Budallai i Shqipërisë dhe Donald Trump-i i Amerikës - Nga Ilir Levonja
 
 - Nga: Ilir Levonja - SHBA
Si është e mundur që prej një viti të tërë përpiqet t’i rregullojë marrëdhëniet me Donald Trump-in, duke i shitur ishullin e Sazanit pa asnjë debat publik, sikur ta ketë një kasolle qeni në fund të kopshtit, e jo një pikë strategjike, një nishan apo suvenir të shqiptarëve dhe të Shqipërisë? Nga ana tjetër, tallet në korridoret e Bashkimit Europian me presidentin e Amerikës lidhur me një lapsus fatkeq, më shumë për shqiptarët se sa për Trump-in, kur ky i fundit tha se kishte vendosur paqen mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë. Arsyeja është e thjeshtë: Rama është budalla.
Ndërkohë ju kaloni në ekstazë duke interpretuar të drejtat kushtetuese në një gjoja sistem demokratik, mbi pronën tuaj, mbi liritë dhe të drejtat e qytetarit, pas aq shumë përpjekjesh të shqiptarëve për t’u orientuar nga Perëndimi, apo “oksidenti”, siç u pëlqen budallenjve nëpër studio ta quajnë Europën.
Është budalla i madh, me trendin e përfaqësimit të sherreve masive në Bilisht, përfaqësuesi i provincializmit “bëje për mua që të jesh me mua” e që të kesh rregulluar të ardhmen, ku mund të vjedhësh sa të duash dhe nesër të shpallesh i “nderuar”, sepse burgu është për burrat, ndërsa paratë e vëna t’i gëzosh.
Është budalla që kujton se duke u kthyer në gaztor i korridoreve të Europës, do e fusë Shqipërinë aty, jo për shqiptarët, sepse shqiptarët janë tashmë në Europë, madje edhe në poste kyçe, deputetë, këshilltarë bashkiakë, biznesmenë etj., por për vete, që të vjedhë fonde me rrumpallat dhe me budallenjtë e paarsimuar që e shkatërrojnë Shqipërinë këmbë e kokë, deri në atë pikë sa shitet një parti politike për një post kryetari akademie shkencash, njësoj siç shiten kokat e lopëve në tregun e gjësë së gjallë.
Është epoka e budallenjve dhe kryebudallai ka hedhur një gur në lumë, ndërsa të gjitha studiot interpretojnë si të duan, kur të duan e si të duan, ligj mbi ligj, sikur të ishte “vafti”, siç thoshte i ndjeri Jovan Bregu.
Budallallëku do mbahet mend si epokë në këto 35 vjet “demokraci”, sepse aty gjen “demokratin” fanatik në krah të Ramës, të persekutuarin që iu shkatërrua jeta, po sërish në krah të Ramës, komunistin apo “fituesin” e Luftës së Dytë Botërore, atë që Rama e quan Luftë Civile, pra komunistin që ndërtoi luftën e klasave, edhe ky në krah të Ramës. Dhe ashtu, si dikur dënonin me radhë Teme Sejkon, Xoxen, Ballukun, Shehun, Hazbiun, sot po dënojnë Tahirët, Beqajt, Kokët, Gjushët, Veliajt etj.
Madje me këtë të fundit nuk ka bir nëne që të mos e kuptojë epokën e budallallëkut: dolën në kor para SPAK-ut me parrullën “Lali Eri je flori, ne të duam në Bashki”, ndërsa sot shushunjat nuk ndihen më, nuk shpërndajnë klipe me “lal floririn”. Lufta e klasave vazhdon po aq e ashpër.
Nga pas, budallenjtë transmetojnë video se gjoja budallai tallej me shaka me Donald Trumpi-n. Është tamam siç thotë fjala e urtë: përpjekja e budallait për të larë mutin me shurrë.
Ndërkohë budallenjtë, që kanë frikë të flasin për bashkimin kombëtar, tallen kur Trump-i ngatërron Armeninë me Shqipërinë (Armenia - Albania). Sikur ne nuk e dimë që Armenia dhe Albania janë kaq afër në emër, e na ndodh shpesh neve që jetojmë dekada jashtë të na ngatërrojnë armenian me albanian.
Trump-i vërtet e ndaloi luftën dhe vendosi paqen mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, një konflikt historik rajonal, i ngjashëm me tonin ndaj serbëve dhe grekëve. Po budallai ynë, me serbët bëri “Open Balkan”, duke anashkaluar Dardaninë, ndërsa me Greqinë, ku jetojnë afro 1 milion shqiptarë, tallet me histeri komuniste, edhe pse këta 1 milion janë tashmë qytetarë të dyfishtë, shqiptarë e grekë.
Është epoka e budallait që edhe pse paguan “cash”, qarkullon lekë kudo dhe, po me “cash”, paguan gjigandët e shtypit botëror për të promovuar gjoja turizëm elitar shqiptar. Koha e budallait që nuk ka një faqe interneti funksionale për aplikime elektronike, por nxjerr kukulla virtuale si ministra a ministra shteti.
Zoti të ruajt, Shqipëri! Ndjesë moj fisnike, për budallenjtë e parruar dhe me shumicë.
© Ilir Levonja - SHBA
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj









