Forca ku duhet të vazhdojnë të besojnë shqiptarët - Nga Erion Dasho
Dy herë shqiptarët i kanë besuar Sali Berishës dhe të dy herët Shqipëria ka pësuar transformime të përmasave historike. Për të qetësuar disi ata që mezi presin pohime të tilla për të nisur logorenë e komenteve, po e deklaroj paraprakisht se të dy qeverisjet e Berishës kanë patur edhe gabime.
A mund të mendohet të gjesh sot një intelektual që të zëvendësojë Kim Jong Un, i cili ta transformojë brenda një viti Korenë e Veriut në një demokraci dhe të mos bëjë gabime?!
Shqipëria e 1991 ishte Koreja e Veriut e 2024, ku disidenca nuk mund të imagjinohej dhe askujt nuk i shkonte ndër mend se një ditë mund të bëhej president, kryeministër apo ministër. Berisha dhe demokratët i dolën vendit për zot dhe duke mësuar të qeverisin, sigurisht bënë edhe gabime.
Në vitin 2005, Berisha e mori sërish shtetin nga regjimi më kleptokratik që mund të mendohej. Nën drejtimin e papërgjegjshëm dhe aventuresk të Fatos Nanos, vetëm për qeverisje nuk flitej. Ngado vetëm vidhej dhe Edi Rama, i cili akuzohej se merrte "vetëm" 20% rryshfet, u zgjodh nga socialistët në krye si burri më i ndershëm.
Berisha sërish rindërtoi shtetin duke patur si objektiva madhorë komunikimin (internet, rrugë, telekomunikim) dhe integrimin (BE, heqje e vizave, NATO). Në tetë vjet pushtet, punët e mira dhe arritjet i stërkalojnë ato që mund t'i numërohen si gabime.
***
Sali Berisha i 2024-ës është një i burgosur politik i qeverisjes më kriminale që ka njohur ndonjëherë Shqipëria; i burgosur i hajdutëve të miliarda eurove, i grabitësve të rivierës dhe portit të Durrësit, i aleatëve të narkotrafikut dhe krimit ndërkombëtar.
Banda e kusarëve të “rilindjes” e ka izoluar Sali Berishën, sepse pikërisht tek ai sheh rrezikun që mund ta çojë drejt rrënimit. Sali Berisha që pa parti, pa vulë, pa financime dhe pa numërues, mori qindra mijëra vota në 2023, ofron garanci se në zgjedhjet e 2025-ës do t'i drejtojë opozitarët tek fitorja.
Historia njeh shembuj rikthimesh të burrave të fortë të shtetit. Më i njohuri është rikthimi i de Gaulle, për të rivendosur dinjitetin dhe prestigjin e Francës. Rikthimi i fundit më spektakolar është ai i Dr. Mohamad në Malajzi, që në moshën 93 vjeçare fitoi zgjedhjet dhe mori mandat për të ndëshkuar hajdutët që kishin vjedhur miliarda dollarë nga Fondi i zhvillimit kombëtar.
***
Fitorja e Sali Berishës me drejtësinë e korruptuar të boratëve, i riktheu vulën dhe legjitimitetin opozitës. Opozitarëve u tregoi edhe njëherë se cila është forca rreth të cilës duhen të bashkohen shqiptarët që duan ndryshimin.
Çdo forcë e deklaruar opozitare tani ka një gur prove dhe ky gur prove është Partia Demokratike. Ai që sulmon sot Partinë Demokratike dhe Sali Berishën, indirekt i shërben kleptokracisë kriminale të Boratit dhe duhet të dënohet me izolim.
Zgjedhjet e 2025-ës janë në prag dhe numërimi mbrapsht ka nisur. Një opozitë e bashkuar e ka plotësisht të mundur ta dërgojë Boratin dhe “rilindjen” aty ku e kanë vendin, fillimisht në opozitë dhe më pas, në bankën e drejtësisë.
Pavarësisht se do ta drejtojë këtë fushatë nga burgu i “rilindjes”, Sali Berisha do të vazhdojë të frymëzojë demokratët drejt fitores së radhës si në 1992 dhe në 2005.
Këtë Borati dhe “rilindësit” e dinë shumë mirë dhe prandaj kanë nisur të sillen si minjtë para stuhisë...
© Erion Dasho












