Kebeku në kolaps - Nga Richard Martineau
- Published in Kanada

- Nga: Richard Martineau - Journal de Montreal
Një mik sovranist më qortoi ditët e fundit sepse sipas tij, jam tepër pesimist kur flas për Kebekun. Që vë shumë theks te gjërat që nuk shkojnë, dhe jo mjaftueshëm te ato që shkojnë. Që nuk ka dobi të përhapësh pesimizëm, se kjo na paralizon, na demoralizon dhe na heq çdo dëshirë për të ecur përpara.
E di, Joseph, ndoshta ke të drejtë. Ndoshta herë pas here duhet të përpiqem ta shoh gjithçka me syze rozë.
Por çfarë të bëj, gjithçka rreth meje më shtyn të jem pesimist. Gjithçka. Sistemi shëndetësor, infrastruktura, ndërtimi, arsimi, financat...
Si mund të jesh optimist kur sheh Kebekun, Joseph?
Kostot sa qimet e kokës
Ja, po përgatitemi të ndërtojmë qendra të reja për të moshuarit. Çdo apartament i vogël do kushtojë 1.8 milionë dollarë për t’u ndërtuar. Një milion e tetëqind mijë dollarë!
Mund të më thuash si është e mundur kjo? Do të jenë muret të mbuluara me ar? Tualetet prej mermeri?
Kryebashkiakja e Longueuil deklaroi ditë më parë se për të zëvendësuar një semafor në një kryqëzim kostoja do jetë një milion dollarë! Jo dhjetë semaforë, jo, një të vetëm!
Sa herë ndërtojmë diçka në Kebek, qoftë edhe një kasolle apo një dollap për fshesat, kushton sa qimet e kokës! Dhe gjithmonë përfundojmë duke e tejkaluar buxhetin dhe afatet e planifikuara!
Në Kebek jemi kampionët e grevave. Tatimpaguesit më të taksuar e më të ngarkuar me taksa. Të sëmurët që presin më gjatë në urgjencë.
REM (Rrjeti ekspres metropolitan) shpesh nuk funksionon. SAAQ (Enti i Mjeteve të Transportit Rrugor) po ashtu. Spitali Maisonneuve-Rosemont është në kolaps.
Sa herë që bëjmë një projekt informatik, rezulton një rrëmujë totale. Nuk jemi në gjendje të lidhim një PS4 pa shkaktuar një djegie transformatori.
Rrugët tona janë gjithë gropa. Shkollat me lagështirë. Stacionet e metrosë, kolegjet dhe spitalet po rrënohen. Dhe ti më kritikon që jam pesimist?
Më thuaj: çfarë funksionon mirë në Kebek?
Më thuaj një gjë, vetëm një gjë që shkon mirë në Kebek dhe të betohem, do të ngjitem në majë të urës Pierre-Laporte dhe do t’ia marr këngës!
Rrëzëllitje rozë
Joseph, votojmë për Partinë e Kebekut në nivelin provincial dhe për Carney-n në nivel federal. Pastaj çirremi pse anglishtfolësit nuk na marrin seriozisht.
Duam një Kebek të pavarur brenda një Kanadaje të bashkuar. Të marrim më shumë shërbime, por të paguajmë më pak taksa.
Ende pretendojmë se sistemi ynë shëndetësor është falas, kur në fakt na kushton 54 miliardë dollarë në vit!
Çdo mëngjes i them vetes se do jem optimist dhe çdo mbrëmje bie në shtrat i pezmatuar.
Më thuaj ku i ke blerë syzet e tua rozë, Joseph, dhe do të shkoj t’i blej dhe unë. Do t'i marr të mëdha si ato të Elton John.
Kebek do më duket rozë, si Barbie apo si Mado Lamotte. Spitullaq i pispillosur.
Pyesim veten pse njerëzit marrin aq shumë antidepresivë. Në fakt e kundërta do të na çudiste më shumë. Si mund t’i shtyjmë ditët tona pa qenë të trullosur?
Të kujtohet zënka për ngjyrën e margarinës, Joseph? Zgjati 21 vjet. Nga 1987 deri në 2008. U përfshi dhe Gjykata e Lartë e Kanadasë në atë çështje. Vetëm e vetëm për të vendosur nëse margarina duhet të jetë e bardhë apo e verdhë.
Para disa ditësh, një ministër u desh të ndërhynte për të na thënë se është në rregull të shprehemi “Go, Habs, Go!”.
Dua të jem në humor të mirë... Por ndihmomëni, dreqi ta hajë!
Carney Superstar?
Sipas shumicës së komentatorëve, Mark Carney e fitoi përballjen e tij të parë kundër Trump-it: “Nota 10!”, “Carney 1, Trump 0!”
Më lejoni të shpreh një rezervë në këtë koncert lavdërimesh.
“Trump nuk e ofendoi!” - thonë.
Vetëm kaq? Duartrokasim me zjarr thjesht sepse kryeministri ynë nuk u ofendua?
Në fakt e dime që në Kebek duartrokasim sa herë që avioni nuk përmbyset mbi pistë dhe ngrihemi në këmbë në çdo shfaqje, edhe në ato më të mërzitshmet!
“Carney i tha Trump-it se Kanadaja nuk është për shitje!” Shpresoj! Është minimumi që mund të thuash, apo jo?
Celularët: kam të drejtë!
Disa nxënës duan të bëjnë grevë për të pasur të drejtën të përdorin celularët në shkollë. Korporata miliardëshe kanë krijuar objekte që i bëjnë të rinjtë të varur, dhe këta të rinj ngrihen kundër atyre që përpiqen t’i mbrojnë! Wow.
Më flisni për një grevë më të dobishme! Fjala bie, kur do të kemi një grevë për të pasur të drejtën të pimë duhan apo crack, miq? Për të pasur të drejtën të pasurojmë korporata që po na shkatërrojnë shëndetin mendor?
Një ese mbi këtë fenomen u shkrua qysh më 1574: Diskurs mbi skllavërinë vullnetare.
I papërgjegjshëm, vërtet?
Një person që vrau me thikë nënën dhe një fqinjë vitin e kaluar, me gjasë do të shpallet penalisht i papërgjegjshëm. Sepse ai vuante nga skizofrenia dhe refuzonte të mjekohej.
Ju bëj një pyetje etike:
A nuk duhet të shpallet përgjegjës për krimet që kryen një person në një gjendje deliri, i cili ka refuzuar me vetëdije të marrë ilaçet?
Në fund të fundit, ishte PËRGJEGJËSIA E TIJ t’i merrte ato medikamente, apo jo?
E pamundur t’i kalojmë 24 orë në ditë me të për të kontrolluar nëse i ka pirë apo jo pilulat!
Burimi: Journal de Montreal