Humbëm ndeshjen, por fituam ekspertë - Nga Lutfi Dervishi
Ndërkohë që debatohet dhe plas sherri edhe për një çadër plazhi vendi është më i bashkuar se kurrë në sportin e preferuar: dhenien e mendve nga karrikja, me moton: “e lehtë si puna e tjetrit”…
Lojtarët e Kombëtaren humbën përballë kampionëve të Europës, por kombi po fiton ekspertize të vyer në fenë e vërtetë të tij, futbollin.
Në vijën e parë janë rreshtuar këngëtarët, njerëzit e botës së spektaklit.
“Po të kishim dalë në Eurovizion me këtë performance do të na kryqezonin në Rinas”, tha një këngëtare e njohur. “Silvinjos nuk iu dëgjua zëri në fushë. Po të pinte ujë të ngrohtë para ndjeshjes dhe të hante çokollate të zezë, kordat e zerit do t’i kishte më të lira dhe do të kishte më shumë energji për shkak të rritjes së nivelit të sheqerit. Për mua nuk e kaloi klasën”.
Ndërkohë, influencerët e Instagram-it dhe TikTok thanë se humbja erdhi për shkak se ekipi nuk ishte fokusuar sa duhet me prezencën në rrjetet sociale për t’i “kompleksuar” kundërshtarët.
Gjyqtarët dhe prokurorët, (qe kanë kaluar Vettingun), dhane verdiktin e tyre për mbrojtësin e djathtë Hysaj:
“Ulja e kokës pas gjuajtje së sulmuesit italian Barrela, ndonëse në dukje veprim instiktiv në të vërtet ishte krim i konsumuar në sytë e 50 mijë dëshmitareve. Neni 282 i kodit penal, shpërdorimi detyrës”.
Një avokat i njohur si mbështetës i opozitës kërkoi që SPAK të hapë urgjentisht hetimet për konspiracion.
“Kam parë një foto të kryeministrit me mbrojtesin Hysaj, mesfushorin Ramadani dhe sulmuesin Broja. Kemi të bëjmë me korruptim të të gjithë sektorëve të fushës. Dihet që Edi Rama para interesave të Melonit dhe Italise nuk vë as veten. Ndeshja nuk është shitur, por dhuruar. Ky është Gjadri nr. 2”.
Korit të kritikave iu bashkuan edhe pedagogët:
“Mesfusha ishte po aq e dobët sa dhe rezultatet e Pizës në arsim”, shkroi njëri prej tyre me titullin Dr., duke sugjeruar masa të rrepta disiplinore “vetëm për lojtaret që bënë pasime të gabuara”.
Një analist politik tha se “Strategjia e ekipit ishte po aq e dobët sa lufta ndaj korrupsionit. Fjalët që degjuam ishin shumë të bukura, por ajo që pamë ishte katastrofë”.
Një analist tjetër mbeshtetës legjendar i reformave 12 vjeçare të qeverise, kritikoi lojtarin më të mirë, Brojën.
“Qasja e tij ndaj Italise duhej të ishte po aq e sofistikuar sa ajo që përdor Rama në diplomaci. Kryeministri edhe pse i vetëm shkelqen para gjithë të medhenjve. Broja nuk u ngrit dot në lartësinë e Rames. Kaq e thjeshtë është”.
Për ndeshjen dhanë mendime edhe disa trainerë e ish-futbollisteve të njohur, por ata u injoruan pasi u vlerësuan se janë në konflikt interesi me çështjen.
Njeriu më i shqetësuar nga dallga e komenteve dhe cunami i analizave është Pirro Misha.
“Uroj të mos më kërkojnë që të arshivoj këshillat për Kombëtaren sepse mund të mbushet me material dy herë Biblioteka Kombëtare”.
© Lutfi Dervishi