Kanada

Debati në anglisht: Pierre Poilievre del fitues - Nga Marc-André Leclerc

  • Published in Kanada
Nga: Marc-André Leclerc - Journal de Montreal

Pas një paraqitjeje solide në debatin në frëngjisht, Pierre Poilievre shkëlqeu në arenën anglishtfolëse, duke dalë fitues i padiskutueshëm i debatit të dytë zgjedhor.

Kreu i Partisë Konservatore u shfaq i matur, i vendosur dhe i aftë për të krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë me shikuesit, veçanërisht në segmentin përmbyllës të debatit. Ai ia doli ta kthejë fokusin e diskutimeve te çështjet reale që prekin përditshmërinë e kanadezëve: rritja e kostos së jetesës, kriza e strehimit dhe shqetësimet për sigurinë publike.

Toni i tij i qetë por i prerë, në kontrast me stilin më konfrontuese që shfaq në Dhomën e Komunave, e ndihmoi të përçojë një mesazh më të besueshëm dhe më afër qytetarëve.

Duel ballë për ballë

Momenti kur më së shumti spikati Pierre Polievre ishte ai kur çdo lider kishte mundësinë të sfidonte një kundërshtar me një pyetje të drejtpërdrejtë. Ai zgjodhi Mark Carney-n dhe nuk e kurseu aspak.

Duke e vënë në shënjestër për rolin e tij si ish-guvernator i Bankës së Kanadasë dhe lidhjet e tij me qeverinë e Justin Trudeau, Poilievre e shigjetoi atë për bashkëpërgjegjësinë në krizën e inflacionit dhe rritjen e kostove që rëndojnë mbi qytetarët kanadezë.

Carney u përpoq të distancohej nga politika e Trudeau, por përpjekja e tij u duk e vakët dhe e pasigurt. Sulmi i Poilievre pati efekt dhe audienca mbeti pa përgjigje nga Carney.

Kur Carney tentoi ta kundërsulmonte Poilivre me çështjen e “security clearance”, ky i fundit ia ktheu menjëherë goditjen: solli në vëmendje rastin e kandidatit liberal Paul Chiang, të cilin Carney e mbrojti, pavarësisht deklaratave të papranueshme që kishte bërë. Carney u zu në befasi dhe, për një moment, u duk sikur u pendua për atë që tha.

Sulme nga të gjitha anët

Gjatë gjithë mbrëmjes, Carney u përball me kritika të vazhdueshme nga kundërshtarët e tij politikë. I spikatur ishte edhe Yves-François Blanchet, i cili shfrytëzoi çdo rast për ta goditur pikërisht në pikat e dobëta si ish-këshilltar i Trudeau.

Megjithëse Carney arriti të ruajë njëfarë qetësie, nuk ka dyshim se doli më i dobët nga ky debat i dytë.

Ndërkohë, Pierre Poilievre e përmbylli natën me një fitore të qartë dhe duke realizuar një performancë që mund të shërbejë si katalizator për të përmbysur rezultatet në sondazhe.

Burimi: Journal de Montreal

Foto: AFP