Doni të votoni për Mark Carney? Vërtet? - Nga Richard Martineau
- Published in Kanada

- Nga: Richard Martineau - Journal de Montreal
Tani na qenkan të gjithë pjesë e Team Canada? Kemi harruar kaq shpejt se ç’do të thotë të jesh kritik, sepse kemi frikë nga ajo që mund të vijë nga jugu?
Një shprehje e vjetër thotë: “të hidhesh në liqen për t’i shpëtuar shiut”. Pikërisht këtë po bëjmë.
Për të mos u gëlltitur nga SHBA, po zhdukemi vetë në gjirin e Kanadasë. Jemi bërë aq të ngazëllyer nga e kuqja, saqë kemi duartrokitur pa pushim kur ekipi kanadez i hokejit mbi akull mundi atë amerikan në turneun e katër kombeve. Edhe pse në listen e lojtarëve kanadeze kishte vetëm një frankofon - që as nuk doli në fushë, pasi ishte... portieri i tretë!
Mrekullia e re federaliste
“Na duhet të ndalojmë Trump,” dëgjohet kudo, por pyetja që shtrohet është: A ndihen më francezë korsikanët prej Trump? A ndihen më anglezë skocezët? A ndihen më spanjollë katalanasit?
Vetëm për faktin se një njeri i papërgjegjshëm mori Shtëpinë e Bardhë, duhet të harrojmë historinë tonë dhe të fshijmë me gomë 200 vite luftë për identitet? Të votojmë për një tjetër ithtar të multikulturalizmit? Për një person që nuk flet gjuhën tonë, që udhëheq një parti që për një dekadë na ka përmbytur me imigracion të pakontrolluar?
Në emër të një rreziku të jashtëm, po na kërkohet të heqim dorë nga të gjitha parimet tona."Duhet të qëndrojmë të bashkuar me pjesën tjetër të vendit..."
Kur, në histori, pjesa tjetër e Kanadasë ka qëndruar e bashkuar me ne? Cila është arsyeja e kësaj dashurie të papritur për federalizmin?
“Duhet t’i lëmë grindjet e vjetra sepse koha është e vështirë,” më thanë dy sovranistë në një emision radiofonik. Po çfarë ka ndryshuar? A ka ndryshuar vetë Kanadaja? A është transformuar federalizmi për shkak të Trump? A u bë papritur Quebec pjesë e natyrshme e mozaikut kanadez? Na u gjet hapesirë brenda fotografisë së përbashkët? Kanadaja pranoi ligjet 21 dhe 96?
Jo! Atëherë për çfarë bashkimi po flasim?
Dorëzimi i armëve
Mjaftoi një shkelje syri nga Ottawa dhe ne u gjunjëzuam si një adoleshente e dashuruar.
“Kam ndryshuar, kthehu! Këtë herë do të të respektoj!” Dhe ne, buzagaz, kthehemi...
Kaq lehtë harrohet historia jonë? Na mjafton një fjongo plastike dhe një kuti çokollata After Eight?
Unë për veten time, nuk zgjedh as SHBA, as Kanadanë. Midis dy të këqijave, zgjedh të mos zgjedh.Nuk dua të jetoj as te babai, as te nëna. Dua të jetoj në shtëpinë time.
“Po Quebec-u është i vogël, s’mund të përballet me një përbindësh si SHBA...” E Danimarka? Norvegjia? Suedia? Të gjithë kombet e vegjël duhet të vetëasgjësohen?
Disa kënaqen që Trump po sfidon sovranitetin e Kanadasë - sepse kështu mund të bashkohen me të pa brerje ndërgjegjeje. Të hedhim armët! Të ndalojmë së qeni ulur në mënyrë të pakëndshme me prapanicën mes dy karrigeve! Të çlirohemi - më në fund - nga pesha e luftës sonë!"
“Nuk është faji ynë... janë rrethanat...” “Doja të bëja jetën time, por ja, situata...”
Le të kthjellohemi! Të përqafojmë federalizmin në këto rrethana, do të thotë të pranojmë të mbetemi gjithmonë në stol. Do të thotë të jemi gjithmonë në pritje që dikush tjetër të na fusë në lojë - në gjuhën e vet.
Burimi: Journal de Montreal