Andej-Këtej

Masa urgjente per prishjen e syrit te keq - Nga Thoma Gëllçi

Fejton

Kur u ça tubi 1000 milimetërsh i ujit në Vlorë dhe qyteti mbeti pesë ditë pa pikë uji as për të larë dhëmbët, as për të shkuar në banje, qeveria reagoi me shpejtësinë që e karakterizon vetëm në raste shumë serioze: mblodhi komisionin e ekspertëve për gjetjen e fajtorit metafizik. U përmendën reshjet e pazakonta, rrëshqitjet e dherave, amortizimi i rrjetit që ishte më i vjetër se disa ministra në detyrë, u përmend si gjithmonë shprehja “Gjithë fajin e ka Saliu”, por prapë sikur analiza nuk ishte shumë e thellë. Por pas tre orësh mbledhjeje dhe katër kafeve pa sheqer, kryeministri e mbylli diskutimin me një fjali epokale:

- “S’ka nevojë për analiza të gjata dhe as të mbytemi në një pikë uji. Është syri i keq. Vlorën e kanë marrë mësysh.”

Që nga ajo ditë, në Kryeministri u krijua një strukturë e re strategjike me vendim të posaçëm qeverie: Drejtoria e Shikimit të Filxhanit dhe Prishjes së Mësyshit Kombëtar. Zyra e saj u vendos në katin e dytë, aty ku më parë ishte zyra e Fugës. U pajis me tre karrige druri, një mangall portativ dhe një dollap me filxhanë turq të trashëguar nga koha e monizmit.

Në përbërje të drejtorisë u emëruan tre plaka me CV të pasur shpirtërore: njëra kishte prishur mësyshin e një autobusi në Berat në vitin ’97, tjetra kishte shpëtuar një krushqi nga syri i keq në Lushnjë, ndërsa e treta ishte legjendë në Fier për aftësinë për të lexuar llumin e kafesë.

Çdo mëngjes, para mbledhjes së qeverisë, tre plakat ulen mbi dosjet e projekteve infrastrukturore, tundin filxhanët, i përmbysin me solemnitet dhe shpallin parashikimin zyrtar të ditës:

- Këtu shoh një vijë të trashë… kjo është një media kazan e xhelozuar nga suksesi qeveritar!

- Jo moj, kjo njolla si rrufe është opozita, po na hedh energji negative mbi tubat!

- Le të jetë ç’të dojë! Do ta prishim me tymosje.

Pastaj ndizet mangalli, hidhet kripë, sherbelë dhe një copë qepë për çdo rast si dhe nje kollare e vjeter e kryeministrit, ndërsa një nga ndihmësit  mban shënime.

Kur ndonjë tub tjetër çahet, nuk thirret më hidrauliku, por Task-Forca e Mësyshit. Tre plakat mbërrijnë me urgjencë qeveritare, bëjnë rreth tubit një rreth me shkumës, e prekin tri herë me filxhan dhe shpallin diagnozën:

- Është mësyshje e rëndë, e ardhur nga fqinjët xhelozë për sukseset. Kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Qeveria u kujdes qe bashke me tubin të silleshin nga Turqia edhe tre xhezve, me të cilat u pajis drejtoria kundër yshtjes dhe magjive.

Tani tre plakat nuk merren më vetëm me tubat e ujit, por janë ngarkuar me një mision edhe më delikat: të yshtin Diellën, ministren AI që është në muajt e fundit të “shtatzanisë digjitale”, dhe t’i heqin mallkimin që, sipas ekspertizës shpirtërore të qeverisë, ka zënë të gjithë AKSH-in. Çdo pasdite ato rrinë rreth serverëve, u fryjnë kabllove optike si foshnjeve me dhimbje barku dhe i luten algoritmit që të lindë pa defekte, sepse nëse edhe Diella del me mësysh, rrezikon të mbetet pa ujë jo vetëm Vlora, por edhe vetë sistemi shtetëror, nga filxhani deri te databaza.

© Thoma Gëllçi - SHBA