Njoftime

Ottawa - Njoftim i Ambasadës së Kosovës drejtuar shtetasve që duan të udhëtojnë nga Kanadaja në Kosovë

Të nderuar bashkatdhetarë,

Përkitazi me masat e ndërmarra që lidhen me situatën e pandemisë (COVID-19), në shumë shtete të botës akoma nuk lejohet mundësia e lëvizjes së lirë e qytetarëve, sikurse në të kaluarën në rrethana normale.

Rrjedhimisht kohëve të fundit jemi ballafaquar me raste jo të pakta, kur qytetarët/shtetasit tanë kanë marrë rrugën për në Kosovë, mirëpo kanë hasur në vështirësi dhe situata jo të këndejshme në vende të ndryshme tranzit për në Kosovë.

Problemet si të tilla kryesisht janë identifikuar në vendet Evropiane (BE) në transport rrugor, ku vetura në lëvizje janë ndaluar (në pika kufitare dhe kontrolle të rëndomta) nga vende të ndryshme evropiane për vijueshmëri më tutje. Krahas vendeve të BE-së masa të njëjta po aplikohen në vazhdimësi edhe nga shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, meqenëse të njëjtët nuk kanë marrë pëlqimin paraprak për të kaluar tranzit nëpër këto vende. Për këtë arsye dhe meqenëse shpejt fillon sezoni i pushimeve vjetore, dëshirojmë t'ju informojmë në kohë për situata të tilla.

Të gjithë bashkatdhetarët tanë të cilët dëshërojnë të udhëtojnë nga Kanadaja për në Kosovë, por të njejtët për arsye të ndryshme pretendojnë që udhëtimin/udhëtimet e tyre t’i realizojnë duke përdorur vendet e Evropës si tranzit e në rrugë tokësore, duhet ta njoftojnë paraprakisht Ambasadën në Otava ose Konsullatën në Toronto për lëvizje të tilla.

Mundësia e lajmërimit me kohë e duke iu përmbajtur procedurave të aplikueshme tani për tani për shkak të pandemisë, do të shkojë parasëgjithash në funksion të njoftimit të vendeve për kalime tranzit, por edhe të shmangies së rrethanave të pakëndshme, mundësive te kthimit mbrapa apo ballafaqimeve me probleme të tjera në pikat kufitare të Evropës dhe jo vetëm.

Duke ju njoftuar dhe marrë parasysh faktin se transporti tokësor kërkon pëlqimin paraprak të shtetit tranzit, nisja për në Kosovë mund të bëhet vetëm me pëlqimin e autoriteteve kompetente të Kosovës, të cilat në bashkëpunim me shtetin dhe ambasadat e huaja sigurojnë kalimin e lire të personit/personave të caktuar.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, deri në një njoftim të radhës tjetër, me mirëkuptim kërkojmë që t’i përmbaheni rekomandimeve dhe thirrjeve të tilla institucionale.

Ambasada e Kosovës në Otava