolektiv, një ëndërr e përbashkët nga e cila nuk arrijmë më të zgjohemi.
U përfshimë në një farsë që na pëlqeu aq shumë, sa tashmë jemi të paaftë të dalim prej saj.
Është sikur kthimi në realitet do të na kushtonte emocionalisht, prandaj preferojmë ta vazhdojmë ëndrrën, duke e cilësuar këtë vetë-mashtrim si “guxim intelektual”.
Por le të jemi realistë: Donald Trump, pavarësisht kritikave, sharjeve apo përçmimeve, është president i SHBA-së për një mandat të plotë katërvjeçar.
Unë vetë besoj se ai e ka dëmtuar rëndë presidencën e tij përmes një politike të ashpër, që e sheh botën si një arenë përplasjeje të fuqive.
Në vend që të ndërtonte një konservatorizëm kombëtar me vizion, ai u zhyt në hakmarrje populiste.
Kështu, edhe ata që mund t’i kishin njohur disa merita administratës së tij, tani janë të tërhequr.
Në këto kushte, nuk mund të flasim për një normalizim të marrëdhënieve mes Kanadasë dhe SHBA. Tashmë bëhet fjalë vetëm për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet.
Nëse Mark Carney do të arrijë vërtet të ruajë sadopak marrëdhënien, do të meritojë lavdërime. Por për momentin, këto janë vetëm fjalë boshe.
Të mund të flasësh me Trump pa u përqeshur si Zelensky apo pa u trajtuar si një “guvernator” si Trudeau, ndërsa ruan një qetësi diplomatike, është padyshim një aftësi. Por kjo nuk të bën automatikisht burrë shteti.
Ndërkohë, realiteti brenda Kanadasë është më i vështirë se kurrë: financat publike janë në kolaps, imigracioni masiv po trondit strukturën e federatës dhe sidomos po fundos identitetin e Quebec.
E për më tepër, kryeministri kanadez e flet frëngjishten me shumë vështirësi.
Por duket se dashuria ndaj Mark Carney-t ka arsyet e veta që logjika nuk i njeh.
Burimi: Journal de Montreal