Një paralele mes sindromës së gruas së rrahur dhe shoqërisë shqiptare - Nga Jeta Dedja

- Nga: Jeta Dedja - Montreal
Në psikologji, një nga modelet më të dokumentuara të traumës është sindroma e gruas së rrahur, e cila shpesh qëndron në një marrëdhënie abuzive për një kohë të gjatë. Kjo ndodh jo sepse ajo nuk e kupton dhunën, por sepse abuzimi ka krijuar një realitet të shtrembëruar ku ndëshkimi, faji dhe nënshtrimi bëhen norma. Ky mekanizëm mbijetese, i quajtur “learned helplessness” ndodh kur viktima mëson se pavarësisht se çfarë bën, nuk mund të ndryshojë realitetin e vet. Ajo dorëzohet emocionalisht, shpesh duke e racionalizuar ose justifikuar dhunuesin.
Kjo sjellje është paralelja më e frikshme me atë që ndodh në Shqipëri. Shoqëria është kapur në një cikël abuzimi kolektiv, ku viktima nuk është më vetëm individi, por populli.
Ashtu si gruaja që fillon të besojë se “ai më rreh sepse më do”, një pjesë e shqiptarëve thonë: “Të gjithë janë njësoj”, ose më tronditësja: “Po nuk vodhi ky, do vjedhë dikush tjetër”. Këto janë racionalizime klasike që hasen tek viktimat e dhunës.
Dhunuesi krijon një realitet ku ai është i pazëvendësueshëm. Ai mund të abuzojë në publik, të përdorë arrogancën si virtyt, të shantazhojë emocionalisht popullin me frikën e “Bufit” nëse ai largohet. Dhe si në çdo marrëdhënie abuzive, dhunuesi përdor kontrollin, frikën, apo varësinë për të ruajtur pozicionin e tij.
Por një shoqëri e tërë nuk mund të shërohet në heshtje. Duhet ndërgjegjësim kolektiv, edukim emocional. Sepse kur një popull voton përsëri për figurën që e fyen, e përçmon dhe e manipulon, nuk kemi të bëjmë me zgjedhje të lirë, kemi të bëjmë me psikologjinë e traumës së pazgjidhur.
Megjithatë ka një zgjidhje. Nesër votohet. Dhe jo, nuk është thjesht një ushtrim teknik me fletë dhe kuti. Është momenti kur një shoqëri ka shansin të thotë: “Boll”.
Se kur një grua largohet nga një marrëdhënie abuzive, e para gjë që rifiton është zëri i saj.
Nesër, zëri yt është vota.
Mendo pak, ke shansin ta përdorësh për të përmbysur nga froni njeriun që të ka dhunuar sistematikisht!
© Jeta Dedja/Flasshqip.ca