(D)Rama që i lëndon shqiptarët - Nga Vangjush Saro

Epo, e them që në fillim, jeta në Shqipëri është një dramë; sidomos ajo e grave dhe vajzave. Përmirësimet në jetën e tyre (krahasuar me kohë të tjera) janë shumë të pakta. Atje ku ka halle, atje ku ka dhunë, atje ku ka mungesë ndjeshmërie njerëzore, janë pikërisht gratë dhe vajzat. Dhe të rrahësh gjoksin se i ke ato në fokus, kurse realiteti bërtet pak ndryshe, kjo shkon përtej të gjitha llojeve të artit dramatik. Kjo bëhet edhe farsë. Dukurisë i shkon natyrshëm ajo situata groteske që na e vizaton aq mjeshtërisht G. Grin te “Komedianët”: Zj. Smith, gruaja e ish-kandidatit për president, z. Smith - vegjetarianë e ëndërrimtarë - pasi kishte ngrënë grushtin e një polici, thoshte: “Ai vetëm sa më shtyu…”
Mbase tubimi (vetëm) i femrave - një precedent që s’është parë kurrë më parë, jo vetëm në Shqipëri, por askund gjetkë - iu desh kësaj fushate për ca pikë më shumë. Mirëpo realisht, qasja në to, duket vërtet si njëlloj shpulle; ndaj tyre e ndaj çdo qytetari. Në këto mitingje, me gjasë duke “vlerësuar” femrat, z. Kryeministër shumëfishon ato pak akte të mirëqena - nëse mund ta themi kështu - duke u fokusuar në angazhimin e tyre në politikë e në administratë; gjithnjë në kuadër të përrallës me kapituj (që shumëkush s’i merr vesh) dhe me atë pranimin në BE (që tash është bërë një histori bajate). Dhe ndërkaq, me raste, fyerjet fluturojnë mbi kokat e zgjedhësve si zogj ogurzinj.
Por fundja, çfarë u ka ofruar grave dhe vajzave politika e këtyre dekadave, për më shumë e këtyre dymbëdhjetë vjetëve që vendin e ka drejtuar PS-ja dhe z. Rama? Thuhet se janë aktivizuar ato në administratë, në qeveri, në Parlament. E para, ky është një trend i kohës, madje një kërkesë legjitime në vende që aspirojnë demokraci. Së dyti, një pjesë e grave të përkëdhelura nga pushteti nuk përfaqësojnë asfare këtë shtresë ndër më të përvuajturat në shoqërinë shqiptare. Gratë e përkëdhelura të administratës dhe qeverisë janë ato që disa programe televizive investiguese i kanë sfiduar duke u kërkuar të tregojnë sa (por edhe si?) i kanë blerë çantat, veshjet dhe aksesorët e tjerë, teksa vijnë nëpër mbledhje sikur të ishin milionere apo gra milionerësh. Së treti dhe së fundmi, përse u dashkan veçuar ato nga gjinia tjetër dhe ç’kuptim kanë këto salla apo oborre mitingjesh vetëm me gra?
Nuk di nëse mund të quhen sjellje të tilla: arritje apo… mani, përqeshje, mungesë klasi… Por mund të them me bindje, nga sa kemi parë e lexuar, nuk gjenden episode të tilla në asnjë lloj fushate apo beteje politike, jashtë dhe brenda vendit. I bie që z. Rama bën gjithnjë “çudira”, gjëra të papara, të pazakonshme, njësoj si paraqitja e tij në mbledhje të rëndësishme me atlete dhe shallvare. Më kujtohet, në bisedë e sipër në një TV, një gazetar që për vete është snob, i foli atij për këto mani (kryesisht në veshje) dhe kryeministri e tribloi sakaq… jo po merreni me vogëlsira, jo po vini anës e anës… Pastaj, duke e parë që me snobët duhet ta kesh mirë muhabetin, këtë gazetarin ai e dërgoi diku amabasador. (Tani, e ka lënë ambasadën, më duket.)
Ani. Thelbi është që njerëzit u lodhën nga këto sjellje vanitoze dhe nga këto episode qesharake. Tashmë ato janë kthyer në dramë; dramë e grave dhe e burrave të lodhur premtimesh dhe mosrealizimesh, dramë e qytetarëve të zhgënjyer dhe të pashpresë, pavarësisht skenarëve “ambiciozë” të kryetarit të PS-së dhe të politikanëve në përgjithësi. Shumica e këtyre mitingjeve shkon me gallatë, me ironira, me kalambure dhe me lloj-lloj lojëra fjalësh të fjalimembajtësit; kurse njerëzit presin të mësojnë si mund të zhvillohet më mirë Ekonomia e vendit, si mund të përmirësohen Arsimi e Shëndetësia, si mund të ndreqet sadopak Rendi…
Me kë e ke? Mbledhim një tufë gra e vajza dhe bëjmë estradë. Kjo është së fundi çfarë mund të veçohet nga fushata zhurmuese e PS-së dhe liderit të saj, z. Rama. Problemi që, edhe duket, edhe s’duket, është te kokëulja përpara autoritarizmit dhe gënjeshtrave. Dhe këtu, na vjen në ndihmë një personazh i F. Dostojevskit, që na kujton pak a shumë kështu: “Thonë që zogu fluturon vetë për te gjahtari.”
Por gjithsesi, punë dreqi me të gjithë gjahtarët dhe zogjtë…
© Vangjush Saro - Vancouver