Drejtuar nga Mark Carney: Brookfield, një përbindësh me shumë tentakula dhe hije dyshimi
- Published in Kanada

Nga Anne Caroline Desplanques, Jean-François Cloutier dhe Philippe Langlois - Journal de Montreal
Deri më 15 janar 2025, lideri i Partisë Liberale të Kanadasë, Mark Carney kryesoi bordin drejtues të njërës prej kompanive më të mëdha në vend. Pavarësisht rëndësisë së tij të madhe ekonomike, gjiganti Brookfield është një kompani jo shumë transparente dhe pak e njohur nga publiku i gjerë. Larg të qenit pa hije dyshimi, Brookfield i ka shtrirë tentakulat në shumë sektorë. Zyra jonë e hetimeve ka identifikuar aspekte të debatueshëm dhe problematikë të kësaj kompanie gjatë kohës që aspiranti për kryeministër e ka drejtuar atë.
Zero taksa për tre vjet
Sipas bilanceve të saj financiare, Brookfield Asset Management Ltd. (BAM), e drejtuar nga Carney deri në janar, nuk ka paguar asnjë qindarkë taksë për tre vjet. Gjatë të njëjtës periudhë, BAM regjistroi fitime neto të grumbulluara prej më shumë se një miliard dollarësh amerikanë. Ekspertja e taksave Brigitte Alepin, profesoreshë në Universitetin e Québec në Outaouais, thekson se taksat paguhen diku tjetër brenda Brookfield, por struktura komplekse e kompanisë, me disa entitete në vende të ndryshme, e bën analizën e saj pothuajse të pamundur për një të jashtëm. Ajo vlerëson se Carney i detyrohet publikut disa shpjegime, veçanërisht për shkak se Brookfield shfaqet shumë e pranishme në parajsat fiskale si Bermuda, Barbados dhe Ishujt Kajman. Jo më pak se 14 kompani të lidhura me Brookfield shfaqen në Pandora Papers të Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë.
Qiramarrësit të kërcënuar me dëbim në SHBA
Banorët e një ndërtese të zotëruar nga Brookfield në lagjen më të varfër të San Franciskos refuzojnë të paguajnë qiranë e tyre për më shumë se një vit.
Ata akuzojnë kompaninë se imponon rritje abuzive të qirasë ndërsa e lë ndërtesën në gjendje të mjerueshme. Komiteti për të drejtat e banimit në San Francisko ka identifikuar praktika të lidhura me "renoviction" (dëbim për shkak të rinovimit).
Ashensor i prishur, probleme me sistemin hidraulik, energjinë elektrike, myk, mbeturina, minj etj., çdo gjë po bëhet për të detyruar banorët të largohen, gjë që i lejon pronarit të rinovojë apartamentet bosh për t’i dhënë me qira më shtrenjtë për qiramarrësit e rinj.
Dhe kur këto metoda nuk funksionojnë, pronari thjesht dërgon njoftime për dëbim. Kjo është ajo që Brookfield bëri kundër gjashtë qiramarrësve që ishin në grevë pagese në dhjetor.
Brookfield nuk u dha përgjigje pyetjeve tona në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Brookfield dhe partneri i saj Ballast Investments janë pronarët më të mëdhenj të apartamenteve në San Francisko.
Pylli brazilian i shkatërruar
Sipas një analize satelitore të kryer nga organizata mjedisore Global Witness, Brookfield është konsideruar përgjegjëse për shkatërrimin e 9000 hektarëve të savanës braziliane për të mbjellë sojë midis viteve 2012 dhe 2021,
Përveç lëshimit të 600 000 tonëve CO2, ky operacion masiv i shpyllëzimit ka shkatërruar një pjesë thelbësore të biodiversitetit të Brazilit. Savana braziliane, e quajtur Cerrado, strehon 5% të biodiversitetit botëror dhe është burimi i tetë nga dymbëdhjetë pellgjet ujore të vendit.
Praktikat e kompanisë në këtë vend janë në kontrast me imazhin e një financuesi të gjelbër që dëshiron të projektojë Mark Carney, ish-i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për financimin e veprimit klimatik.
Gjatë publikimit të hetimit nga Global Witness, Brookfield deklaroi në raportin e vet vjetor: "Ne operojmë sipas standardeve më të larta etike, duke zhvilluar biznesin tonë me integritet".
Brookfield ka financuar Elon Musk
Një filial i Brookfield Asset Management dha 250 milionë dollarë amerikanë për të ndihmuar multimiliarderin Elon Musk të blinte rrjetin social Twitter (tani i riemërtuar X) në vitin 2022. Që në atë kohë, Twitter kritikohej për dezinformimin e përhapur në platformë, dhe situata vetëm sa është përkeqësuar që atëherë.
Sipas Bloomberg, ky financim ishte rezultat i një marrëdhënieje të gjatë biznesi midis Brookfield dhe Musk. "Jemi të emocionuar që mund të financojmë përsëri Elonin", komentoi një drejtues i Brookfield. Bloomberg vuri në dukje se ky ishte çeku më i madh që filiali i Brookfield kishte lëshuar ndonjëherë dhe se ai ndryshonte nga llojet e financimeve që kompania zakonisht ofron.
Akuza për kontabilitet kreativ dhe qarkullues
Në mars të vitit 2025, gazeta e njohur britanike Financial Times publikoi një hetim të gjatë që ngrinte pyetje mbi mënyrën se si Brookfield regjistron të ardhurat dhe fitimet e saj. Raporti theksonte se kompania kishte kryer disa herë vitin e kaluar shitje të pasurive të paluajtshme midis filialeve të saj, domethënë, ku ajo ishte njëkohësisht blerësi dhe shitësi.
Kjo i mundësonte potencialisht kompanisë të manipulonte artificialisht vlerën e pronave të saj në treg.
"Brookfield përdor kompanitë e saj të sigurimeve si një mjet për të hequr qafe asetet, në një kontekst të dukshëm tregu të vështirë, dhe këtë e bën me vlerësime relativisht të larta", komentoi Dimitry Khmelnitsky, kreu i kërkimeve në Veritas Investment Research.
Një tjetër analist i cituar e quan këtë një paraqitje mashtruese të informacionit.
E pyetur nga zyra jonë e hetimeve, Brookfield hodhi poshtë përfundimet e Financial Times: "Ne i publikojmë të gjitha informacionet përkatëse në mënyrë transparente në raportet tona, të cilat tregojnë shumë qartë se kompania jonë menaxhohet në mënyrë të përgjegjshme dhe se performanca jonë shumëvjeçare për aksionerët dëshmon vërtetësinë e modelit tonë".
Selia e zhvendosur në Nju Jork
Në fund të tetorit 2024, Brookfield Asset Management njoftoi se kishte ndërmend të zhvendoste selinë e saj nga Toronto në Nju Jork, për të tërhequr më shumë investitorë ndërkombëtarë.
Carney tha se vendimi zyrtar për zhvendosjen ishte marrë pas largimit të tij nga firma në janar 2025, por në një letër të datës dhjetor 2024, ai e rekomandonte qartë këtë zhvendosje.
Debitore ndaj Kinës
Kreu konservator Pierre Poilievre pohoi këtë javë se Brookfield ka marrë një hua prej 276 milionë dollarësh nga Banka e Kinës vjeshtën e kaluar.
"Tani ai është broxhli ndaj një regjimi të huaj armiqësor. Dhe interesat e tij janë në kundërshtim me ato të Kanadasë", deklaroi ai për Mark Carney.
Në maj 2024, CEO i Brookfield, Bruce Flatt, e quajti mundësinë e biznesit në Kinë si "fantastike". Duhet thënë se Brookfield investon masivisht në sektorin e energjisë së rinovueshme në këtë vend.
Firma deklaron se ka 18 miliardë dollarë amerikanë në asete atje, veçanërisht në sektorin e energjisë së erës dhe asaj diellore. Ajo investon gjithashtu në pasuri të paluajtshme, përfshirë Shangain.
Kjo e vendos Mark Carney-n në marrëdhënie të mira me presidentin kinez Xi Jinping, i cili e ftoi atë në vitin 2024 në një takim me njëzet biznesmenë të përzgjedhur. Qëllimi ishte të tërhiqeshin investime të huaja.
Megjithatë, kandidati liberal deklaroi këtë javë se dëshiron të diversifikojë shkëmbimet tona tregtare me partnerë që ndajnë vlerat tona, në Evropë dhe Azi. "Por partnerët që ndajnë vlerat tona në Azi nuk përfshijnë Kinën", saktësoi ai.
Çfarë është Brookfield?
-Një kompani investimesh me 1000 miliardë dollarë asete nën menaxhim;
-Kapitalizimi në Bursë: 117 miliardë dollarë;
-250,000 punonjës në mbarë botën;
-Aktive në shërbime financiare, pasuri të paluajtshme dhe energji të rinovueshme, ndër të tjera.
Burimi: Journal de Montreal
Foto: AFP