Kolumnist

Pse do votoj kësaj radhe për Partinë Konservatore dhe Pierre Poilievre - Nga Taulant Dedja

Këto kohë nuk ka asnjë ditë të mos flas a diskutoj me dikë për zgjedhjet kanadeze të 28 prillit, që janë tema e ditës. Madje kolegë të punës, vendas apo imigrantë si unë (edhe kolegë apo miq kanadezo-shqiptarë sigurisht), duke njohur dhe background-in tim, më kanë pyetur hapur dhe pa ndrojtje për kë do votoj, sepse shtojnë, disa gjëra i lënë ata akoma në dilemë. Madje ka dhe nga ata që thonë nuk më intereson politika, vota ime nuk do ndryshojë asgjë, edhe pse çdo ditë ankohen nga vështirësitë e jetës së përditshme, të shkaktuara nga situata ekonomike, përgjegjësinë për menaxhimin e të cilës e kanë qeveria federale dhe ato provinciale.

Përgjigja ime për ta është pak a shumë si këto mendime që do rendis më poshtë, faktet për të cilat janë qëmtuar nga mediat tradicionale frankofone që operojnë në Quebec, fakte rezultat i hetimeve gazetareske dhe që askush nuk i ka përgënjeshtruar. Sigurisht një pjesë e asaj që them është rezultat i arsyetimit dhe jo thjesht i bindjeve të formuara në vite, apo që kanë evoluuar gradualisht. Të mos harrojmë, që realiteti na mëson çdo ditë gjëra të reja, falë informacionit që shpërndahet në të qindat e sekondës kudo në botë, si rezultat i progresit teknologjik.

Sipas meje, në këto zgjedhje alternativa është fare e thjeshtë për cilindo:

Një mandat i katërt për Liberalët që e rrënuan ekonominë kanadeze (a ka ndonjë që e mohon këtë?) dhe që këshilltarin ekonomik të Justin Trudeau e emëruan kryeministër pasi mbyllën 6 muaj parlamentin, duke dhunuar hapur demokracinë (dorëheqja e Freeland që Carney-n e ka kumbarin e djalit ishte skemë) apo një vote për ndryshim në favor të një programi ekonomik të Partisë Konservatore, që merr në konsideratë të gjitha shtresat pa përjashtim, që vë në radhë të parë interesat e vendit, e jo të elitave të World Economic Forum, që garanton çdo program social ekzistues dhe që do shkurtojë shpenzimet milarda dollarë në konsulencë të qeverisë Liberale dhe burokracinë që i shtoi administratës 75,000 funksionarë, me të cilët për të folur në telefon, ndodh që mund të presësh edhe me orë, jo me minuta.

Për mua personalisht, si qytetar kanadez, që gjysmën e vitit punoj për të paguar burokracinë e fryrë shtetërore nga Liberalët, që nuk më garanton gjithashtu as mjekun e familjes, ka shumë rëndësi se kush do fitojë! Nuk mund t'ia jap voten time një force politike që dështoi veçanërisht në mandatin e fundit në të gjitha drejtimet. Nuk kam votuar më 2015, edhe pse për herë të parë kisha të drejtë të votoja. Më pas kam votuar për Liberalët me 2019, kam votuar për Bllokun e Kebek më 2021, ndërsa këte radhë do votoj për Partinë Konservatore, sepse nuk jam rob i ideologjive, por i besoj analizës logjike dhe asaj alternative që mund të jetë më e mirë aktualisht për mua dhe familjen time, sigurisht edhe për të ardhmen e Kanadasë, ku kam imigruar mbi bazën e një përzgjedhjeje meritokratike.

Është e para herë në jetën time që do të votoj për një parti të djathtë (në realitet qendër e djathtë) jo për militantizëm, por për të ndëshkuar papërgjegjshmërinë e Liberalëve me të vetmin mjet ligjor që më jep si qytetar demokracia, në këtë rast, votën time, dhe sigurisht sepse besoj që rotacioni është jetik për Kanadane. Sepse besoj që pyetja kryesore e këtyre zgjedhjeve nuk është kush do t’i rezistojë më mirë Trump, siç kanë tentuar ta imponojnë mediat dhe analistët proqeveritarë, por është kostoja e lartë e jetesës dhe kush është më i përgjegjshëm t’i menaxhojë më me efikasitet buxhetin publik dhe taksat tona, duke shfrytëzuar njëherazi si duhet resurset e panumërta natyrore të Kanadasë, për ta bërë ekonominë kanadeze, sa më pak të varur nga fqinji historik jugor.

Pierre Poilievre, nuk është Mesia, nuk është perfekt, por ai nuk është në politikë për shkak të emrit të babait dhe të paktën është aktualisht i vetmi kandidat për kryeministër që i njeh hallet e kanadezëve dhe ka 3 vjet që i ka rënë cep më cep vendit, për të kuptuar çfarë mendojnë qytetarët e tij dhe si mund të përmirësohet jeta e tyre. Krahasimi që bëjnë mes tij dhe Donald Trump, është sa një dinakëri e dëshpëruar, po aq edhe një idiotizëm i paskurpullt, thjesht për të trembur injorantët dhe naivët, sepse ata që mendojnë me trurin e tyre dinë t'i analizojnë faktet dhe njerëzit. Pra sipas meje, në zgjedhjen tonë duhet të dominojë logjika, jo frika.

Sa për patriotizëm, nuk besoj se Mark Carney me 3 pasaporta është më patriot se Pierre Poilievre. Është Carney që interesat financiare i ka në USA dhe që përmes firmës së tij ka ndihmuar financiarisht më 1,1 miliard dollarë dhëndrrin e Trump, Jared Kushner (duke paguar në kundërshtim me çdo praktikë me një çek të vetëm në mënyrë të njëhershme një qira 99 vjeçare), që Shqipëria do t’i jape edhe Sazanin për 99 vjet... Po ashtu, në tetor 2024, Carney si president i Brookfield, vajti në Kinë, u takua edhe me presidentin Xi Jingping dhe mori 250 milionë dollare kredi nga Banka Qendrore e Kinës, shtetit që kë ndërhyrë hapur dhe në kundërshtim me çdo rregull ndërkombëtar në dy zgjedhjet e fundit (2019, 2021) në demokracinë zgjedhore kanadeze, e provuar kjo me fakte dhe përmes një hetimi publik parlamentar.

Ndërkohe dikush mund të më thotë se Carney ka qenë bankier qëndror dhe e di si funksionon bota. Unë do përgjigjesha fare thjesht. Jemi ne krize? Po. A po ndjeni ndonjë gjë të veçantë që po bën guvernatori i Bankës së Kanadasë për ne aktualisht që të na shpëtojë nga kriza...?

Dhe, meqë jemi me origjinë ballkanas, nuk mund të harroj faktin se aktualisht në vendet anëtare të NATO-s, vetëm "rilindasit" e Edi Rames dhe Liberalët e klanit Trudeau-Carney-Freeland po kërkojnë me çdo çmim edhe një mandat të katërt...

Duke votuar për alternativën Konservatore këtë radhë, personalisht kam bindjen se zgjedhja ime i shërben më mirë të ardhmes së Kanadasë dhe nevojës klithëse për rotacion politik.

E fundit që u kujtoj atyre që mendojnë se vota e tyre nuk sjell ndryshim, është fakti se sipas sistemit kanadez, mazhoritar me nje tur, edhe nje votë e bën ndryshimin, sepse një kandidat për deputet mund të zgjidhet falë edhe një vote më shumë se konkurenti i tij politik.

Dilni dhe votoni për të sjellë ndryshimin!

© Taulant Dedja