Kanada

Zgjedhjet federale 2025: Letër "baby-boomers"-ave të Kebekut - Nga Pierre-Hugues Boisvenu

  • Published in Kanada
Nga: Pierre-Hugues Boisvenu

Autori ka qenë përfaqësues i Kebek në Senatin e Kanadasë në vitet 2010-2024. Ai gjithashtu është themeluesi i Shoqatës së Familjeve të Personave të Vrarë ose të Zhdukur (AFPAD), të cilën ai e krijoi në vitin 2002 pas rrëmbimit, përdhunimit dhe vrasjes së vajzës së tij Julie nga një kriminel recidivist.

Si një "baby-boomer", po ju drejtohem juve, boomers të Kebekut. E bëj këtë me gjithë zemrën time dhe me mirënjohjen që kam për ju, që keni ndërtuar Kebekun e sotëm.

Dihet që "baby-boomers" janë ata që kanë lindur ndërmjet viteve 1945 dhe 1960, në një periudhë të lulëzimit ekonomik ku pronësia ishte e lehtë të krijohej dhe kostoja e jetesës shumë e përballueshme. Brezi ynë ka njohur një nivel jetese më të lartë se ai i prindërve tanë. Ata e hapën rrugën për Kebekun, ndërsa ne e modernizuam dhe e pasuruam brezin tonë.

Pas më pak se dy javësh, qytetarët e Kebekut do votojnë që të zgjidhet një qeveri federale, e cila me shumë gjasë do të qeverisë Kanadanë për katër vitet e ardhshme. Tendenca e proklamuar nga sondazhet që nga fillimi i kësaj fushate federale ngre shumë pyetje në mendjen time, dhe me siguri edhe te votuesit.

Të dhënat që kanë ngjallur më shumë diskutime në mediat tona lidhen me votën e personave mbi 60 vjeç, të quajtur "baby-boomers". Tendencat e votës nga kjo kategori demografike janë padyshim të diskutueshme.

Pse personat më të moshuar të shoqërisë kebekase janë orientuar instinktivisht drejt një kandidati të panjohur për postin e kryeministrit?

Duhet ta pranojmë objektivisht: Mark Carney nuk është i njohur në Kebek dhe përpjekjet e tij për t’u bërë i tillë kanë qenë thuajse zero që nga ardhja e tij në krye të Partisë Liberale të Kanadasë. Më keq akoma, disa prej komenteve të Carney për Kebekun dhe historinë e tij dëshmojnë për një njeri aspak të shqetësuar dhe aspak të interesuar për kombin e Kebekut.

ARSYET

Arsyeja e parë që "boomers" mund të votojnë për Carney buron kryesisht nga vox-pop-et e shumta ku 60+ kanë shprehur mendimin e tyre: frika nga Trump. Në politikë, dihet se frika është këshilltarja më e keqe, sepse arsyetimi ndikohet nga emocionet më shumë sesa nga arsyeja. Kjo strategji dinake dhe e paskrupullt liberale e frikës ka funksionuar dhe është ngulitur në mendjen e 60+ me ndihmën e mediave tradicionale.

Ky korelacion është i papranueshëm dhe nxitja e ndjenjës së frikës po ashtu. Njëlloj si gjatë pandemisë, kur personat e moshuar u morën peng nga qeveritë dhe mediat.

Arsyeja e dytë është amnezia spontane për bilancin katastrofik të qeverisë liberale në dhjetë vitet e fundit, sikur kjo parti të mos kishte qenë fare në pushtet gjatë gjithë kësaj kohe. Personat mbi 60 vjeç duhet të ndihen të detyruar të kujtojnë trashëgiminë që qeveria liberale e këtyre dhjetë viteve po u lë fëmijëve dhe nipërve të tyre: një situatë financiare katastrofike që do të paralizojë të ardhmen e brezave të ardhshëm për dekada dhe do t’i pengojë të përparojnë dhe të realizojnë ëndrrat e tyre, siç i realizuan "boomers"-at. Ata do të duhet të paguajnë borxhin e Justin Trudeau dhe për më tepër, do t’ua lënë pjesën tjetër të këtij borxhi fëmijëve dhe nipërve të tyre.

Arsyeja e tretë është anshmëria e qëllimshme e disa mediave kombëtare për ta glorifikuar kandidaturën e Mark Carney dhe për ta denigruar atë të liderit të Partisë Konservatore, duke krahasuar personalitetin e tij me atë të presidentit amerikan apo madje me diktatorët më të këqij të planetit. Nëse e bëjnë këtë, është sepse e dinë që nuk është e vërtetë, sepse Pierre Poilievre nuk i blen mediat tradicionale dhe refuzon t’i përdorë për të frikësuar "boomers"-at, ndërkohë që synon t’i mbështesë ata me masa dhe programe adekuate. Këtë fakt sigurisht mediat tradicionale nuk e përmendin.

Pra "boomers"-a, kjo është ajo që dëshironi?

Ju keni zgjedhjen: të bini në grackën e strategjisë së frikës të liderit liberal Mark Carney, apo të qëndroni të fortë për fëmijët dhe nipërit tuaj duke ia besuar votën tuaj Partisë Konservatore të Kanadasë, e cila dëshiron ta ndalë këtë hemorragji dhe t’i japë shpresë brezave që do të vijnë.

Tani të reflektojmë në mënyrë racionale mbi arsyet e zgjedhjes së "baby-boomers".

FRIKA NGA TRUMP

Është e pranueshme të besohet se presidenti Trump përfaqëson një rrezik për ekonominë tonë përmes vendosjes së tarifave doganore të rastësishme dhe të improvizuara. Por, kur mendojmë më thellë, kush është më shumë në rrezik nga kjo sjellje destabilizuese, Kanadaja apo SHBA? Të moshuarit që jetojnë me të ardhura fikse pensioni apo punëtorët në fabrikat kanadeze që rrezikojnë të humbasin punën me mijëra?

Askush në këtë debat politik nuk ka arritur të dëshmojë se kjo frikë ka qenë e justifikuar apo se bazohet në pasoja të rënda të pritshme që mund të prekin përditshmërinë e të moshuarve mbi 60 vjeç. Askush!

BILANCI I QEVERISË LIBERALE

Pas 10 vitesh qeverisje nga liberalët, bilanci i financave publike është katastrofik. Deri në fund të vitit 2026, borxhi kombëtar do të arrijë pothuajse 1500 miliardë dollarë, pra 50% e PBB-së. Bilanci më i keq në grupin G20. Interesi mbi këtë borxh është pothuajse 60 miliardë dollarë në vit. Numri i nëpunësve civilë është rritur me 40%. Rritja e kostos së jetesës ua pamundëson të rinjve të blejnë shtëpi, çmimet e ushqimeve prekin familjet dhe në mënyrë të veçantë nënat e pamartuara. Kriminaliteti është rritur me 60%.

Kush ka një të ardhme më të zymtë - të moshuarit mbi 60 vjeç apo fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre? Si mund të shpjegohet që "baby boomers" injorojnë plotësisht trashëgiminë që u është lënë të rinjve nga qeveria e fundit liberale? Si mund të shpjegohet që ata mbi 60 vjeç kanë dhënë mbështetje të verbër ndaj liberalëve, qeverisë më të keqe të dekadave të fundit dhe ndoshta më të keqes për t’u rikthyer në pushtet për katër vitet e ardhshme?

CARNEY VS POILIEVRE

Është e vështirë të kuptohet pse ata mbi 60 vjeç janë kaq pak kritikë ndaj Mark Carney, pasardhësit të Justin Trudeau dhe këshilltarit të tij kryesor gjatë viteve që e çuan vendin drejt katastrofës financiare aktuale.

Carney ka bërë gjithçka për të shmangur Kebekun. Ai nuk ka dhënë thuajse asnjë intervistë në gjuhën frënge. Ai ka shmangur debatin e liderëve të partive në TVA. Ai ngatërron konceptet "Kombi i Kebekut" dhe "shoqëri e veçantë". Nuk mban mend se ku ndodhi masakra në Politeknikun, ku u vranë 14 vajza të reja. Me pak fjalë, për një njeri që mburret se ka menaxhuar krizat ekonomike të vendit që nga viti 2008, ai qëndroi larg Kebekut, duke treguar pak interes për kombin e Kebekut. Gjatë dekadave të fundit, Carney nuk ka jetuar në Kanada, ai e ka vizituar atë si turist.

RREZIKU I VËRTETË I KËTYRE ZGJEDHJEVE

Në kundërshtim me perceptimin e përgjithshëm, rreziku më i madh që i kanoset Kanadasë, nuk është Trump dhe tarifat e tij, por Mark Carney, i cili ka të njëjtën filozofi liberale globaliste si Justin Trudeau. Kultura "woke" është pjesë e ADN-së së tij, e cila ka kontaminuar kaq shumë organizata private dhe qeveritare në mbarë botën. Po ashtu feja ekologjike që ai dëshiron t’i imponojë Kanadasë kur të vijë në pushtet apo dhe filozofia liberale e cila synon që popullsia e Kanadasë të arrijë në 100 milionë deri në vitin 2100, pa vlerësuar ndikimin e saj në mbijetesën e kombit themelues të vendit tonë - pra frankofonëve në Kebek dhe në të gjithë Kanadanë.

Rreziku i vërtetë i këtyre zgjedhjeve është zgjedhja e një njeriu, Mark Carney, peng i familjes së presidentit amerikan dhe që nuk ka qenë në gjendje të paraqesë një vizion për një Kanada të pavarur nga ekonomia amerikane. Rreziku i vërtetë është zgjedhja e një tjetër qeverie liberale që do t’i braktisë gratë në duart e agresorëve, që do të ulë dënimet ndaj abuzuesve të fëmijëve dhe mashtruesve të të moshuarve, siç bëri Trudeau me miratimin e ligjit C5.

Janë edhe disa ditë të mbetura para se vendi të zgjedhë një lider. Duke qenë vetë një "baby boomer", unë refuzoj të besoj se Kanadaja mund të drejtohet nga një bankier i panjohur, një kalkulues i ftohtë dhe cinik që përfiton nga miliona të depozituara në parajsa fiskale, një menaxher pa skrupuj që zgjodhi SHBA në vend të Kanadasë për të zhvendosur biznesin e kompanisë së tij, i diplomuar me një diplomë të dyshimtë, një shpëtimtar i rremë i krizave ekonomike - me pak fjalë, një mashtrues i deklaruar.

Kështu që, unë kam besim se ju mbi 60 vjeç do të dini të rezistoni ndaj murit të frikës që Mark Carney ka ndërtuar për ju. Vlera juaj meriton të njihet në masën e duhur. Vota juaj duhet, mbi të gjitha, të bazohet në besimin që keni në veten tuaj për t’u lënë fëmijëve dhe nipërve tuaj një botë më të mirë, ashtu siç ju lanë prindërit tuaj 60 vjet më parë. Kjo është përgjegjësia jonë!

© Pierre-Hugues Boisvenu

Burimi: Faqja Facebook e autorit

Foto: Adrian Wyld/The Canadian Press