Kolumnist

Itali, faleminderit! - Nga Ilir Levonja

Në gjithë këtë tranzicion tejet të tejzgjatur, u desh rishtas një emision televiziv nga Italia që shqiptarët të kuptojnë regresin social. Në fakt kështu ka ndodhur edhe në vitet 90'-të. Pavarësisht ideve artistike, “Linea Verde” a “Domenica In” krijuan në anën tjetër të Adriatikut një protaganizëm “garipash” apo “rrugeçërish”, të cilët nuk donin asgjë tjetër një Shqipëri si Europa. Ata nuk ishin aspak të tillë, por propaganda mbyste gjithçka të gjallë dhe mes shqiptarëve ishte krijuar dasimi social se vërtetë ishin armiq të njëri-tjetrit. Por nuk ishin aspak të tillë.

Këtë frymë e mbante të gjallë bash propaganda, pasi ai atje lart nuk donte asgjë tjetër veç sundimit të tij absolut. Dhe ia kishte arritur, por falë diabetit, ky sundim plot degradim, dhunë, luftë të pashpirt e super mizore brenda sojit, zuri të krisej. Dhe pjesa dërrmuese e shqiptarëve e kuptuan se ata nuk ishin as rrugeçër, as agjentë, as kaubojsa etj., ata ishin njerëz të lirë në kushte tmerrësisht të mjerueshme për shkakun e thjeshtë, dështimin total të ekonomisë së përbashkët, socializmit, luftës së klasave, diktaturës së proletariatit etj., farsa bolshevike të Kremlinit dhe Kinës së Maos.

Sot rishtas, ideja e sundimit ka frustuar gjithandej dhe më mirë se askush tjetër nuk mund ta përvetësonte atë se bijtë e ish-nomeklaturës. Ata prapë kanë në dorë një propagandë të fuqishme dhe sërish shqiptarët janë në një luftë klasash moderne midis vetit sa e kanë tmerrësisht të vështirë të ngrihen si shoqëri. Kanë 136 parti politike dhe nocioni i tërheqjes është tabu. Jo rastësisht sot monarku shqiptar i kërkon kryeministrit spanjoll të mos japë dorëheqjen për akuzat karshi gruas së tij. Dhe ta mendosh kur ky monark merr në telefon një televizion tuajin aty në Itali, e kërcënon, i kërkon llogari etj., këtyre në Shqipëri u nxjerr ujin e zi.

Shembull të freskët keni “Agon Channel”, një investim italian i cili u fik me mësymjen brutale të policive politike, gjoja financave, identike me metodat e Putinit në Rusi. Dhe ka dy ditë që njëjtëzon Shqipërinë me veten duke bërtitur i tërbuar se gjoja emsioni juaj ka fyer shqiptarët dhe Shqipërinë. E kanë strategji, fusin në mes ndjenjën kombëtare, përçarjen mes popujve, pavarësisht se sot në Italinë tonë, apo Amerikën tonë, jetojnë afro 60% e emigrantëve shqiptarë. Në fakt i gjithë emisioni në “RAI3” është një emision normal për Italinë, fundosjen e fondeve, kalkulime të mirëfillta për më tepër se përse duhen ngritur qëndra azilantësh në Shqipëri, kur syresh të braktisura ekzistojnë edhe në Itali, madje me kosto të lirë.

E vërteta është e thjeshtë. Në mes janë grupet mafioze, busulla e drejtimit të anijeve me para për të fituar me shumicë sa të duan dhe kur të duan. Shqipëria është një minierë ari për kësi punësh, pasi kush fiton ka drejtën supreme prej monarku të vrasë e presë sa t’i dojë qejfi. Shqipëria ka rënë totalisht në një sundim absolut i cili me mjetet e demokracisë ka bërë edhe Perëndimin të heshtë, ose të thotë “go on” shoku monark, ndaj jo rastësisht sot deri amabasadat Amerikane dhe të Britanisë, i rrahin shpatullat monarkut, madje i bashkohen brutalitetit të tij sikur Shqipëria të ishte diku nga Haiti, jo bash në zemrën e Europës. Për më tepër e kanë firuar atë komb, e kanë privuar nga pjesa më vitale, aq sa sot asnjë shtetas shqiptar emigrant nuk ka të drejtë vote.

Madje edhe emigrantët janë në një sundim total se qeveria e Tiranës ka sot celulat e patronazhistëve në vatrat më të ndezura me emigrantë, si Itali, Greqi, Angli, Gjermani, Kanada, SHBA…, madje këtu në SHBA arritën ta përçajnë edhe një nga organizatatat më të vjetra, “Vatrën”, duke e bërë fërtele sa bash kjo “Vatra” sot dekoron bijtë dhe shërbëtorët e nomeklaturës. Ata që në festat e baballarëve dalin me shallin e kuq, ndërsa në mëngjes i gjen në krye të Reformë në drejtësi.

Itali, faleminderit se, pavarësisht hapjes së dy dyerve tuaja, ne i bëjmë duvanë, a temena dovletit. Dhëntë Zoti në atë spektrin tuaj normal dhe profesional, ndihmoni edhe në shërimin e Shqipërisë!

© Ilir Levonja