Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 16 mars 2025

  • Published in Kanada

Winnipeg - Manitoba (Foto Mike Peters)

 

-British Columbia, industria e peshkimit e shqetësuar nga aplikimi i tarifave doganore kineze

-Alberta, kryeministrja Smith ripërsërit kërkesën për zhvillimin e zgjedhjeve federale

-Nova Scotia, nëndetësja e re bërthamore franceze "Tourville" në vizitë promocionale në Halifax

-Quebec, Luc Rabouin zgjidhet pasardhësi i Valérie Plante në krye të Projet Montréal

-Ontario, pezullohen mijëra nxënës shkolle për shkak të mosbërjes së vaksinave

 

British Columbia - Që nga 20 marsi, Kina do të vendosë tarifa doganore prej 25% mbi disa produkte kanadeze, duke përfshirë produktet e detit. Në British Columbia vendosja e kësaj tarife dobëson industrinë e peshkimit tregtar, pasi Kina është një importues i madh i këtyre produkteve. Kina po vendos këto tarifa në përgjigje të tarifave doganore të Kanadasë mbi automjetet elektrike, çelikun dhe aluminin kinez, të miratuara në tetor 2024. Më shumë se 40 lloje peshqish dhe frutash deti do të preken nga këto tarifa, duke përfshirë gaforren, karkalecin dhe moluskët. Për këta të fundit, për shembull, Shoqata e Produkteve të Detit të British Columbia thekson se 95% e moluskëve të mbledhur në këtë provincë eksportohen në Kinë. Christina Burridge, drejtoresha e përgjithshme e Shoqatës, u shpreh e shqetësuar kur mësoi se këto tarifa do të zbatoheshin. Megjithatë, ajo theksoi për CBC se kjo nuk ishte krejtësisht e papritur, pasi që nga vendosja e tarifave doganore nga Kanadaja, industria e produkteve të detit e ka paralajmëruar Ottawa-n se produktet e saj mund të jenë shënjestër e kundërmasave tregtare. “Ndër importet e rëndësishme kineze që mund të ndikojnë Kanadanë, kanola është një shembull i qartë, së bashku me mishin e derrit dhe produktet e detit”, shpjegon ajo. Sipas të dhënave të Statistics Canada, pas Shteteve të Bashkuara, Kina ishte vendi i dytë ku Kanadaja eksportonte më së shumti peshq dhe produkte deti në vitin 2023. Këto dy vende përfaqësonin gati 83% të tregut të eksportit të produkteve të detit të Kanadasë. Në kontekstin e luftës tarifore me Shtetet e Bashkuara, përfaqësuesit e industrisë së peshkimit janë të preokupuar për ndikimin e dyfishtë prej tarifave të reja doganore të Kinës. Në një deklaratë, Departamenti i Peshkimit dhe Oqeanëve të Kanadasë u shpreh se Ottawa shpreson të nisë negociata me përfaqësuesit kinezë për të adresuar shqetësimet e të dyja palëve. Nga ana e tij, kryeministri i British Columbia, David Eby, deklaroi se i ka kërkuar qeverisë federale ta trajtojë çështjen e tarifave kineze me po aq vëmendje sa tarifat amerikane. Sipas të dhënave të vitit 2023 nga Departamenti i Peshkimit dhe Oqeanëve të Kanadasë, në British Columbia, më shumë se 7,500 vetë punojnë në industrinë e peshkimit, dhe 64,400 vende pune në të gjithë Kanadanë varen nga ky sektor.

Alberta - Kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, i kërkoi sërish të premten (14.03.) Mark Carney-t të shpallë zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë që ky i fundit dhe Këshilli i tij i Ministrave sapo ishin betuar. “Detyra e tij e parë duhet të jetë shpallja e zgjedhjeve të përgjithshme,” thuhej në një deklaratë të shpërndarë nga kabineti i saj. “Jam jashtëzakonisht e shqetësuar nga fakti që kjo qeveri përfshin shumicën e ministrave përgjegjës për politikat më të dëmshme qeveritare të imponuara nga Ottawa ndaj Albertës në më shumë se 100 vjet”, lexohej në deklaratën e Smith që ka renditur një listë politikash të dëmshme që kryeministri i ri Carney duhet të rishikojë, duke përfshirë projektin e kufizimit të emetimeve, ndalimin e armëve të zjarrit dhe ndalimin e materialeve plastikë. Gjatë një konference për shtyp për një temë tjetër të njëjtën ditë, kryeministrja e Albertës e përforcoi qëndrimin e saj në lidhje me kryeministrin e ri të Kanadasë, duke cituar politikat problematike të qeverisë federale. “Kryeministri e ka bërë shumë të qartë këndvështrimin e tij për mbajtjen e naftës dhe gazit nëntokë dhe nuk ka asnjë provë që tregon nëse Mark Carney është kundër apo mbështet nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror. Nuk kam parë vërtet ndonjë ndryshim në Këshillin e Ministrave që të më inkurajojë të mendoj se mund të rivendosim marrëdhënien tonë”, theksoi Smith.

Nova Scotia - Në një periudhë tensionesh ndërkombëtare dhe riarmatimi të vendit, një nëndetëse e re bërthamore sulmi franceze ndodhet prej disa ditësh në kuadrin e një vizite të posaçme në portin e Halifax të Nova Scotia, pasi përshkoi për herë të parë Atlantikun. Nëse objektivi kryesor i këtij misioni është testimi i nëndetëses në kushte reale, ushtria franceze nuk e mohoi se qëllimi i vizitës është gjithashtu për të promovuar flotën e saj. Thierry Petit, drejtori i marketingut operacional për nëndetëset në Naval Group - kompania që e ndërtoi këtë nëndetëse - shpreson të sigurojë një kontratë të madhe ndërtimi nëndetësesh nga qeveria federale kanadeze. Kjo kompani është një nga tre ndërmarrjet e interesuara për t’iu përgjigjur një thirrjeje për tender të shpallur nga Ottawa vitin e kaluar. Naval Group, së bashku me konkurrentë të tjerë, ka paraqitur ofertën e vet për ndërtimin e një duzine nëndetësesh që do të operojnë në brigjet perëndimore dhe lindore të Kanadasë. Petit pranoi se ky udhëtim është një mundësi për të takuar Marinën dhe industrinë kanadeze të mbrojtjes. Megjithëse nëndetësja "Tourville" që ka mbërritur në Halifax është me energji bërthamore, ky nuk është tipi i nëndetëses që Kanadaja kërkon të blejë. Verën e kaluar, National Defence shprehu synimin për të blerë 12 nëndetëse me propulsion konvencional, të afta për të lundruar nën akull. Ushtria franceze këmbëngul se vizita e kësaj nëndetëseje nuk ka asnjë lidhje me situatën e tensionuar me Shtetet e Bashkuara dhe kërcënimet e përsëritura të Donald Trump për të aneksuar Kanadanë. Naval Group ka deklaruar se ndërtimi i nëndetëseve mund të zgjasë deri në 10 vjet.

Quebec - Kryetari i minibashkisë Plateau-Mont-Royal, Luc Rabouin, u zgjodh dje (15.03.) kryetar i partisë Projet Montréal me 59,2% të votave në raundin e katërt, duke pasuar kështu kryetaren Valérie Plante në krye të partisë bashkiake që drejton metropolin frankofon prej 8 vjetësh. Kjo e fundit pat njoftuar disa muaj më parë se nuk do kandiudonte për një mandat të tretë në krye të bashkisë së Montrealit. Pjesëmarrja në votim ishte 82%, një nivel historik për Projet Montreal. Kandidatja Gracia Kasoki Katahwa, aktualisht kryetare e minibashkisë Côte-des-Neiges-Notre-Dame-de-Grâce, mori 40,8% të votave në fund të raundit të katërt. 6058 anëtarët e Projet Montréal që ishin regjistruar mundën të votonin paraprakisht më 9, 10 dhe 11 mars, ndërsa votimi zyrtar u zhvillua dje më 15 mars deri në orën 17:00. Rreth orës 20:30, përpara një turme prej rreth 350 vetësh të mbledhur në Entrepôts Dominion, në Saint-Henri, Luc Rabouin u ngjit në skenë për të mbajtur një fjalim, ku foli për krizën e strehimit, ndryshimet klimatike dhe ekonominë. Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë autonomi të metropolit ndaj Québec dhe Ottawa, ndërsa pranoi se duhej të rindërtoheshin marrëdhëniet me qeverinë e Québec-ut. Ai gjithashtu e falënderoi paraardhësen e tij, Valérie Plante. "Ti e ke bërë partinë tonë një parti të vërtetë politike. Ke krijuar një parti të majtë që është e aftë të qeverisë metropolin e Québec-ut. Ke arritur të na ndryshosh drejtimin drejt përfshirjes sociale, tranzicionit ekologjik, pa e braktisur kurrë ofrimin e shërbimeve bazë për popullatën", deklaroi ai, mes duartrokitjeve. Ai gjithashtu vlerësoi cilësinë e propozimeve të katër kandidatëve të tjerë, të cilët i ftoi t’i bashkoheshin në skenë. Luc Rabouin, i cili është kryetar i Plateau-Mont-Royal që nga viti 2019, është gjithashtu përgjegjës për zhvillimin ekonomik dhe tregtar në komitetin ekzekutiv të Bashkisë së Montrealit. Ndër arritjet e tij, përfshihet kthimi në zonë këmbësorësh i rrugës Mont-Royal gjatë periudhës verore, si dhe krijimi i Rrjetit Ekspres të Biçikletave (REV). Gjatë fushatës së tij për drejtimin e Projet Montréal, ai vendosi strehimin në qendër të prioriteteve të tij, por gjithashtu tranzicionin ekologjik, zhvillimin e pjesës lindore të Montrealit dhe menaxhimin e kujdesshëm të financave publike. Në prag të zgjedhjeve të ardhshme bashkiake që do të mbahen në vjeshtë, kryetari i ri paralajmëroi të shtunën anëtarët e partisë: "Me të djathtën që po fiton terren kudo në botë, nuk mund të lejojmë që të tërhiqemi në të drejtat sociale dhe mjedisore" deklaroi ai. Luc Rabouin do të përballet me Soraya Martinez Ferrada, kryetaren e re të Ensemble Montréal, e cila mori drejtimin e partisë opozitare në fund të muajit shkurt. Kryebashkiaku i ardhshëm i Montrealit do zgjidhet më 2 nëntor 2025.

Ontario - 2956 nxënës janë pezulluar kohët e fundit sepse nuk kanë marrë të gjitha vaksinat e detyruara me ligj në rajonin e Hamiltonit në provincën Ontario. Dr. Brendan Lew, mjeku higjenist pranë Shëndetin Publik të Hamiltonit, ka deklaruar për CBC se pezullimet janë rezultat i zbatimit të Ligjit për Imunizimin e Nxënësve. “Kjo masë ka për qëllim të mbrojë më shumë fëmijët nga sëmundjet e përcaktuara sipas këtij ligji, përfshirë difteritin, fruthin, shytat dhe tetanozin”, shpjegoi Dr. Lew. Një email nga zëdhënësja e Bashkisë Hamilton, Lauren Vastano, konfirmon se këto pezullime u zbatuan pas disa paralajmërimeve. Në janar 2025, shërbimet e Shëndetit Publik të Hamiltonit dërguan 8750 letra kontrolli tek nxënësit nga klasa e 9-të deri në të 12-tën, nga gjithsej 26,102 nxënës të regjistruar në shkollat e mesme të dy bordeve kryesore shkollore të rajonit, pasi ata nuk kishin marrë të gjitha vaksinat e detyruara. Sipas faqes së internetit të Shëndetit Publik të rajonit, nëse libreza e vaksinimit të fëmijës tuaj nuk është e përditësuar pas marrjes së letrës së kontrollit, do t’ju dërgohet një letër pezullimi. Kjo letër konfirmon datën e fundit për dorëzimin e librezës së vaksinimit të përditësuar ose një shtyrje, për të shmangur një pezullim nga shkolla. Megjithatë, sipas zëdhënëses Vastano, letrat e pezullimit janë dërguar qysh më 5 shkurt 2025. Më 7 mars, dita e parë e zbatimit të pezullimeve, numri i nxënësve të paralajmëruar kishte rënë nga 8750 në 2956. Për herë të parë që nga pandemia, Shëndeti Publik i Hamiltonit po zbaton Ligjin për Imunizimin e Nxënësve gjatë vitit shkollor 2024-2025. Pezullimi duhet të zgjasë 20 ditë shkollore, përveç nëse Shëndeti Publik pranon një librezë vaksinimi të përditësuar ose nëse nxënësi është i përjashtuar nga rregulli, përmes një deklarate nga një mjek ose infermier i liçensuar që shpjegon se vaksina mund të dëmtojë shëndetin e tij ose se ai tashmë është imunizuar. Mjeku higjenist i Rajonit Lindor të Ontarios, pediatri Dr. Paul Roumeliotis, theksoi për CBC se këto letra pezullimi shërbejnë kryesisht për të inkurajuar prindërit.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Nathan Denette