Kanada

Çështja e Kebekut dhe turpi i Radio-Canada - Nga Joseph Facal

  • Published in Kanada
Nga: Joseph Facal - Journal de Montreal

Anshmëria pro-liberale e gazetarëve dhe analistëve të Radio-Canada është aq e hapur, sa që më duket sikur po u dalin të pasmet në shesh. Dhe Mark Carney, për ironi, kërkon që kjo media shtetërore të financohet edhe më shumë. Do t’u duhet të konkurrojnë me servilizmin e Pravdës së ish-Bashkimit Sovjetik.

Do të qeshja, nëse ky fakt nuk do ishte i rrezikshëm për Kebekun. Qartësoj menjëherë: rrezik për atë pjesë të Kebekut që e sheh veten si një komb frankofon, që refuzon të asimilohet dhe të zhduket.

Një histori që përsëritet

Diçka serioze mund të jetë duke ndodhur me ne. Trump nuk do t’ia dijë për Kebekun. Si i paditur në gjeografi mezi do të na gjente në një hartë - ndoshta do të kërkonte mes Minesotës dhe Manitobës. Por, pa e pasur për qëllim, ai mund të realizojë pikërisht atë që Trudeau babai, djali i tij dhe gjithë miqtë e tyre federalistë kanë dashur gjithmonë: të thyejnë shtyllën kurrizore të Kebekut frankofon - ose më saktë, të shkatërrojnë aftësinë tonë për të mbrojtur identitetin dhe për të bërë zgjedhjet tona.

Gjithçka nisi me Pierre Elliott Trudeau, që e shihte nacionalizmin kebekas si tribal, përçmues dhe të rrezikshëm. Ai deshi ta shtypte këtë ndjenjë duke na imponuar një Kushtetutë dhe një Kartë të të Drejtave që, në emër të lirive individuale, i jep kujtdo mundësinë të sfidojë në gjykatat federale çdo ligj që synon të mbrojë identitetin frankofon. Mbrojtja jonë e vetme mbetet klauzola përjashtuese. Ne kemi rezistuar si kemi mundur. Kemi tentuar ta ruajmë dhe forcojmë identitetin tonë si popull.

Pas Pierre Elliott Trudeau erdhën Jean Chrétien dhe Stéphane Dion. Prej frikës së referendumit të 1995-ës, ata hodhën në fushë armatimin e rëndë kundër Kebekut frankofon: rregulla të reja për referendumet, propagandë identitare masive, ndërhyrje në kompetencat tona, shtrëngesa fiskale të qëllimshme dhe kërcënime për ndarje territoriale në rast shpalljeje të pavarësisë. Edhe atëherë, ne qëndruam.

Pastaj erdhi Justin Trudeau, trashëgimtari narcisist i të atit. Ai vazhdoi projektin me fjalë të ëmbla për "post-nacionalizëm" dhe me një politikë imigracioni pa kufij - një armë e heshtur, por shumë efektive kundër identitetit të Kebekut. Dhe ne po përpiqemi të rezistojmë.

Mos harroni: përdorimi i imigracionit për të zhdukur një kulturë është përmendur që në raportin Durham, që në vitin 1839. Pushtuesit, pasardhësit e tyre dhe aleatët vendas nuk e lënë këtë strategji kurrë pas dore.

Dhe ja ku jemi sot, me Trump dhe fuqinë e tij të pakontestueshme amerikane. Jean Chrétien është i lumtur - sipas tij, asgjë nuk i ka bashkuar më shumë kanadezët sesa qëndrimi i Trump.

Kebekasit po shndërrohen sërish në patriotë kanadezë; edhe disa nacionalistë blu të thekur, ndoshta edhe ish-sovranistë. Po kthehemi në "kanadezë të mirë e të bindur", që rreshtohemi në kolonë, që luajmë për "Team Canada", që heqim dorë nga vetvetja. Po e lejojmë veten të rrëshkasim.

Muskujt dhe frika

A është e mundur që Trump të arrijë, pa asnjë përpjekje, atë që ka dështuar të bëjë një brez i tërë federalistësh kanadezë?

Përbërësi është i njëjtë: frika. Frika sjell dorëzim.

Natyrisht, Trump dhe SHBA-të kanë "muskuj" më të fuqishëm.

Por në fund të fundit, Trump dhe Carney - edhe pse duken si kundërshtarë - na çojnë në të njëjtin drejtim.

Dhe kjo, ju them, është dramatike.

Burimi: Journal de Montreal

Foto: AFP