Farsa me votën e diasporës - Nga Jeta Dedja

- Nga: Jeta Dedja-Kryeredaktore Flasshqip
Në rastin e Shqipërisë, vota e diasporës do të ndikonte fuqishëm rezultatin zgjedhor, për shkak se përbën shumicën e numrit të zgjedhësve, por a ka kjo diasporë shanse reale ndikimi në përmbysjen e regjimit ramist? A duhet të ketë besim diaspora se vota e saj do të mbrohet dhe se vota e saj do të shkojë atje dhe për kë ajo do?
Unë besoj se aktualisht gjithçka po flitet e merret vendim për votën e diasporës është një farsë politike për tre arsye:
E para lidhet me operacionet korruptive të instaluara në çdo qelizë të regjimit ramist. Flitet se vota e diasporës do të dërgohet me postë gjë që nuk garanton transparencë dhe rrit mundësitë për manipulime. Ndërkohë, sistemi zgjedhor me 1/3 lista të mbyllura nën bekimin e opozitës është i kalkuluar në interes të atyre që kanë qenë, janë dhe do të jenë në pozita pushteti, sipas gjasave. Pra çfarëdo vote të vijë nga jashtë nuk besoj se do t’i zhbalancojë fuqitë e brendshme. Partia do vendosë kush do përfaqësojë kë.
Arsyeja e dytë është bashkëfajtorësia e opozitës e cila ka dorëzuar “armët” e lëshuar territore regjimit ramist në mbrojtje të interesave të tyre personale duke mos patur e krijuar asnjë bashkëpunim të qenësishëm e qëndrueshëm me diasporën. Është kjo opozitë që "de jure" i fal atributet e demokracisë asaj që realisht është autokraci.
Dhe arsyeja e tretë lidhet me tipologjinë e diasporës shqiptare e cila në opinionin tim ndahet në 4 kategori sipas periudhave të emigrimit:
1-Ëndërrrimtarët e botës së panjohur dhe Komunistët; përbëjnë një shumicë duke konsideruar dhe zgjerimin e familjeve të tyre me anëtarë votues. Këtij grupi u ka ndaluar sahati dhe data në kohën e largimit dhe janë nostalgjikë të së kaluarës. Ata që ishin ëndërrimtarë dhe u eci emigrimi do të votojnë djathtas, të tjerët do të votojnë gjithmonë majtas. (Shënim: ka dhe përjashtime).
2-Berishofobët dhe të Frikësuarit e ’97-tës; Mes këtyre gjenden mbështetësit e parrullës “Fajin e ka Saliu” do të votojnë majtas pavarësisht se kush, çfarë dhe si janë punët. Në këtë grupim ka gjithashtu edhe demokratë të parë që morën rrugët të frikësuar nga bandat e ’97.
3-Të Zhgënjyerit dhe kundërshtarët e regjimit Ramist; ka të ngjarë të mos jenë të zellshëm për të votuar në 2025 duke patur nivel të lartë mosbesimi në sistemin dhe logjistikën zgjedhore. Rama këtë e di dhe e ka llogaritur.
4-Të tjerët; janë ajo masa gri që ekziston kudo, ata që lëkunden sa majtas e djathtas në bazë të përshtypjeve momentale a sezonale, ata që bëjnë një palë pushime në Shqipëri dhe mahniten nga kullat e fasadat shumëngjyrëshe. Këtu janë edhe naivët dhe idealistët e shkëputur nga realiteti që lehtësisht përdoren nga politika.
Pra si përfundim, me votat e kësaj diaspore në zgjedhjet e 2025, të cilat duket se do të dërgohen në postën e kontrolluar nga Rama, do të numërohen nga komisione zgjedhore të kontrolluara nga Rama, regjimit ramist do t’i shtohet një argument më tepër të propagandojë se u shpreh vullneti i shumicës dhe të besojë se vendi ka një sundimtar absolut. Ndërkohë qytetarëve të Shqipërisë do t’u ngarkohet në shpinë një peshë e shtuar edhe prej zarfeve të diasporës.
@Jeta Dedja/Flasshqip.ca