Kolumnist

Shyqyr që jemi ndryshe! - Nga Andi Bejtja

Jo pak kolegë gazetarë që kanë kaluar kufirin me Serbinë, përveçse ankohen publikisht, më marrin edhe në telefon dhe më tregojnë me zemërim se si janë kontrolluar fije për fije nga policia serbe, deri edhe në trup; si janë mbajtur katër orë, e kështu me radhë.

Në fund dalin në përfundimin se “kështu duhet t’ua bëjmë edhe ne gazetarëve serbë kur vijnë në Shqipëri, kështu duhet të sillet edhe policia jonë”, për të vijuar më pas me refrenin e zakonshëm se “nuk kemi shtet” e të tjera si këto.

O Zot, shyqyr që jemi ndryshe!

E them fare hapur - dhe merreni si të doni, për ters apo jo - më mirë pranoj një polic që të merr edhe ndonjë pako cigare kur kalon kufirin, sesa një polic që, me urdhër të pashkruar, të mban me orë të tëra në shenjë represioni, kot më kot...

Dy herë më shumë: shyqyr që jemi ndryshe!

Edhe kur vijnë shqiptarë nga Beogradi me xhama të thyer makinash, ndërsa në Tiranë serbëve jo vetëm që nuk u preket fija e flokut, por ndonjë kioske periferike në kryeqytet u vë edhe ndonjë këngë të Lepa Brenës në sfond... Trefish shyqyr që jemi ndryshe!

Nuk kam qenë ndonjëherë më krenar në jetën time sesa kur, gjatë një misioni faktmbledhës në Kosovë - projekt i Kombeve të Bashkuara bashkë me shtatë gazetarë të tjerë ndërkombëtarë - futa në raportin final fjalinë e artë:

“UÇK, ndryshe nga serbët, në çdo situatë sado të ndërlikuar lufte, nuk preknin gra dhe fëmijë.”

E sheh, bre vlla, sa mirë që jemi ndryshe!

Kujtoj pas viteve ’90 një grup patriotësh e shqiptarësh të vërtetë që tentuan të bënin në Akademinë e Shkencave një kundërprojekt “Çubrilloviq”. Nuk u realizua... U tha se kishte edhe shkrime që UDB-ja i financoi për të mos u bërë. Por nëse kjo është e vërtetë, ua them me plot gojën: faleminderit, UDB!

Njëqind herë, bre vlla, shyqyr që jemi ndryshe!

Njëmijë herë shyqyr që jemi ndryshe!

P.S. Edhe diçka: ndaloni presionin që u bëni këmbëve të futbollistëve tanë, duke u varur mbi to, folklorikisht, asimetrikisht dhe padrejtësisht, gjakun e Adem Jasharit, të UÇK-së, të nënave me barkun e çarë e të tjera si këto. Lëreni Albinin ta bëjë këtë punë!

Jam i sigurt se edhe po të ishte gjallë Çerçiz Topulli, do të thoshte shkurt e shqip:

“Me turqit merrem vetë, lërini djemtë e mi të luajnë futboll!”

© Andi Bejtja