Kolumnist

Shqipëria ka ftohtë, ne bëjmë gër-mër - Nga Vangjush Saro

Jemi duke kapërcyer një fatkeqësi të pamatë. Dhe jemi në pikun e dimrit. Po jetojmë një dimër të dyfishtë, si të thuash një dimër në katror: një që është i natyrës dhe një tjetër që e kemi krijuar vetë. Por çfarë ndodh ndërkaq? Ku është mendja e shqiptarëve? Në masë, ata i kanë sytë te bota, pa le ç’do të thotë e ç’do të bëjë ajo… E çuditshme, por për hallet që kanë mbërthyer vendin tonë, nuk ndjehen as aleatët, as miqtë, as armiqtë. Kështu, nuk janë parë në terren asfare forca të huaja apo reparte a mjete të ndonjë shteti tjetër, qoftë edhe fqinj. E të thuash se ishte e pakët ajo që ndodhi dhe që vendi mezi po e kapërcen! Aleatët, ambasadat, gjithnjë mjaftohen me ndonjë mesazh “inspirues” dhe sidomos duke paralajmëruar qytetarët e tyre që të kufizojnë lëvizjet dhe të bëjnë kujdes. Kaq.

Siç shihet, hallet tona, përgjithësisht, na mbeten po neve. Shqiptarët i mbajnë sytë nga bota, nga Amerika, flasin shumë për Presidentin Trump, për BE-në, për konfliktet botërore, etj., por ato ujërat dhe atë baltën, po e heqin vetë. Dhe po shteti i tyre vetë duhet të mendojë e të përgjigjet për dëmshpërblime, për rindërtime dhe mbase edhe për… një zgjidhje politike. Dhe po opozita e tyre, teksa grindet papushim, është po ajo që kërkon një model tjetër drejtimi dhe, gjithaq ajo, që duhet të gjejë gjuhën me atë qeverisje(n) që nuk po shkon mbarë….

Ndërkaq? Hej Zot, halli hall dhe tangërlliku tangërllik. Popull i madh në çdo forum e në çdo temë. Dyndje e paparë për të ndarë me doemos ç’është kështu e ç’është ashtu. Ku e kishim fjalën: Përmbytja, miqtë, armiqtë? I ke aty të gjitha mediat dhe, po ashtu, kusurin e popullit analist; për të dhënë mend, njëri më i ditur se tjetri. Njerëzit kanë hequr këto ditë të zitë e ullirit, ata bëjnë teori; ose përfyten. Ky është një nga profesionet më të hershme të shqiptarëve. Edhe kur është rasti të sillet në bisedë e shkuara, pasuria e kombit, luftërat e tij - sherri sherr. Vjen në fokus emri i ndonjë shkrimtari të madh apo i ndonjë autori apo autoreje të njohur, që përpiqet të përcjellë mesazhet e veta? Ja tek ia behim ne sakaq, nga ana e anës, njëri më mendjendritur se tjetri, të gatshëm për të vendosur “ç’të bëjmë dhe si të sillemi me ata”?

Hidhni një sy edhe më parë e në çdo ngjarje. E kemi të garantuar zhurmën dhe rrotullat; njëri e hedh andej, tjetri e pret këtej. Mbase unë jam një naiv, por asnjëherë nuk e kam kuptuar dhe nuk shoh as përpjekje për ta ftilluar pse sillemi kështu, si agallarë, në cilëndo fushë? Çfarë je ti, miku im: gjeolog, bujk, sportist, arsimtar, mjek, jurist, këpucar? A nuk mund të na thuash së pari ndonjë gjë nga fusha jote; pastaj këtu jemi e flasim prapë për rrugët dhe ujin, për politikë e filozofi, për letërsi, gjuhësi e histori… Çdokush mund ta praktikojë lirinë e kohës dhe të rrjeteve; por pa shitur mend dhe pa pretenduar se është ai që po vë pikën mbi I.

Më kujtohet si shkoi kur botova shkrimin “Shqiptarë, mblidhni mendjen!” dhe ndërkohë vazhdonim të diskutonim tema si këto më lart. Një nga miqtë e mi më të mirë, u mërzit pak me mua dhe më quajti “ekuilibrist”; një term që nuk do ta përfillja asnjëherë përpara atij “realist”… Fundja, e shumta, jam një pacifist i pakorrigjueshëm. Por unë mendoj se shumica e atyre që rrahin ujë në hava, dhe jo vetëm në një temë, nuk e kanë mendjen te Shqipëria. Ata thjesht bëjnë zhurmë, duan të duken, të bëjnë hije disi më të gjatë nga sa e kanë, të shquhen ndër të tjerët, të fitojnë publik e ç’të mundin. Por mjerisht, ata e shtyjnë këtë popull e këtë publik - edhe kështu i çoroditur - të vërtitet rreth fakteve dhe vetes si një që s’di ku ka kokën e këmbët…

Për çfarë kemi nevojë ne: Për të mbajtur afër ata ose ato që mund të na japin një dorë mend e mund t’i tregojnë botës disa vlera apo për mishmashin ku s’mbetet amator pa u shitur dikushi? Do t’i japim ne fund persekutimit të njerëzve tanë, domethënë persekutimit komunist dhe atij të sotëm, demokrat? Më tej, na duhet neve sot një marrëveshje në opozitë apo një bisedë mes vedi, në tërësinë e problemeve që na kanë mbytur? A ka kohë më të mbarë se ky dimër për të shpëtuar nga i ftohti artificial, i shtirur? Nuk jemi ne të vetmit që s’merren vesh mes tyre dhe që përplasen vend e pa vend, me dhe pa arsye. Në këtë botë, çfarë nuk ka ndodhur e çfarë nuk ndodh. Por ka një kufi; dhe ka një çast kur vendi thërret: Mjaft! T’i hedhim krahëve një mbulesë, një besim, një shpresë… këtij trualli që ka ftohtë. Kaq e vështirë është?

© Vangjush Saro - Vancouver