Kanada

Mark Carney, anëtar i klubit misterioz privat Bilderberg, shoqërohet me “elitën e elitës”

  • Published in Kanada
Nga: Jean-François Cloutier - Journal de Montreal

Kryeministri në largim Mark Carney frekuenton që nga viti 2011 një klub shumë privat të përbërë nga liderë politikë, biznesmenë dhe formues të opinionit të zgjedhur me kujdes, klub i cili çdo vit zhvillon një takim me dyer të mbyllura të mbuluar me mister.

Mark Carney ishte pjesë e komitetit drejtues (steering committee) të organizatës transatlantike Bilderberg që nga qershori 2020. Ai u dorëhoq nga ky pozicion vetëm së fundmi, në mes të janarit 2025.

Sipas një zëdhënësi të Bilderberg të kontaktuar nga zyra jonë e hetimit, ai ka marrë pjesë në konferencat e grupit në 2011 dhe 2012, pastaj në 2018 dhe 2019, si dhe nga 2022 deri në 2024.

Gjatë kësaj kohe, ai është takuar me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Donald Trump, në vitin 2019.

"Lista e të ftuarve të Bilderberg lexohet si një katalog konspiracionist i atyre që qeverisin botën", shkruante gazeta The Guardian vitin e kaluar.

Disa nga konferencat e Bilderberg janë zhvilluar në një atmosferë tensioni dhe nën mbikëqyrje policore vitet e fundit, pasi protestuesit kanë kundërshtuar mbajtjen e këtij eventi të diskutueshëm.

Një klub misterioz dhe elitar

I krijuar në vitin 1954, Bilderberg mbledh çdo vit për tre ditë midis 120 dhe 140 persona, kryesisht amerikanë dhe evropianë, të cilët mund të marrin pjesë vetëm me ftesë.

Asnjë procesverbal

Ngjarja vjetore është e mbuluar me mister; nuk ka asnjë procesverbal publik të diskutimeve dhe pjesëmarrësit nuk kufizohen nga funksionet e tyre zyrtare në fjalimet e tyre.

"Nuk ka një agjendë të detajuar, asnjë rezolutë nuk propozohet, asnjë votim nuk bëhet dhe asnjë deklaratë politike nuk publikohet", thuhet në faqen e internetit të Bilderberg.

Klubi e merr emrin nga hoteli Bilderberg në Holandë, ku u mbajt konferenca e parë në vitin 1954. Organizata është kaq sekrete sa nuk ka as logo dhe as imazhe në faqen e saj zyrtare.

“Në kontekstin e një bote të globalizuar, është e vështirë të mendosh për një çështje, qoftë në Evropë, qoftë në Amerikën e Veriut, që mund të trajtohet në mënyrë unilaterale”, thuhet në faqen e saj.

Konferenca e fundit, e mbajtur nga 30 maji deri më 2 qershor 2024 në Madrid, Spanjë, trajtoi tema si inteligjenca artificiale, klima, e ardhmja e luftës, peizazhi politik amerikan, Ukraina dhe bota, Kina dhe Rusia.

Pa qenë anëtarë apo drejtues të klubit si Mark Carney, ish-kryeministrat kanadezë Pierre Elliott Trudeau, Jean Chrétien, Paul Martin dhe Stephen Harper kanë marrë pjesë në konferencat e Bilderberg në të kaluarën.

Rol qendror

Komiteti drejtues, pjesë e të cilit ka qenë Carney dhe që aktualisht përbëhet nga 30 persona, është përgjegjës për përgatitjen e programit të takimit si dhe për përzgjedhjen e pjesëmarrësve.

Sipas gazetës britanike The Independent, është ky komitet që kontrollon agjendën dhe vendos listën e pjesëmarrësve. Ai zgjedh temat që do të diskutohen dhe nga kush do të trajtohen,

Në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Mark Carney nuk kishte dhënë ende një reagim.

Disa nga pjesëmarrësit në vite

HENRY KISSINGER

Ish-diplomati dhe Sekretari i Shtetit i SHBA mori pjesë në shumë konferenca Bilderberg që nga viti 1957, deri në vdekjen e tij në moshën 100-vjeçare në 2023. I ftuar për herë të parë nga David Rockefeller, ai thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe qendror brenda Bilderberg, edhe pse nuk e ka përmendur asnjëherë në librat e tij.

DAVID ROCKEFELLER

David Rockefeller, nga familja e njohur që u pasurua nga industria e naftës, mori pjesë në konferencën e parë të Bilderberg dhe më vonë ishte pjesë e një këshilli të konsideruar si një lloj “Sallë e Famës” e klubit. Ai ishte një nga promovuesit kryesorë të Bilderberg në SHBA.

KLAUS SCHWAB

Themeluesi i Forumit Ekonomik Botëror të Davosit ka qenë një ish-anëtar i komitetit drejtues të Bilderberg dhe e konsideron Henry Kissinger si mentorin e tij.

JARED KUSHNER

Jared Kushner, dhëndri dhe ish-këshilltari i Donald Trump, ishte i ftuar në Bilderberg në vitin 2019.

MICHAEL SABIA

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Caisse de dépôt et placement du Québec dhe aktualisht kreu i Hydro-Québec, Michael Sabia, mori pjesë në konferencën Bilderberg në vitin 2017, së bashku me ish-ministrin e Financave Bill Morneau, CEO-n e Royal Bank David McKay, CEO-n e Indigo Heather Reisman dhe CEO-n e Loblaw Galen Weston.

DOMINIQUE ANGLADE

Ish-ministrja dhe ish-liderja liberale e Québec ishte pjesë e edicionit të vitit 2018 të Bilderberg, së bashku me ministrin federal François-Philippe Champagne.

CHARLES EMOND

Kreu i Caisse de dépôt du Québec mori pjesë në konferencën Bilderberg në vitin 2022.

Burimi: Journal de Montreal

Foto: Chris Young/CP Images