Java Kanadeze - Lajme shkurt 11. 02. 2024
- Published in Kanada

Aerial of Campobello Island - New Brunswick
-British Columbia, detyrohet të japë dorëheqjen ministrja e Arsimit Selina Robinson
-Alberta, ekspozitë në nderim të ushtarëve me ngjyrë në Muzeu ushtarak të Calgary
-Saskatchewan, 35 milionë dollarë nga Ottawa në ndihmë të bashkisë Regina për strehimin
-Nova Scotia, një kompani në Halifax blen 5 stacione radio të Bell Canada në provincat atlantike
-Ontario, kooperativat e banimit zgjidhje për krizën e strehimit sipas bashkisë Toronto
British Columbia - Pasi disa komenteve të papranueshme për territorin ku u krijua shteti modern i Izraelit, komente të cilat shkaktuan indinjatën e komunitetit mysliman dhe jo vetëm në provincë, ministrja e Arsimit të Lartë në British Columbia, Selina Robinson, është detyruar nga kryeministri David Eby të japë dorëheqjen. Ishte ky i fundit që e bëri njoftimin publik të hënën e kaluar (05.02.), duke shpjeguar se ajo megjithatë do të mbetet anëtare e grupit parlamentar të NDP. “Volumi i punës që duhet të bëjë znj. Robinson për të riparuar dëmin që ka shkaktuar është i madh dhe i papajtueshëm me vazhdimin e detyrës si ministre. Komentet e bëra prej saj janë të papranueshme, ato shkelën limitet dhe lënduan një komunitet tashmë të vuajtur për shkak të konfliktit dhe që ka ndjenjën se nuk dëgjohet”, u shpreh kryeministri Eby. Gjatë ditëve të fundit, shumë grupe dhe qytetarë kërkuan që ministrja Robinson të jepte dorëheqjen. Në Surrey në fillim të javës, disa dhjetëra demonstrues u mblodhën për të kërkuar largimin e ministres Robinson përpara hotelit Sheraton Guildford, ku ishte mbledhur në takim grupi i deputetëve të NDP. Mesazhi i tyre ishte: “Nuk ka vend për racizëm anti-palestinez”. Madje disa prej tyre u përpoqën të hynin në ambientet e brendshme për t’i dorëzuar Robinson një peticion me 11,000 nënshkrime që kërkonin dorëheqjen e saj, por ata u ndaluan nga agjentët e sigurisë.
Alberta - Kontributet e ushtarakëve me ngjyrë që shërbyen në luftërat botërore dhe atyre që aktualisht shërbejnë në ushtrinë kanadeze, po nderohen këto ditë në një ekspozitë të posaçme që është hapur në Muzeun e Forcave të Armatosura në Calgary. I dislokuar në misione në Qipro, Bosnjë dhe Gjermani, Oral Virtue, me origjinë nga Xhamajka, shërbeu 20 vjet në ushtrinë kanadeze pranë Regjimentit tankist Lord Strathcona dhe Regjimentit të 8-të të Kalorësisë së Husarëve Kanadezë. Veterani i ushtrisë shprehet për Radio-Canada se ishte pasioni i tij për avionët që e nxitit t’i bashkohej ushtrisë. Për të përballuar rutinën e ushtrisë, z. Virtue pohon se ai dhe të gjithë ushtarakët me ngjyrë që aktualisht shërbejnë ose do shërbejnë në vitet e ardhshme, mbajnë ose do mbajnë në mendje paraardhësit e tyre që hapën rrugën për ta, si Mark Hooks dhe vëllezërit e tij, Robert Burt dhe John Musselman, i cili shërbeu në të dy luftërat botërore. Sipas kuratorit të muzeut Allan Ross, diversiteti në ushtrinë kanadeze është i rëndësishëm për realizimin e një përfaqësimi sa më të mire të shoqërisë së sotme, por ai nuk ka qenë gjithmonë i pranishëm. Në të kaluarën zezakëve iu mohua rekrutimi në ushtri, sepse luftërat e viteve 1900 u konsideruan si “luftëra të të bardhëve”.
Saskatchewan - Ministri federal i Strehimit Sean Fraser dhe kryetarja e bashkisë Regina në provincën Saskatchewan, Sandra Masters, njoftuan të premten (09.02.) akordimin e një shume prej 35 milionë dollarësh nga Fondi për përshpejtimin e strehimit të Ottawa (HAF) për ndërtimin e rreth 1000 njësive të banimit në këtë qytet gjatë tre viteve të ardhshme. Këto njësi banimi do t’u shtohen atyre që po ndërtohen aktualisht aty. Bashkia Regina pat nisur tratativat qysh në qershor 2023 për të marrë 36.2 milion dollarë nga Korporata e Hipotekave dhe Strehimit të Kanadasë e qeverisë federale. Së fundmi, këshilli i bashkiak i qytetit miratoi dhe disa ndryshime në aktet nënligjore për të lehtësuar densifikimin përmes ndërtimit të shtëpive multifamiljare dhe multiplekseve. Ndryshimet synojnë gjithashtu të lejojnë densitet më të madh përgjatë korridoreve urbane duke rritur kufijtë e lartësisë dhe të mundësojnë që lloje të ndryshme banesash të mund të ndërtohen në lagje tashmë të krijuara. “Na duhet të nxitojmë këtu në Regina”, deklaroi kryetarja Masters. Sipas saj, norma e banesave vakante është më pak se 1% në shumicën e zonave të qytetit dhe ky realitet po ushtron presion mbi qiratë duke konfirmuar dhe pamjaftueshmërinë e tregut.
Nova Scotia - Në kuadrin e shkurtimit të 4800 vendeve të punës, kompania Bell Canada ka vendosur të shesë 45 nga 103 stacionet e saj të transmetimit, duke përfshirë pesë në New Brunswick dhe Nova Scotia. Bëhet fjalë për stacionet e New Brunswick CKBC në Bathurst, CIKX në Grand Falls dhe CJCJ në Woodstock, si dhe stacionet e Nova Scotia CKTO dhe CKTY në Truro. Ndërkohë kompania Maritime Broadcasting Systems (MBS), që operon në Halifax, pronare e 24 stacioneve të tjera në provincat atlantike, ka rënë dakord me Bell për t’i blerë këto pesë stacione radio. Megjithatë shitja duhet së pari të miratohet nga autoriteti rregullator, CRTC. Sipas shefit të operimit të MBS, David Pace, ndjekësit e pesë stacioneve nuk do të dëgjojnë asnjë ndryshim në muajt e ardhshëm. Pace ka siguaruar se kompania e tij nuk i blen këto stacione për t’i mbyllur. “MBS i përket një filozofie që vlerëson programet lokale. Shumë kohë më parë kemi pasur një strategji që nëse duam të operojmë radiostacione lokale, duhet t’u qëndrojmë pranë. Pra, ne gjithmonë kemi deklaruar se nuk do të shkojmë në Newfoundland, Québec apo Ontario”, ka pohuar ai për radio-Canada. Nga ana e tij, Robert Malcolmson, zëvendëspresident përgjegjës për çështjet ligjore dhe rregullatore i Bell, u shpreh se “kompania po i shet stacionet e saj jofitimprurëse”, por David Pace i vetëdijshëm për këtë fakt, i sheh ato si një mundësi e madhe biznesi duke shtuar se “ato menaxhohen nga distanca, ndërsa ne duam t'i menaxhojmë ato nga afër”.
Ontario - Bashkia Toronto po investon miliona dollarë në një projekt të ri banimi i cili do të përfshijë më shumë se 600 apartamente të menaxhuara në bashkëpunim (kooperativë). Sipas bashkisë, ky kompleks i ri do të jetë projekti më i madh i këtij lloji në provincën e Ontarios. Një banore për një kohë të gjatë e një prej kooperativave më të vjetra të strehimit në Toronto, i ka pohuar Radio-Canada se jetesa në banesa të tilla ofron paqe mendore në një botë ku kostoja e jetesës është gjithnjë në rritje. “I pashë fëmijët e mi duke u përpjekur të gjenin një apartament në Toronto. Apartamentet në Toronto janë tepër të shtrenjta”, shprehet Jennifer Hazel. Ndërkohë, sipas Federatës Kanadeze të Strehimit në Kooperativë, ky lloj strehimi që ishte veçanërisht në modë midis viteve 1970 dhe 1990, kohët e fundit është rikthyer në vëmendjen e instancave qeverisëse. Së bashku me bashkinë Toronto edhe qeveria e Ontarios ka deklaruar se është në favor të rritjes së numrit të kooperativave të strehimit. Muajin e kaluar, Toronto njoftoi një partneritet me Civic Developments, Windmill Developments dhe Federatën e Strehimit Kooperativë të Torontos për ndërtimin e një kompleksi rezidencial në Scarborough, në skajin lindor të qytetit. “Ky projekt është një nga projektet më të mëdha të strehimit të përballueshëm në Ontario në 25 vitet e fundit dhe më i madhi në këtë lloj i ndërtuar deri më sot”, lexohet në komunikatën zyrtare të publikuar me këtë rast. Dy nga tre kullat në kompleksin 2444 Eglinton Avenue East do të menaxhohen si një kooperativë.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada