Tragjedia e Ditës Lapu Lapu në Vancouver: Tetë akuza vrasjeje për Kai-ji Adam Lo
- Published in Kanada

- Nga: Nga Kim Bolan - Vancouver Sun
Një festë në juglindje të Vancouver në British Columbia, u kthye në tragjedi të shtunën në mbrëmje (26.04), kur një automjet hyri mes për mes një grupi njerëzish të komunitetit filipinas gjatë festimeve të Ditës Lapu Lapu, duke shkaktuar vdekjen e 11 personave dhe shumë të plagosur. Hetimet kanë nxjerrë në pah një histori të dhimbshme lidhur me drejtuesin e automjetit, i cili tashmë përballet me akuza të rënda për vrasje.
Kai-ji Adam Lo, 30 vjeç, i ngarkuar tashmë me tetë akuza për vrasje, ka pasur dhjetëra ndërveprime me policinë dhe profesionistët e shëndetit mendor për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikologjike.
Lo, i cili dyshohet se e përplasi qëllimisht turmën gjatë një festivali filipinas në juglindje të qytetit, po përballet me akuzat më të rënda të jetës së tij vetëm një vit pasi kishte humbur tragjikisht vëllain e tij, Alexander Lo, viktimë e një vrasjeje.
Në një platformë për mbledhje fondesh, pas vdekjes së vëllait, Adam Lo shkruante me dhimbje: “Është e vështirë të shprehesh për këtë humbje, por vëllai na u rrëmbye nga një akt i pakuptimtë dhune, diçka që kurrë nuk e kishim parashikuar. Jeta jonë u përmbys papritmas.”
Trupi i Alexander, 31 vjeç, u gjet në një banesë pranë rrugës Knight dhe bulevardit East 33 më 28 janar 2024. Dwight William Kematch, 39 vjeç, u arrestua në vendngjarje dhe u akuzua për vrasje të shkallës së dytë.
Në mesazhet e tij publike, Adam Lo falënderonte komunitetin për ndihmën financiare për shpenzimet e varrimit dhe shprehte keqardhje të thellë që nuk kishte kaluar më shumë kohë me vëllain e tij.
Vetëm disa muaj më vonë, në gusht, ai u detyrua të kërkonte sërish ndihmë nga publiku, pasi nëna e tij kishte tentuar vetëvrasje, e dërrmuar nga dhimbja dhe kërcënimi për të humbur shtëpinë.
Sipas të dhënave të gjykatës, Lo nuk ka precedent penal. Megjithatë, burime të afërta me Postmedia kanë deklaruar se familjarët e tij kishin kërkuar ndihmë në një repart psikiatrik vetëm disa orë para ngjarjes tragjike, duke alarmuar për përkeqësimin e shëndetit të tij mendor. Ai dyshohej se vuante nga deluzione dhe paranojë.
Policia dhe autoritetet e kujdesit shëndetësor kishin ndërvepruar disa herë me të, për shkak të problemeve të tij të rënda mendore.
Ngjarja ka ringjallur debatet për mbështetjen e pamjaftueshme ndaj personave me çrregullime të rënda mendore. Kryeministri i provincës, David Eby, e quajti autorin e sulmit “tejet të sëmurë” dhe theksoi nevojën urgjente për më shumë shërbime të ndërhyrjes paraprake. Megjithatë, Eby theksoi rëndësinë e një hetimi të plotë dhe të paanshëm për të kuptuar shkaqet e tragjedisë. “Sistemet tona të sigurisë dhe të shëndetit duhet të përmirësohen për të parandaluar ngjarje të tilla. Ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje, si nga unë, ashtu edhe nga qytetarët e British Columbia-s, dhe kur të kemi ato përgjigje, do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm për të siguruar që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më”, deklaroi gjithashtu ai.
Burimi: Toronto Sun
Foto: Rich Lam/The Canadian Press; Don MacKinnon/AFP