Andej-Këtej

Euro 2024 dhe rezultatet e zgjedhjeve evropiane në debatin publik - Nga Auron Dodi

Mediet gjermane për performancën shqiptare në Euro 2024

Mediet gjermane i kanë ndjekur me kuriozitet dhe me dashamirësi ndeshjet e kombëtares shqiptare në Euro 2024. Janë komentuar me simpati edhe sportdashësit, tifozët shqiptarë. SZ, Bildzeitung, Die Zeit, Tageszeitung, Welt kanë shkruar komente. Për ndeshjen me Italinë, gazeta Bild shkruan se “vërtet shqiptarët e humbën (1:2) ndeshjen, por rekordin, për golin më të hershëm në një kampionat evropian, nuk do t'ua marrë dot njeri kaq shpejt”. Në podcastin e futbollit të Bild-Zeitung, reporteri shprehet për ndeshjen në Dortmund: “Një festim si ky i golit? Nuk më kujtohet të kem përjetuar ndonjëherë diçka të tillë. Këtu pësoi kolaps gjithçka. 50.000 shqiptarë në stadium, eja përfytyroje njëherë këtë. Pa fjalë”. “Kështu festohet një gol rekord”. Komentatori i televizionit publik ARD u shpreh për futbollistët dhe tifozët shqiptarë: “ata luftojnë edhe për vendin e tyre”. Dhe tregoi pamjet, se si streha prej betoni e stadiumit në Dortmund - mbi trajnerin italian - dridhej si tërmet për minuta me radhë, pas golit shqiptar.

Reporteri i gazetës Die Zeit shkruan në nëntitullin e shkrimit, për golin në ndeshjen me Italinë: “Shpesh nevojitet momenti i duhur, për të krijuar histori. Shqipëria e arrin këtë kundër Italisë”. Më tej vazhdon: “Ka autokolona dhe ka autokolona shqiptare. Ligë më vete... Të paktën dy, flamuj të kuq me shqiponjën dykrenare vareshin nga makina ose mbi motor”. Dhe më tej: “Favoriti në futboll ishte mbrojtësi i titullit, Italia, por trajneri brazilian i shqiptarëve, Sylvinho, ka ndërtuar një ekip të guximshëm dhe synon gjëra të mëdha”. Frankfurter Allgemeine Zeitung komenton rezultatin 2:2 të Shqipërisë me Kroacinë me titullin: “Shpërblimi i vontë i shqiptarëve”. Dhe më tej: “...i njëjti Gjasula shënoi në kohën shtesë, barazimin e merituar të shqiptarëve trima... Shqipërinë e pret Spanja, megjithëse ekipi impresionues i trajnerit brazilian Sylvinho, mund ta ndiejë veten që tani, si fitues të këtij turneu”.

Rezultatet e zgjedhjeve evropiane preokupojnë opinionin në Gjermani

Partitë në qeveri në Gjermani arritën rezultate nën pritjet në zgjedhjet për Parlamentin Evropian: 13,9% Socialdemokratët (SPD),11,9% të Gjelbrit, 5,2% Liberalët e FDP.  Numri 1 ishin opozitarët e CDU/CSU.

Shpjegimi kryesor për fitoren e tyre shihet te një pakënaqësi aktuale me qeverinë dhe pesimizëm i qytetarëve. Vetëm 12% e personave me të drejtë vote e shohin sivjet si të mirë situatën e përgjithshme ekonomike. Në zgjedhjet e kaluara evropiane, 5 vjet më parë, të mirë situatën ekonomike në Gjermani e shihnin 59% (Forschungsgruppe Wahlen). Vetëm 34% e personave me të drejtë vote mendojnë sivjet se Gjermania ndodhet në situatë më të mirë, se fqinjët evropianoperëndimore. Në vitin 2019 qenë 73%.

Motivi kryesor për votim në këto zgjedhje evropiane qenë temat nacionale të Gjermanisë. Sipas institutit Infratest dimap, 55% thanë se kishin votuar nisur nga tema kombëtare, vetëm 38% qenë nisur nga tema evropiane.

Kush e zgjodhi CDU-në konservatore dhe ku në Gjermani?

Partitë konservatore CDU/CSU, i fituan këto zgjedhje me 30%, pra shumë para, partive të tjera. Partitë unioniste i zgjodhën të gjitha grupmoshat, po të tërheq vëmendjen që me 17% i zgjodhën më shumë, nën 25 vjeçarët. Dhe me mbi 40%, mbi 60 vjeçarët. Nga profesionet: konservatorët janë në vend të parë për punonjësit e administratës, nëpunësit civilë dhe personat në profesion të lirë. CDU/CSU fitoi në landet më të mëdha të Gjermanisë: Bavari, Baden-Vyrttemberg, Renani-Veriore-Vestfali dhe Saksoni e Poshtme. Më shumë vota fitoi në Perëndim, 32,4% se në Lindje të Gjermanisë, 20,7%. Konservatorët shtuan 5,9% mbështetje krahasuar me zgjedhjet parlamentare 2021. Dhe 1.1% se në zgjedhjet e kaluara evropiane (2019).

Çfarë i tërhoqi zgjedhësit te CDU/CSU?

Pikërëndesa e CDU është zhvendosur qartë në të djathtë, që kur kryetar i saj është bërë Friedrich Merz. Kjo si duket, përshtatet me Gjermaninë tani. Në maj CDU miratoi një program të ri partiak. Në program CDU kërkon p.sh. që procedurat për azilkërkuesit e Gjermanisë, të zhvillohen në vende të tjera, të treta. Gjithashtu integroi në program elementin e “kulturës orientuese” gjermane “Leitkultur” për të huajt. Kërkon që të huajt ta pranojnë atë pa rezerva, gjë “që përfshin ndërgjegjësimin për përkatësinë ndaj atdheut, njohuri të gjuhës gjermane dhe njohjen e së drejtës për ekzistencë të Izraelit”. Mbështetja për Merzin është e përmbajtur, por shifrat e zgjedhjeve e bëjnë kryetarin e CDU, kandidat potencial për kancelar.

Si shpjegohet kjo mbështetja e gjerë për AFD, partinë ultra të djathtë dhe kundër të huajve

AFD-ja, mori 15,9% të votave. Doli gjithsesi e dyta pas CDU-së. AFD arriti rezultatin më të lartë prej themelimit në 2013-ën, në një zgjedhje kombëtare në Gjermani. Në krahasim me zgjedhjet e fundit evropiane (2019) mori 5,9% më shumë vota. Shtesa në vota për AFD erdhi kryesisht nga ish-votues të Socialdemokratëve dhe CDU/CSU. 570.000 votues nga secila nga këto parti kaluan te AFD. Kaluan te AFD dhe pak votues nga partia E Majta. Nga grupmoshat, AFD e zgjodhën dukshëm moshat: mesi i 30-ave dhe mesi i 40-tave. E zgjodhën dukshëm shumë nën 25 vjeçarët. Dhe ata që e shohin gjendjen e tyre ekonomike jo kaq të mirë.

Sipas një analize të fondacionit Friedrich Ebert (pranë Socialdemokratëve), “AFD-ja po zë rrënjë si një parti e qëndrueshme, në spektrin partiak gjerman. Ajo nuk është më vetëm një shprehje e zërave të protestës dhe pakënaqësisë”. Edhe në një analizë të Fondacionit Konrad Adenauer (pranë Konservatorëve) konstatohet se “mbështetësit e AFD ndihen të lidhur nga përmbajtja dhe emocionalisht me partinë dhe politikanët”. Në Bruksel kjo parti do të dërgojë tani 14 deputetë, në vend të 9 deputetëve që kishte më parë.

Për momentin kemi një zhvillim të rëndësishëm. Po nëse AFD nuk i kthen dot në pushtet politik votat, duke krijuar koalicione për të ardhur në pushtet - problem i përhershëm i spektrit ultra të djathtë - rezultati i saj mbetet vetëm i rëndësishëm.

© Auron Dodi - DW Shqip