Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 25. 02. 2024

  • Published in Kanada

Gaspésie - Québec

-British Columbia, qeveria synon frenimin e spekulimit imobiliar përmes taksimit

-Alberta, provinca do jetë mikpritëse e Kampionatit Botëror 2027 të Hokejit për të Rinj

-Nova Scotia, priten ndryshime madhore në administrimin e rrjetit elektrik provincial

-Ontario, 3000 mësimdhënës të York Univesity paralajmërojnë grevë

 

British Columbia - Qeveria e British Columbia synon të miratojë një taksë për të luftuar spekulimet me pasuritë e paluajtshme. Taksa do të aplikohet mbi fitimet e marra nga rishitja e shtëpive dy ose më pak vjet pas blerjes së tyre. Kjo masë u deklarua të enjten (22.02) gjatë prezantimit të buxhetit 2024 nga Katrine Conroy, ministrja e Financave të provincës. “Çmimet u rritën kur qeveritë u tërhoqën dhe spekulatorët përfituan”, u shpreh ministrja. Shkalla e taksimit mbi fitimet kapitale do të jetë 20% nëse shitja bëhet më pak se një vit pas blerjes. Nëse rishitja bëhet ndërmjet 366 dhe 730 ditësh pas blerjes, taksa do të ulet në varësi të kohës së rishitjes. Taksa e re bën pjesë në listen e 20 ndryshimeve ligjore që qeveria e British Columbia planifikon të prezantojë gjatë këtij sesioni parlamentar, ndaj që ajo të marrë fuqinë ligjore, do të duhet të miratohet brenda tre muajve të ardhshëm. Nëse kjo do realizohet, ajo do të përfshijë pasuritë e paluajtshme të shitura nga 1 janari 2025 si dhe prona të blera përpara kësaj date. Buxheti 2024-2025 parashikon që taksa, pasi të zbatohet, do të sjellë të ardhura shtesë prej 44 milionë dollarësh gjatë vitit fiskal 2025-2026. Sipas ministres Conroy, këto të ardhura do investohen drejtpërdrejt për ndërtimin e banesave të përballueshme në të gjithë provincën.

Alberta - Provinca Alberta do të mirëpresë 10 aktivitete ndërkombëtare të hokejit mbi akull në katër vitet e ardhshme, duke përfshirë Kampionatin Botëror të Hokejit për të rinj në 2027. Në këtë kuadër, qeveria e Danielle Smith do të investojë 11 milionë dollarë për të mbështetur zhvillimin e këtyre aktiviteteve. Hockey Canada gjithashtu njoftoi të shtunën (24.02) se Alberta do të mirëpresë Kampionatin Botëror Paralimpik të Hokejit të këtij viti në WinSport Arena në Calgary nga 4-12 maj si dhe Kupën Hlinka Gretzky në Rogers Place në Edmonton nga 5 deri më 10 gusht. Po në Alberta do të zhvillohe sërish ndeshjet për Kupën Hlinka Gretzky në vitin 2026 si dhe lojëra të përzgjedhura të Serisë së Rivalitetit Kanada-Shtetet e Bashkuara në 2025 dhe 2026. Qeveria ka deklaruar se përzgjedhja e qyteteve për aktivitetet e ndryshme është ende në proces, por Hockey Canada megjithatë, ka konfirmuar se Kampionati Botëror i të Rinjve 2027 do të zhvillohet në dy qytete të provinces pa deklaruar emra (sipas të gjitha gjasave Edmonton dhe Calgary).

Nova Scotia - Provinca Nova Scotia ka vendosur të krijojë një kompani të pavarur për të operuar rrjetin e saj të energjisë, vendim që pritet të zvogëlojë rolin e shpërndarësit privat provincial të energjisë elektrike, Nova Scotia Power. “Konfirmoj se qeveria e pranoi rekomandimin për një ligj të ri të modernizimit të sektorit të energjisë, të cilin kam në plan ta prezantoj sesionit parlamentar që po fillon”, deklaroi të premten (23.02.) Tory Rushton, ministër i Burimeve Natyrore dhe Energjisë së Rinovueshme të Nova Scotia. “Ky ligj ndër të tjera do të krijojë një operator të pavarur të rrjetit të energjisë dhe një rregullator të veçantë të energjisë”, shtoi ai. Ministri ka reaguar kësisoj ndaj rekomandimeve të raportit përfundimtar, të dorëzuar më 31 janar, nga grupi i punës për energjinë elektrike të pastër, të cilin e kishte krijuar ai vetë prillin e kaluar. Grupi u kryesua nga Alison Scott, zëvendësministre e Energjisë së Nova Scotia nga 2004 deri në 2009 dhe John MacIsaac ish-president i Hydro Newfoundland dhe Labrador dhe ish-drejtues i lartë i Nalcor Energy. Në raportin e tij, grupi rekomandon krijimin e një kompanie të pavarur, jofitimprurëse, operuese të rrjetit të energjisë, e cila do të ofrojë konkurrencë të hapur për krijimin e çdo infrastrukture të re të prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe ruajtjes së energjisë.

Ontario - Njoftohet se rreth tre mijë pedagogët me kontratë, asistentët e mësimdhënies dhe asistentët e diplomuar të York University në Toronto mund nisin në grevën nesër (26.02.) në mëngjes nëse nuk arrihet një marrëveshje për kushtet e punës. Sipas zëdhënësit për Seksionin 3903 të Sindikatës Kanadeze të Punonjësve Publikë, Erin McIntosh, punonjësit në fjalë kanë nevojë mbi të gjitha për një rritje pagash për të kompensuar inflacionin. Nëse greva fillon, parashikohet organizimi i një tubimi në orën 11:00 përpara stacionit të metrosë të York University. Në një email dërguar mediave, drejtuesit e York University kanë deklaruar se shpresojnë të arrijnë një marrëveshje kolektive këtë fundjavë me sindikatat. Ata pretendojnë se kanë paraqitur dy propozime në seksionin sindikal lokal, më 7 dhe 21 shkurt, propozime që përfshinin veçanërisht rritjen e pagave. “Deri më tani, me keqardhje konstatojmë se asnjë nga këto propozime nuk ka qenë objekt i përgjigjes në tryezën e bisedimeve”, lexohet në email. Rektorati ka deklaruar gjithashtu që “nevojat e studentëve për të ndjekur kurset mbeten prioriteti kryesor dhe planet e emergjencës për të gjitha aspektet e tjera të funksionimit të universitetit janë të gatshme dhe do të aplikohen nëse është e nevojshme”. Stafi mësimdhënës i këtij universiteti ka qenë në grevë për gati pesë muaj edhe në vitin 2018, përpara se të detyrohej të kthehej në punë kur qeveria e Ford miratoi ligjin e posaçëm. Asokohe ajo ishte greva më e gjatë në historinë e një universiteti anglofon kanadez. Një vit më vonë, qeveria Ford miratoi Ligjin 124 dhe e kufizoi rritjen e pagave për të gjithë punonjësit e shërbimin publik të Ontarios në 1% për tre vjet. Më pas ky ligj u deklaruar nga gjykatat si antikushtetues. Sipas sindikatës, problemet në origjinë të kësaj greve ende nuk janë zgjidhur.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada