Kanada: Funerali shtetëror i ish-kryeministrit Mulroney do të zhvillohet në Bazilikën Notre-Dame
- Published in Kanada

Qeveria e Kanadasë njoftoi dje (15.03) se funerali shtetëror i ish-kryeministrit Brian Mulroney do të zhvillohet në Bazilikën Notre-Dame në Montréal të shtunën, më 23 mars në orën 11:00. Kryeministri i 18-të i Kanadasë vdiq më 29 shkurt 2024 në Florida.
Përpara funeralit shtetëror, në nderim të kujtimit të ish-kryeministrit konservator Mulroney, i cili ishte shumë krenar për origjinën e tij irlandeze, do të kryhen gjithashtu homazhe edhe në Bazilikën Saint-Patrick të enjten dhe të premten 21-22 mars. Ndërkohë, të marten dhe të mërkurën që vjen (20-21 mars) arkivoli me trupin e tij do të ekspozohet në Ottawa, në ndërtesën Sir John A. Macdonald, ku personalitetet të politikës, përfshirë Guvernatoren e Përgjithshme Mary Simon dhe kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau do t’i shprehin ngushëllimet e tyre familjes Mulroney.
Të martën pasdite nga ora 12:30 deri në 18:00 dhe të mërkurën nga ora 09:00 e mëngjesit deri në 13:00, ndërtesa Sir John A. Macdonald do të jetë e hapur për qytetarët që dëshërojnë të nderojnë ish-kryeministrin e ndjerë, ndërsa në Montréal, Bazilika Saint-Patrick do jetë e hapur të enjten nga mesdita deri në orën 18:00 dhe të premten nga ora 10:00 deri në orën 18:00. Mëngjesi i së enjtes do të jetë i rezervuar për personalitetet politike dhe pjestarët e rrethit të gjerë familjar.
Në secilin vend ku do kryhen homazhe do jenë në dispozicion për nënshkrim edhe librat e ngushëllimeve dhe sipas qeverisë federale vizitorët do të duhet t’i nënshtrohen një kontrolli sigurie përpara se të hyjnë në ndërtesat përkatëse.
Përpara ceremonisë funerale që do të zhvillohet në Bazilikën Notre-Dame, kortezhi mortor do të niset të shtunën në mëngjes (23.03) nga Bazilika Saint-Patrick i shoqëruar nga një eskortë kavalerie e Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP), një eskortë dhe një roje nderi e Forcave të Armatosura si dhe nga Banda Mbretërore e Forcave Ajrore Kanadeze.
Pjesa fetare e ceremonisë do të kryhet nga Kryepeshkopi i Montréalit, Christian Lépine dhe prifti i bazilikës Notre-Dame, Miguel Castellanos, ndërsa eulogji do të mbajnë Caroline Mulroney, vajza e ish-kryeministrit të ndjerë, Justin Trudeau, Pierre Karl Péladeau, Wayne Gretzky, Jean Charest dhe James Baker, i cili ishte Sekretar Shteti i SHBA gjatë presidencës së George Bush senior.
Funerali do të shoqërohet me muzikë të intepretuar nga Orkestra Simfonike Montréal dhe kori i saj, nën drejtimin e dirigjentit Rafael Payare. Do të performojnë gjithashtu edhe grupi The Tenors, Marc Hervieux, Marie-Josée Lord dhe Elizabeth Theodora Lapham, mbesa e ish-kryeministrit Mulroney.
Në fund të ceremonisë, do të ekzekutohen dhe 19 të shtëna topi nga Quai de l'Horloge, që ndodhet në Portin e Vjetër të Montrealit, shumë afër bazilikës.
Funerali do të transmetohen drejtpërdrejt në kanalet Facebook dhe YouTube të Departamentit Federal të Trashëgimisë Kanadeze.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Foto: Adrian Wyld/The Canadian Press