Kanada

Në 25 vjetorin e Operacionit “Parasol” - Nga Taulant Dedja

  • Published in Kanada

Fjala e mbajtur në Halifax (Nova Scotia) më 11 maj 2024, në aktivitetin përkujtimor të organizuar në ambientet e Muzeut Kanadez të Imigracionit Pier 21, me rastin e 25 vjetorit të Operacionit humanitar “Parasol” të organizuar nga qeveria e Kanadasë dhe të realizuar nga Forcat e Armatosura Kanadeze në ndihmë të refugjatëve të Luftës së Kosovës në vitin 1999.

Të nderuar pjesëmarrës,

Së pari do të doja t’i përgëzoja organizatorët për idenë e një eventi të tillë dhe t’i falenderoja për ftesën. Është kënaqësi të ndodhemi familjarisht sot midis jush dhe që më jepet rasti të përshëndes e të shpreh disa mbresa, mendime e konsiderata.

Nga perspektiva e përgjithshme për shqiptarët si komb dhe në veçanti për shqiptarët e Kosovës, një takim si ky është domethënës sepse përkujton një moment dramatik dhe një kthese historike. I tillë ishte konflikti ushtarak dhe politik që provokoi krizën humanitare të Kosovës në vitin 1999, krizë që arriti përmasat e një spastrimi etnik dhe genocidi të ushtruar nga ushtria e Ish-Jugosllavisë ndaj një popullsie të pafajshme autoktone.

Kjo krizë edhe pse me kosto të lartë sakrificash dhe rezistence, falë ndërhyrjes përcaktuese të një koalicioni ndërkombëtar shtetesh të Perëndimit demokratik, përfshi dhe Kanadanë, gjeneroi një zgjidhje të paimagjinueshme deri në atë moment për nga reperkusionet që solli më pas.

Tropojë, korrik 1998 - Me ministrin e Punëve të Jashtme të RFGJ Dr. Klaus Kinkel

Nga perspektiva kanadeze, ky takim përkujton Operacionin “Parasol”, të drejtuar nga Forcat e Armatosura Kanadeze, operacion përmes të cilit qeveria kanadeze ofroi strehim në Kanada për afro 5500 refugjatë kosovarë. Duke përfshirë edhe ata që erdhën me Programin e posaçëm të bashkimit familjar, numri i tyre e tejkaloi shifrën 7000.

Është me vend të nënvizohet, që për Kanadanë, Operacioni “Parasol” krijoi një precedent të rëndësishëm. Ishte hera e parë që qeveria kanadeze merrte pjesë në një program evakuimi humanitar emergjent për të ofruar mbrojtje të përkohshme ndaj individëve që largoheshin masivisht nga vendi i tyre në kushte lufte.

Kanadaja gjithashtu u përfshi në krizën e Kosovës si pjesëtare e Forcës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën (KFOR), me pilotë që kryen misione luftarake mbi ish-Republikën Federale të Jugosllavisë si dhe duke dislokuar trupa dhe tanke në terren, dislokim që konsiderohet si më i madhi jashtë territorit të vendit që nga Lufta e Koresë (1950-1953).

Në planin personal, ky takim më kthen pas në vitet e stuhishme 1998-1999. Asokohe, në emër të shtetit shqiptar, fillimisht si Përfaqësues i Plotfuqishëm i Qeverisë në Veri dhe më pas si Zëvendësministër i Pushtetit Lokal, ushtrova përgjegjësinë e drejpërdrejtë për koordinimin dhe administrimin në terren të krizës së refugjatëve nga Kosova. Kriza nisi me valën e parë prej rreth 30,000 mijë vetësh që mbërritën në Tropojë në periudhën maj-shtator 1998, e më pas vazhdoi me valën e dytë prej rreth 600,000 vetësh, që u zhvendosën drejt Shqipërisë në pranverën e vitit 1999, duke u shpërndarë thuajse në gjithë territorin e saj.

Edhe pse të ardhur nga një klimë terrori, shqiptarët e Kosovës në kushtet e të qenit refugjatë dëshmuan një dinjitet epik që kurrë s’mund ta harroj. Ndërkohë, shifrat zyrtare të UNHCR janë më të vogla, sepse kanë marrë për bazë kryesisht numrin e të strehuarve nëpër kampe, pa llogaritur që qindra mijëra të tjerë u strehuan në shtëpitë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, të cilët treguan një mikpritje vëllazërore dhe humanizëm të pashoq.

Kriza ishte e përmasave të tilla, saqë pa mbështetjen dhe solidaritetin e qytetarëve të vet, qeveria shqiptare do ta kish shumë të vështirë ta përballonte atë, sepse ngjarjet precipituan me një shpejtësi të paimagjinueshme, në një territor 28,000 kilometra katrorë me popullsi rreth 3 milionë banorë.

Sa për ilustrim, po bëj një krahasim: imagjinoni ç’mund të ndodhë në Kanada nëse në hapësirën e 2-3 javëve mbërrijnë 6 milionë refugjatë… Sigurisht, ndihma dhe vëmendja e partnerëve ndërkombëtarë gjithashtu ishin përcaktuese në çdo aspekt. Sipas meje asnjeherë kombi shqiptar nuk ka patur aq vëmendje dhe mbështetje ndërkombëtare sa në vitet 1998-1999.

Nga perspektiva e komunitetit shqiptaro-kanadez, ky takim është shprehje e mirënjohjes së pakufishme ndaj Kanadasë që na u gjend pranë në ato momente të vështira, edhe pse mijëra kilometra larg nesh, duke dhënë një kontribut, që asnjë vend tjetër nuk e dha në formën që e dha Kanadaja.

Sot pas 25 vjetësh, Kosova ka bërë përparime të jashtëzakonshme, të cilat kam bindjen se politika dhe diplomacia kanadeze i kanë vlerësuar dhe vazhdojnë t’i vlerësojnë përmes një mbështetjeje evidente.

Është evidente sot të konstatosh gjithashtu se sa të integruar në shoqërinë kanadeze janë të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu, e pa dyshim dhe ata prindër e fëmijë të cilëve para 25 vitesh Operacioni “Parasol” u ndryshoi jetën për mirë, njëherë e përgjithmonë. Si shqiptar jam shumë krenar për ta.

Si shqiptaro-kanadez, jam krenar gjithashtu dhe mendoj se Operacioni “Parasol” dhe njohja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nga Kanadaja, janë dy faqet më të ndritura të kontributit kanadez për kombin shqiptar.

Ju falemnderit!

© Taulant Dedja

Fotot: AP; Qeveria e RFGJ