Andej-Këtej

Pse gjel deti? - Nga Arben Kallamata

Shpendi që në shqip quhet me emrin e gjatë “gjel deti” e ka origjinën në Amerikën e Veriut. Ai jeton në gjendje të lirë në një territor të gjerë. Pjesa tjetër e botës nuk dinte gjë për ekzistencën e gjelit të detit përpara se të zbulohej Amerika, ose më saktë, përpara se në atë pjesë të botës të shkelte Kolombi. Por Kolombi nuk e kishte idenë që kishte zbuluar ndonjë kontinent të ri. Ai ishte i bindur që kishte mbërritur në brigjet e Indisë. Prandaj për një kohë të gjatë evropianët u referoheshin tokave të reja si Indi, njerëzve që jetonin atje si indianë dhe gjithçkaje që vinte prej andej si e ardhur nga India.

Në shumë kultura të botës gjeli i detit ka emër që e lidh me Indinë. Në rusisht quhet Indeyka, në frëngjisht poulet d’Inde (pulë nga India), në turqisht Hint tavugu (po ashtu pulë nga India). Por gjërat ngatërrohen pak. Në një fare mënyre anglishtfolësit kanë qenë të bindur që shpendi nuk vinte nga India, por nga Turqia. Prandaj britanikët, amerikanët, kanadezët, australianët dhe disa vende anglishtfolëse të Afrikës e quajnë Turkey. Skandinavët dhe holandezët janë më specifikë - ata kanë menduar se vjen nga Kalkuta e Indisë, prandaj e quajnë Kalkun. Portugezët mendonin se vinte nga Peruja, prandaj në Portugali, në Brazil dhe në Indi (ku ka pasur prani të portugezëve përpara britanikëve) i thërrasin Peru. Në Indonezi e quajnë Holandë, sepse mendojnë që iu ka ardhur nga holandezët. Në arabisht i thonë Dik Rumi (gjel roman) sepse kanë menduar se vjen nga Roma.

Në fëmijërinë time në Korçë gjelit të detit i thonin Miskë. Im atë më shpjegonte se kjo fjalë vjen nga Misir, që është fjala nga arabishtje dhe nga turqishtja që shqiptarët e përdornin për Egjiptin. Dhe kjo përdorej sepse ishin të bindur që gjeli i detit vinte nga Egjipti. Megjithatë, më vonë, ndoshta duke dashur të heqin dorë nga fjalët turqisht ose arabisht (hamendësimi im) i kanë rënë shkurt dhe e kanë quajtur gjel deti, domethënë shpend që vjen nga deti. Ndoshta është nga emërtimet më të sakta.

Actekët e Meksikës e kishin zbutur gjelin e detit dhe e rrisnin në shtëpitë e tyre shekuj përpara se të mbërrinin evropianët. Ata e quanin Huehxōlō-tl, fjalë që spanjollët e shqiptonin guaholote (shkruhet guajolote). Në gjuhën Anishinabi të popujve Oxhibve quhej Mizise, por ka me qindra emra të tjerë në gjuhët e ndryshme të vendasve të kontinentit.

© Arben Kallamata