Sport

Përballë super Spanjës - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini 

Nesër (24.06), djemtë e Kombëtares sonë do të përballen me “furitë” spanjolle. Një ndeshje që do na lerë pa “frymë” për atë që Spanja ka shfaqur, si dhe për të vazhduar endrrën që për të parën herë të kalojmë fazën e grupeve.

Spanja deri tani është paraqitur si një makineri perfekte që mund të “shtypë” me lehtësi edhe ekipet e mëdha. Loja e saj ndaj Italisë ishte me shumë se spektakolare. Dukej sikur lojtarët e Spanjës kishin “fshehur” topin dhe italianët pluskonin si varka pa busull përballë dallgëve që lëshonte super jahti spanjoll.

Megjithëatë ky është vetëm fillimi, pasi ekipet e mëdha nuk shfaqin gjithë potencialin e tyre që në fazën e grupeve. Dikur i madhi Maradona thoshte se nëse Italia kalon fazën e grupeve nuk ka forcë që e ndal. Përballë Kroacisë lojtarët tanë treguan karakter. Sidomos në 45 minutat e para, mbuluan mirë kundërshtarin, qarkulluan saktë topin, ndërtuan aksione, sakrifikuan dhe shënuan. Nëse do të luajmë edhe kundër Spanjës me të njëjtin impenjim e karakter, gjithcka eshtë e mundur.

Me emocione të forta kam ndjekur dikur në vitin e largët 86-të, përballjen Shqipëri-Spanjë në stadiumin “Qemal Stafa”. Gëzimi i madh për golin e Shkelqim Muçës pas një kombinimi perfekt me Mingën, u thërmua kur na shënuan dy herë në pjesën e dytë të lojës. Pas asaj përballje dramatike na mbeti si iluzion hareja e golit dhe zëri i ngjirur.

Potenciali i lojtarëve tanë të stolit si Hoxha, Broja, Balliu e Laçi që janë futur si zëvendësues nga trainieri, na lejon të shpresojmë. U uroj djemve tanë suksese dhe një falenderim nga zemra për emocionet e bukura që na kanë dhuruar. Ndoshta ka ardhur koha që të besojmë më shumë te drejtimi me emra shqiptarë. Besnik Hasi apo ndoshta Ilir Daja mund të ishin “timonierët” e kombëtares sonë nesër. Gooool!

© Ilir Gjini - Toronto