Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 24 mars 2024

  • Published in Kanada

©

Funerali i ish-kryeministrit Brian Mulroney 23.03.2024 (Bazilika Notre-Dame Montréal)

 

-British Columbia, volum rekord mallrash gjatë vitit 2023 në portin e Vancouver

-Alberta, sipas një sondazhi 57% e qytetarëve janë kundër një regjimi provincial pensionesh

-Nova Scotia, përgatitje paraprake për të përballuar sezonin e zjarreve në pyje

-Newfoundland, së shpejti do nisë aktivitetin një minierë kripe në perëndim të provincës

 

British Columbia - Një volum rekord mallrash ka tranzituar vitin e kaluar përmes portit të Vancouver në provincën British Columbia, pavarësisht një ekonomie globale në vështirësi dhe rënies së theksuar të numrit të dërgesave me kontejnerë. Autoriteti Portual Vancouver-Fraser deklaroi të premten (22.03) se 150.4 milion ton mallra me shumicë dhe me kontejnerë janë përpunuar në portit më të madh të Kanadasë në vitin 2023, shifër që përbën një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2022. Rritja e volumit i dedikohet kryesisht eksporteve me shumicë, si drithërave dhe naftës, si dhe eksportimit me kontejnerë dhe importit të automjeteve. Megjithatë, një ngadalësim i kërkesës ka çuar në një rënie të importeve me kontejnerë, por nga ana tjetër, numri i automjeteve që hynë në Kanada përmes këtij porti u rrit me 36%, duke arritur në më shumë se 454,000.

 

Alberta - Sipas të dhënave nga një sondazh i kryer nga firma Léger për llogari të një projekti kërkimor në Universitetin e Alberta-s, rreth 57% e qytetarëve të anketuar deklarohen se janë kundër projektit për një regjim pensionesh specifik për provincën, i cili nëse miratohet, parashikohet të zëvendësojë regjimin kanadez të pensioneve. Ndërkohë, vetëm 22% e të anketuarve janë deklaruar se e miratonin idenë, ndërsa 20% kanë preferuar të mbajnë një qëndrim mjaft neutral. Duke komentuar rezultatet e sondazhit, Jared Wesley, drejtor i Projektit Common Ground dhe profesor i shkencave politike, është shprehur se “mbështetja e përgjithshme për një plan pensioni në Alberta ka rënë që nga sondazhi ynë i fundit gjashtë muaj më parë; mbështetja ra me rreth gjashtë pikë përqindjeje. Megjithëse mbështetësit e Partisë Konservatore janë më shumë në favor të një plani provincial të pensioneve, shifrat tregojnë se vetëm 36% e të anketuarve prej tyre besojnë se ky plan do të ishte më i mirë se Plani i Pensionit të Kanadasë (CPP), krahasuar me 4% të mbështetësve të opozitës NDP”. Në shtator 2023, qeveria provinciale e kryeministrers Danielle Smith publikoi një raport sipas të cilit banorët e Alberta-s do të kishin të drejtë për më shumë se 330 miliardë dollarë kontribute pensioni nëse Alberta tërhiqej nga Canadian Pension Plan, por shumë ekspertë e kanë konsideruar këtë llogaritje të ekzagjeruar.

Nova Scotia - Komunitetet e goditura më rëndë vitin që shkoi nga zjarri më i madh i pyjeve që pat rënë ndonjëherë në Nova Scotia, sivjet po ndërmarrin hapa për t’u përgatitur më mirë për emergjencat e ardhshme eventuale. Ndër të tjera, ata po përmirësojnë mënyrën e komunikimit me banorët si dhe kanë investuar për blerjen e pajisjeve më efikase. Përveç kësaj, po rekrutohen më shumë zjarrfikës vullnetarë. Njëzet e pesë zjarrfikës të rinj i janë bashkuar tre departamenteve në bashkisë Barrington, duke e çuar numrin e përgjithshëm në rreth 130. Po kështu, bashkia Shelburne po zbaton gjithashtu rekomandimet pas një analize që iu bë kapacitetit reagues ndaj zjarrit në vitit 2023. “Një objektiv kryesor është të jemi në gjendje të transmetojmë menjëherë alarmin për rrezikun tek banorët”, ka pohuar Warren MacLeod, drejtor administrativ i kësaj bashkie. “Kemi pasur shumë vështirësi me mbulimin e rrjetit celular të territorit. Shumë banorë në zonat e evakuimit nuk e morën kurrë njoftimin e alarmit sepse rrjeti atje ndodhej në gjendje black-out. Disa e morën njoftimin për të evakuuar shtëpitë e tyre direkt nga oficerët e RCMP që shkuan derë më derë”. Me sistemin e ri që ka instaluar, bashkia shpreson që banorët të jenë më të përgatitur. Ky është sistemi Voyent Alert, i cili mundëson që njoftimet t’u dërgohen banorëve në disa opsione si emaili dhe mesazheria vokale në telefonat celularë dhe fiks, përmes një aplikacioni ose mesazhi tekst. Kjo do të bëjë të mundur transmetimin e informacionit të urgjencës më shpejt me shumë mjete, edhe në rast defektesh të rrjetit celulari. Për këtë qëllim, një fushatë publicitare do t’i inkurajojë të gjithë banorët që të regjistrohen për të patur këtë shërbim.

Newfoundland - Një minierë e madhe kripe që do përdoret për rrugët që mbulohen nga dëbora mund të nisë së shpejti nga puna në provincën Newfoundland, pas lejes së nevojshme mjedisore që pritet të miratohet në më pak se një muaj. Kompania Atlas Salt planifikon të nxjerrë 2.5 milion ton kripë çdo vit gjatë 30 viteve të ardhshme. Vendnxjerrja e kripës ndodhet në një zonë pyjore prej 40 hektarësh në jug të Stephenville, midis St. George's dhe Flat Bay. Pas nxjerrjes, kripa, e cila do të përdoret veçanërisht për pastrimin e dëborës, do të zhvendoset drejt Turf Point duke përdorur një konvejer për t’u shpërndarë më pas diku tjetër në Kanada dhe për t’u eksportuar në Shtetet e Bashkuara. Ndërtimi i kësaj miniere do të kushtojë afro 480 milionë dollarë për 5 vjet. Sipas nënpresidentit të Atlas Salt për çështjet e korporatave Alasdair Federico, nëse fillon, projekti mund të krijojë të paktën 170 vende pune me kohë të plotë. “Numri i vendeve të punës të krijuara gjatë ndërtimit do të jetë edhe më i madh dhe do të gjenerohen shumë të ardhura për ekonominë lokale”, ka shtuar ai. Nëse projekti merr miratimet e nevojshme mjedisore, angazhimi i kontraktorëve mund të fillojë qysh këtë vit. Vendimi i ministrisë së Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike për këtë çështje pritet të jepet më 14 prill. Qytetarët kanë afat deri më 4 prill për të paraqitur me shkrim komentet apo shqetësimet pranë qeverisë provinciale.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio Canada; The Canadian Press/Adrian Wyld/Darryl Dyck