Kanada

Mark Carney dhe arti i fshehjes së të vërtetës - Nga Marc-André Leclerc

  • Published in Kanada
Nga: Marc-André Leclerc - Journal de Montreal

Gjatë fushatës për kreun e Partisë Liberale të Kanadasë, Mark Carney u përball me kritika të shumta për mënyrën sesi ka trajtuar të vërtetën - sidomos për rolin e tij në zhvendosjen e selisë së kompanisë Brookfield në New York, menjëherë pas rikthimit të Donald Trump në pushtet.

Edhe pse Carney u përpoq të relativizojë situatën, dokumentet e brendshme dhe email-et e publikuara tregojnë qartë se ai ka pasur një rol aktiv në këtë zhvendosje - një fakt që ai nuk ka mundur ta mbulojë dot me lojë fjalësh.

Një marrëdhënie e komplikuar me të vërtetën

Që në fillimet e tij si politikan, Carney është treguar i ngathët në përballjen me të vërtetën. Kjo prirje është theksuar veçanërisht në deklaratat e tij të fundit për Donald Trump.

Më 28 mars, ai foli publikisht për bisedën e tij të parë telefonike me presidentin amerikan. Sipas tij, ajo ishte pozitive dhe Trump “kishte respektuar sovranitetin e Kanadasë”. Por burime të afërta me zhvillimet tregojnë një tjetër version: Trump e kishte përmendur Kanadanë si një “shtet të 51-të” - një koment më shumë ironik sesa respektues.

Në vend që ta tregonte këtë hapur, Carney u përpoq të shfaqej si një figurë që gëzon respekt në arenën ndërkombëtare. Por përballja e tij me gazetarët, ku shmangte përgjigje të qarta, vetëm sa i shtoi dyshimet, veçanërisht kur ndodhemi fare pranë ditës së zgjedhjeve.

Rezultate zero me Trump-in

Që prej zgjedhjes dhe betimit si kryeministër, Mark Carney nuk ka arritur ndonjë përparim real në marrëdhëniet me administratën Trump. Tarifat tregtare janë ende në fuqi dhe nuk ka asnjë marrëveshje të re që të konsiderohet sukses.

Është e vërtetë që Trump nuk është një figurë e lehtë për t’u menaxhuar, por pretendimi se Carney - apo edhe rivali i tij Pierre Poilievre - mund të sjellin ndonjë ndryshim të madh në këtë marrëdhënie, është më shumë dëshirë se realitet.

Burimi: Journal de Montreal