Kanada

Liberalët dhe një kërcënim serioz për Kebekun - Nga Mario Dumont

  • Published in Kanada

Klauzola përjashtuese po vihet në dyshim si asnjëherë më parë

Nëse do t’ju thosha se klauzola përjashtuese është një nga çështjet më të rëndësishme të kësaj fushate zgjedhore, ndoshta do të mendonit se jam i fiksuar pas detajeve teknike. Apo që merrem me gjëra pa interes. Por ju ftoj t’i kushtoni pak kohë leximit...

Në vitin 1982, Pierre Elliott Trudeau ndryshoi bazat themelore të Kanadasë. Ai miratoi një kushtetutë të re (pa miratimin e Kebekut), e cila përfshinte Kartën e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Qëllimi dukej fisnik. Pas miratimit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, shumë vende synonin të prezantonin standardet më të larta në këtë fushë. Edhe Kebeku kishte miratuar një kartë të vetën.

Por problemi qëndronte te mënyra si kjo nismë, ndonëse me qëllime të mira, e ndryshoi rrënjësisht vendin. Ligjvënësit e asaj kohe krijuan një kartë të të drejtave pa përfshirë konceptin e përgjegjësisë qytetare. U hodhën bazat për një shoqëri ku të gjithë kërkojnë të drejtat e tyre, por pak kush ndjen përgjegjësi për të tjerët apo për shoqërinë.

Për më tepër, kjo solli mbizotërimin e të drejtave individuale, shpesh në dëm të të drejtave kolektive. Po si mbrohet një pakicë gjuhësore që kërkon të ruajë gjuhën dhe kulturën e saj? Në një shoqëri me imigrim të lartë, a nuk ka të drejtë komuniteti pritës të mbrojë parimet themelore, si laicitetin, në institucionet e tij?

Gjykatësit që qeverisin

Një tjetër pasojë e Kartës ishte fuqizimi i gjyqësorit përtej parashikimeve fillestare. Që nga momenti kur Karta u vendos mbi të gjitha ligjet, gjykatësit morën pushtetin për të rrëzuar ose ndryshuar ligjet e miratuara nga parlamentet. Kështu, vullneti i votuesve shpesh anashkalohet.

Me kalimin e viteve, gjykatat kanë zgjeruar fushëveprimin e të drejtave në mënyrë të jashtëzakonshme. Për shembull, Karta garanton të drejtën e sindikalizimit - një e drejtë themelore për punëtorët që duan të organizohen. Por, me vendimet e shumta që kanë pasuar ndër dekada, Gjykata e Lartë përfundoi duke nxjerrë një sërë të drejtash sindikale, duke përfshirë edhe të drejtën për grevë si të paprekshme. Në këtë mënyrë, parlamenteve u është hequr e drejta për të miratuar ligje për kthimin në punë, edhe kur shoqëria dhe sherbimet publike dëmtohen rëndë.

Karta garanton gjithashtu lirinë e fesë. A është nevoja t’ju përmend të gjitha rastet e akomodimeve dhe privilegjeve që janë dhënë në emër të kësaj lirie? Vetëm në dy shembujt e mësipërm, shihet se si gjykatësit kanë ndërtuar një rend të ri shoqëror mbi bazat e Kartës. Deputetët që e votuan Kartën në vitin 1982 nuk mund t’i kishin parashikuar këto pasoja.

Fatmirësisht, kryeministrat e provincave kërkuan një klauzolë përjashtuese, si kusht për të pranuar Kartën. Kjo klauzolë i jep një parlamenti të drejtën që, përmes një ligji të posaçëm, të përjashtojë veten nga zbatimi i ndonjë neni të Kartës. Asambleja Legjislative e Kebekut e ka përdorur këtë klauzolë për të mbrojtur, ndër të tjera, Ligjin 101 për gjuhën frënge.

Sot, klauzola përjashtuese po vihet gjithnjë e më shumë në dyshim, veçanërisht nga Partia Liberale e Kanadasë dhe nga shumë media të Kanadasë anglishtfolëse. Por pa këtë mburojë, Kanadaja rrezikon të kthehet në një kornizë ligjore të ngurtë e të papërshtatshme për realitetet e Kebekut.

Burimi: Journal de Montreal

Foto: Juilien Fougere