Kolumnist

Përmbytja nga mbytja - Nga Ilir Gjini

Përmbytja që sapo përjetoi Shqipëria dhe pasojat që po i vuajnë ende shumë qytetarë, më solli ndërmend një episod rutinë sa herë që udhëtojmë me avion. Para nisjes, stjuardesat japin disa udhëzime në rast të avarive që mund të ndodhin. Për shembull në rast se avioni bën ulje emergjente në det, duhet të veshim jelekët e verdhë të shpëtimit. Edhe qeveria jonë e ndritur, më duket si një stjuardesë, që në raste përmbytjesh na ofron kamerdare e varka, sepse hidrovorët apo kanalet kullues që hanë miliona euro nuk funksionojnë. Nuk është çudi që për të përballuar përmbytjen e radhës, të shpenzohen miliona euro për kurse falas, që të gjithë të mësojmë notin!? Kjo nuk përbën ndonjë çudi, mjafton të sjell në kujtesën tuaj milionat që KESH shpenzoi për të blerë çokollata.

Forcat e natyrës janë ndonjëherë të pakontrollueshme dhe përmbytje ndodhin kudo, por ne përmbytemi më së tepërmi, sepse jemi mbytur nga korrupsioni dhe paaftësia. Përmbytemi se kemi përmbytur administratën me patronazhistë me diploma të blera, duke e “pastruar” edhe ata pak specialistë që kishim. Përmbytemi se jemi mbytur nga korrupsioni galopant që ka përfshirë çdo kapilar të administratës.

Shikoni përmbytjen e Durrësit! U shpenzuan 19 milion euro, por hidrovori nuk funksionoi. Hidrovorin e vjetër të Socializmit që ishte studiuar e ndërtuar mirë nga specialistët e dikurshëm, e prishën sepse duhet t’ia jepnin tokën oligarkut Kastrati, që të ndërtonte depozita nafte. Hidrovori i ri edhe nëse do funksoiononte, nuk do ta shpëtonte qytetin nga përmbytja, sepse eshtë ndërtuar në një kuotë më të lartë nga hidrovori i vjetër, që duket se funksiononte. Për Kastratin dhe disa oligarkë të tjerë as opozita nuk guxon të flasë.

U përmbyt dhe Gjirokastra, qyteti që vetë pjerrësia e madhe e shpëton nga përmbytja. U përmbyt se nuk qenë pastruar shtretërit e përrenjve dhe pritat malore. Se është ndërtuar pa kriter dhe janë bllokuar kanalizimet. Edhe udhëheqësi i dikurshëm Hoxha që qe profan nga ndërtimi, kur vizitoi Gjirokastrën në vitin 1978 dhe pa ndërtimet në lagjen 18 Shtatori tha: “E keni pyetur përroin e Çullos? Se ka bërë vaki që ka sjellë shpella gjer në fushë!” Mirëpo sisetmi kriminal i Hoxhës, kishte vënë në krye të punëve specialistë e inxhinierë, kurse regjimi fasadist i Ramës, patronazhistë.

Muaj më parë, Emin Kokalari, aktivist i shoqërisë civile, vuri alarmin për pastrimin e pritave malore, po askush nuk e dëgjoi. Prandaj mos u çudisni kur në përmbytjen e radhës të ofrohen kurse falas për të mësuar notin. Po na përmbytin jo vetëm të sotmen, po edhe të ardhmen. Po ndërtojnë gjoja aeroporte fantazmë si ai i Kukësit dhe po mbyllin porte si ai i Durrësit. Ndërtojnë një port në Porto Romano me 1 km linear linjë për përpunimin e anijeve dhe mbyllin portin aktual që ka 4 km linear linjë të tillë!? 

O tempora, o mores!

© Ilir Gjini - Toronto

Tagged under Flasshqip.ca Ilir Gjini