Zgjedhjet kanadeze 2025: “Better sorry, than change!” - Nga Jeta Dedja

Kanadezët njihen botërisht si njerëz që e kanë në majë të gjuhës fjalën “Sorry”, edhe kur nuk janë aspak në faj. Është një stereotip që i ndjek kudo: në media, kinematografi, në jetën e përditshme, etj. Madje është shndërruar në një simbol kombëtar të edukatës së tepërt, të përulësisë së kultivuar dhe të dëshirës për të shmangur çdo tension. “Sorry” nuk është thjesht fjalë: është metoda “urtë e butë e tiganin plot”, megjithëse për këtë të fundit nuk jam e sigurt.
I shoh çdo ditë në shkollë kanadezët se si edukohen të jenë tolerantë, të moderuar në qëndrime dhe të shmangin përplasjet. Me aq sa i njoh unë, kanadezët preferojnë ta shohin politikën si një mjet për ruajtjen e rendit dhe mirëqenies multikulturore e kolektive, duke shmangur konfrontime ideologjike shpeshherë thjesht me shprehjen “we agree to disagree”.
Nisur nga kjo mendësi e kulturë popullore ku gjithçka zhvillohet me ton të ulët dhe me shumë kujdes për të mos prekur ndjeshmëritë e askujt, nuk është çudi që figura si Mark Carney rezonojnë më shumë me shumicën e votuesve: të qetë, të përmbajtur, që premtojnë një jetë me “njëçik kanabis, ndihma sociale” dhe shumë “sorry”.
Në këtë kontekst psikologjik, Pierre Poilievre me stilin e komunikimit të drejtpërdrejtë, energjinë, tonin konfrontues dhe thirrjen për llogaridhënie duket se u perceptua nga ata që nuk e votuan si një figurë “shumë e fortë për shijen kanadeze”. Jo se nuk është i aftë. Përkundrazi. Por sepse politika këtu kërkon gjithmonë një stil që nuk tremb askënd, edhe kur premton ndryshim rrënjësor.
Dhe të mos harrojmë që zgjedhjet u zhvilluan në një periudhë frike e kërcënimesh nga Trump.
Për shumë votues kanadezë, ideja e zgjedhjes së një lideri të fortë, të drejtpërdrejtë si Poilievre u përjetua si një rrezik që duhej shmangur me çdo kusht. Dhe kështu, shumë prej tyre, siç ishin votuesit e Québec, votuan jo për Carney-n, e as për Bloc Quebécois, por kundër asaj që ata imagjinonin se mund të sillte Poilievre; një Trump kanadez, që në të vërtetë nuk ishte.
Në përfundim, në përputhje të plotë me psikologjinë popullore votuesit kanadezë zgjodhën të shmangin ndryshimin, përplasjen, konfliktin e perceptuar, edhe nëse kjo do të thotë të humbin guximin.
Dhe me këtë akt historik, frëngjishfolësit krenarë dhe anglishtfolësit e përmbajtur të Kanadasë, secili në mënyrën e vet të rafinuar, deklaruan njëzëri por pa e ngritur atë: “Better sorry, than change!”
© Jeta Dedja/Flasshqip