Kanada

Liberalët na konsiderojnë (përsëri) budallenj! - Nga Joseph Facal

  • Published in Kanada

Duhet të vazhdojmë ta themi me zë të lartë. Jemi shënjestër e një fushate të gjerë manipulimi ideologjik. Ajo drejtohet nga Partia Liberale e Kanadasë dhe aleatët e saj të shumtë në media. Po na imponohet një kornizë analize përmes së cilës duhet të gjykojmë këto zgjedhje. Marrëzi!

Në zhargonin politik, kjo quhet: “Të përpiqesh të imponosh narrativën”.

Po na bëjnë të besojmë se çështja themelore për të cilën duhet të vendosim është: kush konsiderohet më i kualifikuar për t’i bërë ballë Donald Trump? Dhe në të njëjtën kohë na jepet përgjigjja: është Mark Carney, sepse ka qenë guvernator i dy bankave qendrore. Ja pse duhet të harrojmë të kaluarën dhe t’i rikthejmë liberalët në pushtet për herë të katërt që nga viti 2015!

Marrëzi! Budallallëk! Na konsiderojnë vërtetë budallenj.

Rreziku është se, fatkeqësisht, në politikë shpesh është fitimprurëse të mos e mbivlerësosh inteligjencën e elektoratit.

Donald Trump padyshim do të na e komplikojë jetën për katër vitet e ardhshme. Qeverisë kanadeze, cilado qoftë ajo, do t’i duhet më të shumtën e kohës të merret me këtë ekstravagant krejtësisht të paparashikueshëm. Por Shtetet e Bashkuara nuk do të na pushtojnë, sepse nuk u duhet një gjë e tillë. Dhe problemet e thella të Kanadasë ekzistonin para rikthimit të Trump si president dhe kryesisht janë të shkaktuara nga vetë ne.

Kush i shkatërroi financat publike federale gjatë 10 viteve të fundit? Qeveria liberale dhe kjo s’kishte fare lidhje me Trump.

Kush e humbi kontrollin mbi emigracionin? Qeveria liberale.

Kush lejoi hyrjen e mijëra refugjatëve të rremë? Qeveria liberale.

Kush e la në vendnumëro produktivitetin kanadez? Qeveria liberale.

Sot po zbulojmë varësinë e Kanadasë nga Shtetet e Bashkuara.

Kush nuk bëri asgjë për 10 vjet për të diversifikuar tregjet tona të eksportit? Qeveria liberale.

Kush e kundërshton ligjin e Kebekut për laicitetin e shtetit në gjykatat federale? Qeveria liberale.

Kush paraqitet përpara elektoratit me bilancin më të keq në historinë moderne të Kanadasë? Qeveria liberale.

Liberalët e dinë aq mirë që bilanci i tyre është i mjerueshëm, saqë gjëja e parë që bën Mark Carney është të kopjojë programin e konservatorëve.

Dhe ja ku kemi: një ulje taksash!

Dhe ja ku kemi: heqjen e taksës së karbonit që liberali Steven Guilbeault e ka mbrojtur për vite me radhë!

Dhe ja ku kemi: tërheqje nga taksa mbi fitimet kapitale, të cilën liberali François-Philippe Champagne na e paraqiste si të nevojshme dhe të dobishme!

Dhe ja befas: jemi të hapur për projekte të gazsjellësve, të cilat i kemi kundërshtuar për vite! Trima?

Në një luftë, qoftë ajo tregtare apo tjetër, një udhëheqës duhet të dijë t’i flasë popullit, ta frymëzojë, ta motivojë, ta sigurojë, t’i japë shpresë dhe besim.

A mund të jetë i tillë Carney, që i shmanget debatit në frëngjisht? Seriozisht...

Të votosh për Bllokun apo të votosh për Partinë Konservatore? Kjo mund të diskutohet.

Ajo që nuk diskutohet është se liberalët po na konsiderojnë vërtetë për budallenj. Përsëri.

Burimi: Journal de Montreal

Foto: François Roy/La Presse