Kanada

Kanadaja mban pezull kërkesën e Izraelit për automjete të blinduara

  • Published in Kanada

Media shtetërore CBC/Radio-Canada ka raportuar sot (14.03) se qeveria kanadeze po mban pezull një kërkesë për të eksportuar automjete të blinduara të prodhuara në Kanada, të destinuara për qeverinë izraelite. Sipas informacionit në fjalë, pak ditë pas sulmit të 7 tetorit të kryer nga Hamasi në territorin e Izraelit, kërkesa me prioritet të lartë ka mbërritur deri në zyrën e ministres kanadeze të Punëve të Jashtme, Mélanie Joly.

Synimi i Tel-Avivit ka qenë importimi i rreth 30 automjete të lehta të blinduara nga kompania prodhuese me qendër në Ontario, Roshel, presidenti i të cilës, Roman Shimonov, është me origjinë nga Izraeli, ku ai ka kryer dhe shërbimin ushtarak. Që transaksioni të kryhej, Ottawa duhej të miratonte liçencat e nevojshme për eksport. Informacioni i marrë nga dy burime, konfirmon se qeveria kanadeze po e zvarrit qëllimisht përpunimin e dosjes nisur nga konteksti jashtëzakonisht delikat politik i konfliktit Izrael-Hamas dhe kriza e rëndë humanitare në Gaza.

Nëse qeveria federale kanadeze e autorizon këtë transaksion, ajo rrezikon të provokojë një valë të re zemërimi nga ana e grupeve pro-palestineze dhe të akuzohet për bashkëpunim në operacionet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, në një kohë kur viktimat civile palestineze po shtohen nga dita në ditë. I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë temë, kryeministri Justin Trudeau është mjaftuar me një përgjigje evazive: “Kanadaja ka një nga regjimet më solidë dhe më të disiplinuar për lejet e eksportit. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që rregullat të respektohen”.

CBC/Radio-Canada ka konfirmuar përfundimisht se që nga 8 janari i këtij viti, qeveria federale kanadeze ka pezulluar dhënien e lejeve të eksportit për pajisjet ushtarake jo-vdekjeprurëse të destinuara për Izraelin, e preokupuar se ato mund të përdoren në operacione që shkelin të drejtat e njeriut. Megjithatë, ky vendim nuk është bërë asnjëherë publik prej saj, madje për më tepër, në fund të janarit ministrja e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly, pat deklaruar se Kanadaja kishte autorizuar vetëm eksportin e pajisjeve ushtarake “jo vdekjeprurëse” në Izrael që nga fillimi i luftës kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Ndërkohë, qeveria federale gjithashtu nuk ka dhënë informacion për mediat mbi listën e detajuar të pajisjeve që i ka furnizuar Izraelit nga 7 tetori 2023 deri më 8 janar 2024.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada