Java Kanadeze - Lajme shkurt 21 prill 2024
- Published in Kanada

Victoria - British Columbia
-British Columbia, numri i pemëve të mbjella nga viti 1930 arrin shifrën 10 miliardë
-Alberta, një lokomotive me vlera historike do kryejë një udhëtim nga Calgary në Mexico City
-Saskatchewan, 22-24 prill vizitë zyrtare e Guvernatores së Përgjithshme Mary Simon
-New Brunswick, ndahet nga jeta disa muaj pasi mori pafajesinë një i dënuar gabimisht
British Columbia - Ministri i Pyjeve Bruce Ralston njoftoi të henën e kaluar (15.04) se që nga viti 1930, viti i përpjekjeve të para të ripyllëzimit në provincën e Paqësorit, në British Columbia janë mbjellë gjithsej 10 miliardë pemë. Pema e dhjetëmiliardtë ashtu si edhe vendi, ishte simbolike. Ministri e mbolli atë në Parkun Urban Forest Green Timbers në Surrey, sipas tij zona e iniciativave të para të ripyllëzimit në vitin 1930. Shumica dërrmuese e veprimtarisë për ripyllëzim kryhet nga kompanitë pyjore dhe nga 290 milionë fidanë që parashikohej të mbilleshin këtë vit, ato kanë marrë përsipër të mbjellin 235 milionë. Vitin e kaluar, në British Columbia janë mbjellë 305 milionë pemë, ndërsa për shatë vitet e fundit shifra arrin 2 miliardë. Ndërkohë, në vitin 2019, qeveria federale pat qenë zotuar të mbillte nga ana e saj në gjithë Kanadanë 2 miliardë pemë deri në vitin 2030, qasje që, sipas Marrëveshjes së Parisit, do duhej të ndihmonte tejkalimin e objektivit për të reduktuar emetimet e gazeve serrë. Një vit më parë, Komisioneri kanadez për Mjedisin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm pat deklaruar se programi i qeverisë federale nuk kishte gjasa të arrinte objektivat e tij.

Alberta - Për të festuar përvjetorin e parë të saj, kompania hekurodhore Canadian Pacific Kansas City (CPKC) ka vendosur të dërgojë lokomotivën Empress 2816 nga Calgary në Mexico City. Udhëtimi do të zgjasë afërsisht 6 javë. Kjo lokomotivë me avull është ndërtuar në vitin 1930. Në faqen e saj të internetit, CPKC thekson se ndryshe nga lokomotivat me naftë, ato me avull janë të gjitha të ndryshme nga njera-tjetra; çdo lokomotivë e prodhuar me dorë mban markën e prodhuesit të saj. Empress 2816 ka qenë me famë gjatë viteve 1930 dhe 1960 për shërbimin e saj të shpejtë në transportin e mallrave dhe pasagjerëve. Lokomotiva iu dhurua fillimisht një muzeu në Shtetet e Bashkuara, por më pas u kthye në Kanada. Ajo nuk u vu më kurrë në përdorim deri në momentin kur Canadian Pacific vendosi ta restaurojë në atelienë Odgen Heritage, proces ky që zgjati pak më shumë se 2 vjet. Të mërkurën e ardhshme (24.04) do të zhvillohet një ceremoni me këtë rast në Calgary dhe nisja drejt Mexico City do të bëhet të premten (26.04). Empress 2816 do të ndalojë në 11 qytete, përfshi dhe Kansas City.

Saskatchewan - Nga data 22 deri më 24 prill 2024, Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë Mary Simon dhe bashkëshorti i saj, Whit Fraser, do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në provincën Saskatchewan. Si përfaqësuesja e parë autoktone e Kurorës Britanike Mary Simon u betua më 26 korrik 2021. Vizita e saj në Saskatchewan do të fokusohet “në temën e pajtimin, shëndetin mendor, edukimin dhe ndryshimet klimatike”, thuhej në një njoftim për shtyp të Zyrës së Guvernatores së Përgjithshme. Gjatë vizitës Mary Simon do të takohet me drejtues provincialë dhe autoktonë, të rinj, mësues, emigrantë të rinj, artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile. “Guvernatorja e Përgjithshme luan një rol të veçantë në rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet e rëndësishme me të cilat përballet vendi ynë dhe në vlerësimin e meritave të kanadezëve që përpiqen të përmirësojnë jetën e komuniteteve të tyre”, lexohej gjithashtu në njoftimin për shtyp. Më 22 prill, pas mbërritjes së saj, do të mbahet një ceremoni zyrtare e mirëseardhjes në Asamblenë Legjislative të Saskatchewan, ku ajo do të përshëndetet nga kryeministri Scott Moe, Lejtënant-Guvernatori i Saskatchewan Russ Mirasty dhe personalitete të tjera. Në një deklaratë për shtyp, kryeministri i Saskatchewan Scott Moe u shpreh ndër të tjera se “është një nder i veçantë të mirëpres Mary Simon në provincën tonë për vizitën e saj të parë zyrtare”.

New Brunswick - Ka vdekur në moshën 80-vjeçare Walter Gillespie nga provinca New Brunswick, i cili u dënua gabimisht për një vrasje që nuk e kishte kryer dhe kaloi dekada duke u përpjekur për të çnjollosur emrin e tij përpara se të shpallej i pafajshëm nga një gjykatës në janar 2024. Innocence Canada, organizata që udhëhoqi betejën ligjore për të shfajësuar Walter Gillespie dhe mikun e tij Robert Mailman nga dënimet e tyre për një vrasje të ndodhur në vitit 1984, ka deklaruar se Gillespie vdiq të premten (19.04) në shtëpinë e tij në Saint John, New Brunswick. James Lockyer, drejtor dhe themelues i Innocence Canada, u shpreh për CBC/Radio-Canada se “ishte i trishtueshëm fakti që zoti Gillespie, i cili kaloi 21 vjet në burg, vdiq kaq shpejt pas marrjes së pafajësisë”. Për momentin nuk dihen detaje për shkakun e vdekjes. Në janarin e kaluar, Kryetari i Gjykatës Mbretërore të New Brunswick, Tracey DeWare, i liroi z. Gillespie dhe Mailman (76 vjeç), nga akuza për vrasjen e një personi nga Saint John në vitin 1983 dhe kërkoi falje për gabimin gjyqësor të kryer në atë kohë. Vendimi i tij erdhi pasi ministri federal i Drejtësisë Arif Virani urdhëroi rigjykimin e çështjes më 22 dhjetor 2023, duke deklaruar se ekzistonin prova që vinin në pikëpyetje drejtësinë e procesit.

Walter Gillespie (R.I.P.) - Janar 2024
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Sean Kilpatrick/Hina Alam












