Mesazh për miqtë në Shqipëri: Votoni për ndryshim! - Nga Endrit Mullisi

- Nga: Endrit Mullisi - Toronto
Të dashur miq të Shqipërisë,
Këtë fundjavë do të votoni për ata që do ta drejtojnë vendin për katër vitet e ardhshme. Mos harroni: vota juaj ka fuqi - dhe me fuqinë vjen edhe përgjegjësia.
Disa gjëra janë përmirësuar gjatë këtyre viteve - kjo është e njohur. Por shumë të tjera, që duhej të ishin bërë, nuk janë bërë. Përgjegjësia bie mbi ata që kanë qenë në pushtet.
Mos harroni:
Pse ende nuk ka ujë 24 orë në shumicën e qyteteve që njohim?
Pse një pjesë e premtimeve zhduken sapo mbarojnë fushatat?
Pse kaq shumë shqiptarë kanë ikur, dhe kaq shumë të tjerë duan të ikin?
Sepse për 30 vite, Shqipëria është drejtuar nga të njëjtat fytyra, me fjalë të reja por me të njëjtën filozofi: të mbahet pushteti, jo të shërbehet qytetari.
Mos harroni, të gjithë zyrtarët që kanë arritur të arrestohen apo gjykohen, janë pjesë e të njëjtës vathë me ata që ende kullosin të lirë. Shoket e tyre, ende të pakapur, ose se jane shume të zgjuar, ose se nuk ka korrupsion në nivel haleje, ose mbrotja nga nivelë më të larta ua a ka mundësuar.
Disa do të votojnë për të ruajtur vendin e punës. Të tjerë për të kapur një vend pune. Ky është realiteti i hidhur i një sistemi që ka prodhuar varësi, jo shpresë.
Por për ju të tjerët, që ende keni zë të lirë dhe ndërgjegje të pastër, mos harroni:
Mos lejoni që kujtesa t’ju fshihet nga premtime të freskëta.
Mos besoni që “ujku ka ndërruar qimen”, edhe kur rrethohet me dele për publicitet.
Mos jepni votën tuaj për një sistem që ka treguar se nuk ka ndërmend të ndryshojë.
Nëse vërtet dëshironi të trondisni sistemin dypartiak që e ka zhgënjyer këtë vend për tri dekada, votoni ndryshe. Nuk ka garanci që alternativat janë më të mira - por ka shpresë që një votë ndryshe është një sinjal për zgjim. Nëse nuk ndodh tani, pas katër vitesh do të jetë edhe më e vështirë - sepse edhe më shumë shqiptarë do të kenë ikur.
Është e vërtetë që “me kashtën digjet edhe bari i njomë” - ndoshta do të donit të votonit disa njerëz të mirë brenda partive të mëdha. Por mos harroni: ata njerëz të mirë kanë heshtur përballë padrejtësive, mashtrimeve dhe abuzimeve të drejtuesve të tyre. Heshtja e tyre nuk i bën më të pafajshëm ndërsa planifikojne të punojnë në skuadra me ata që nuk kanë kërkuar ndonjëherë falje për përgjegjësinë e tyre ndaj largimit masiv të shqiptarëve.
Për 30 vite kemi votuar partitë, jo kandidatët. Ndoshta ka ardhur koha të mos votojmë më për logon, por për ndryshimin që duam të shohim. Ndoshta është koha për një shkundje të fortë politike, një “anarki e ndërgjegjshme” që dërgon mesazhin: “kështu nuk vazhdohet më”, dhe “ti nuk e ke te garantuar voten time”.
Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër rotacion. Ka nevojë për një zgjim.
Votoni me ndërgjegje, votoni me kujtesë, votoni për ndryshim!
Sepse diaspora nuk kthehet vetëm për rrugë të asfaltuara në qytetet kryesore - por për një Shqipëri që ka përmirësuar infrastrukturën e të menduarit.
Të gjithë atyre që do të jenë në komisionet e votimit dhe do të përfshihen në parregullsi, që nga votimi për shqiptarët si unë që nuk jetojmë aty apo keqnumërim të votave, nga shpirti iu them : “ju thafshin duart me të cilat do të bëni atë që është e padrejtë. Mos paçi sukses me planet tuaja dhe ju ardhtë mbrapsht për atë që doni t'i bëni popullit. Mos i gëzofshi përfitimet që do të merrni nga përfshirja në padrejtësi”!
© Endrit Mullisi - Toronto