Kanada

Festivali i Kanës: regjisorja nga Québec Monia Chokri fiton çmimin César për filmin më të mirë të huaj

  • Published in Kanada

Filmi “Simple comme Sylvain” (Thjesht si Sylvain) i regjisores nga Québec Monia Chokri, ka fituar të premten e kësaj jave (23.02.) çmimin “César” si filmi më i mirë i huaj në edicionin e 49-të të Festivalit të Kanës, aktiviteti më prestigjioz i kinematografisë franceze. Në garë për këtë kategori çmimi ka qenë dhe filmi amerikan tashmë i pritur mjaft mire nga publiku dhe kritika “Oppenheimer”.

“Më vjen shumë keq, z. Nolan”, u shpreh Chokri teksa po mbante fjalën falenderuese pas dorëzimit të trofeut, duke pohuar se nuk e priste aspak ta merrte këtë çmim. Një shaka për të cilën rgjisori i “Oppenheimer”, Christopher Nolan ofroi një buzëqeshje argëtuese. Më pas, Monia Chokri falënderoi një mori bashkëpunëtorësh, në veçanti producenten Nancy Grant, e njohur për punën e saj me Xavier Dolan dhe Anne Émond. “Më bëre kineaste”, i tha ajo, pa i fshehur emocionet.

Përveç “Openheimer” të Christopher Nolan, filmi i Monia Chokri konkurroi për çmimin “César” kategoria filmi më i mirë i huaj me realizimet “Rrëmbimi”, i Marco Bellocchio, “Gjethet e vdekura” i Aki Kaurismäki dhe “Ditët perfekte” i Wim Wenders.

Kjo është hera e katërt në historinë e “César” që një grua fiton në këtë kategori, pas Jane Campion më 1994, Sofia Coppola më 2005 dhe Valerie Faris më 2007.

“Simple comme Sylvain”, një komedi sentimentale ku interpretojnë Magalie Lépine-Blondeau dhe Pierre-Yves Cardinal, fillimisht u vlerësua mjaft ngrohtë nga publiku pas premierës botërore në Kanë, në maj 2023, ku ishte përzgjedhur në kategorinë “Un Certain Regard”. Filmi tashmë ka fituar dhe dy çmime, Çmimin e Madh të jurisë dhe Çmimin për të rinjtë në Festivalin e Cabourg, Francë.

“Simple comme Sylvain” tregon historinë e Sophie, një 40 vjeçare profesoreshë filozofie e cila prej 10 vitesh bashkëjeton me Xavier, një profesor i shkencave politike. Jeta e saj ndryshon komplet ditën kur takon Sylvain, një sipërmarrës nga rajoni Laurentides, stili i jetesës së të cilit është antipodi i stilit të saj. Sophie braktis gjithçka për të jetuar pasionin që lindi mes saj dhe Xavier.

Regjisorja dhe aktorja Monia Chokri ka lindur në Quebec City në vitin 1975. Ajo e filloi karrierën e saj teatrale dhe kinematrografike pasi përfundoi studimet në Konservatorin e Arteve Dramatike të Montrealit në vitin 2005. Nëna e saj është me origjinë skoceze, ndërsa babai me origjinë tuniziane.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Getty Images/Julien M. Hekimian