Andej-Këtej

“Open to work” - Nga Bamir Bebeziqi

Para 20 vjetësh hapa një profil në LinkedIn, një nga platformat më të fuqishme ku individë apo firma përpiqen të shesin veten. Punëmarrësit për çdo aplikim për punë të punëkërkuesit, të parën gjë që bëjnë shkojnë në LinkedIn e përpiqen të mësojnë pak më shumë për personin i cili ka dalë në treg të punës.

Profili im është shumë i varfër. Arsyeja? Nuk jam në treg të punës. U bënë gati 20 vjet që punoj në të njejtën kompani e aty kam ndër mend të dal në pension, por megjithatë më vijnë shumë kërkesa sidomos nga Shqipëria për t’u lidhur. Kur kam kohë i lexoj jetëshkrimet e më vjen keq që pjesa më e madhe e tyre kanë në foton e profilit një “Open to work”.

Kuptohet se janë individë që kërkojnë për punë e në njerën nga strategjitë e tyre për punësim është rritja e rrjetit të tyre njohës. Ndoshta dikush, ndonjë kompani e madhe punësimi apo edhe individë mund të jenë të interesuar për ta dhe një punë e ëndërruar mund të kthehet në realitet.

Janë rritur shumë “Open to work” edhe në Kanada. Shprehje kjo që diçka nuk po funksionon edhe në këtë vend të madh. Shumë ka ndryshuar Kanadaja këta 20 vjetët e fundit, sidomos pas vitit 2020. Por kur shikoj vajza e djem të mrekullueshëm nga Shqipëria që kërkojnë të punësohen më kap trishtimi. Ku do të gjejnë punë?

Pjesa më e madhe e punëkërkuesve janë nga profesioni i inxhinierisë, sidomos elektronikës, elektrikes dhe mekanikës. Në Shqiperi zor se gjen punë për ta dhe kërkojnë punë në çdo cep të globit, nga Kili i largët deri në Zelandë të Re, nga Dubai deri në Kinë, bile kërkojnë punë edhe në Afrikë.

Kur fillova studimet për inxhinieri elektronike në vitin 1981, më 1 shtator na mblodhën të gjithë studentët e vitit të pare, nga inxhinieria mekanike, elektrike, elektronike, metalurgjike dhe tekstile në sallën 207 të korpusit kryesor. Ishim më shumë se 400 studentë të rinj në atë sallë të tejmbushur. Atë vit filluan inxhinierinë edhe shumë studentë në degët ndërtim, hidro, gjeodezi, arkitekturë që u mblodhën tek Filologjiku dhe shumë studentë nga Gjeologji Miniera të degëve, shpim, kërkim nafte apo dega e minierave, e duke përfshirë edhe studentët e inxhinierisë pa shkëputje nga puna, mund të bëheshim gati 1000 studentë që fillonim vitin e parë. Një armatë e madhe vetëm në një vit.

Po ku do të punonin gjithë këta inxhinierë pas përfundimit të studimeve? Në sistemin komunist ku jetonim asaj kohë shteti kishte detyrim që të të punësonte. Secilit i sigurohej një vend pune, tjetër gjë e pëlqente apo jo. Por ja, ashtu ia dolëm, edhe ashtu kaluan vitet deri në vitin 1990.

Atë vit u ça perdja e hekurt e për herë të parë shqiptarët me hir apo pahir e kapërcyen gardhin e telave me gjemba dhe kaluan në anën tjetër. Në grupet e para të ikjeve, midis tyre kishte edhe inxhinierë, unë po kujtoj disa. I pari inxhinier i ikur ka qenë Adrian Qereshniku i cili hyri në Ambasadën italiane. Inxhinier Adriani nuk ishte dosido. Ai qe një kapacitet në elektronikë e fill pas tij, një tjetër kapacitet mori rrugët. Kam qenë vetë në aeroport atë ditë gushti 1990, pasi do përcillja  shokun tim të fëmijërisë Tan Mujkën, i cili kishte prerë biletën pa kthim për në Budapest. E bashkë me të ishte edhe inxhinieri i talentuar Esat Ferra. A ka patur ndonjë inxhinier Shqipëria me mendje aq pjellore sa ai? Edhe ai iku. Më pas inxhinierët filluan të emigronin në masë. Në tetor iku inxhinieri mekanik Arben Cenko, me pas inxhinieri elektrik Bardhyl Haxhihyseni, pas tij në shkurt 1991 ikën inxhinierët mekanikë Edmond Bello, Teodor Bixhili dhe inxhinieri elektrik Eduart Bejko. Në mars ikën me anijet plot të tjerë, si arkitekti artist Ilirjan Tetelli, inxhinierët mekanikë Edgar Mustafaraj, Lulzim Meçe, Ferdi Kadiu e Koço Dolani, e pak më vonë inxhinieri elektrik Zamir Peshkëpia si edhe inxhinieri mekanik Adrian Sulioti. Nga Elektronika iku shoku im i kursit Bardhyl Hamzaraj në Austri e Arben Kola në Greqi. Ikën shumë e vargu nuk përfundon me kaq, e nuk po dua të përmend më shumë emra. Përmenda veç miqtë e mi.

Për vete bëja pjesë në grupin që besonte se Shqipëria bëhet dhe do të bëhej. Nuk më shkonte mendja kurrë të ikja. I kam qarë me lot shokët e miqtë që më ikën asaj kohe, por graviteti i vendit tim ishte i fuqishëm e më duhej të zotëroja shumë energji, që të shkëputesha prej tij. Me ndryshimet që ndodhën asaj kohe, përpara secilit prej nesh që mbetëm në Shqiperi na u shfaq dilema: “Çfarë do të bënim?” A kishte nevojë Shqipëria për ne?

Ngadalë fillova të kuptoj e me keqardhje e them që ndjeva se po bëheshim të panevojshëm. Në bisedat e mia të gjata me mikun tim Bashkim Kopliku, zëvendëskryeministër i asaj kohe, një herë e pyeta:

-Çfarë do të bëhet me ne?

Ai e kishte përgjigjen në majë të gjuhës:

-Privatizo e bëj biznes. Bëj sallam!

-Po përse të gjithë biznes do të bëjmë? - i kthehem.

Një ditë më thotë se kishte biseduar me kryeministrin Aleksandër Meksi dhe i kishte shtruar idenë se kemi në Shqipëri një armatë të madhe inxhinierësh, matematicienësh e fizikantësh të talentuar e diçka duhet bërë më ta. I kishte propozuar që të gjenin mundësinë që të përzgjidhinin më të mirët e t’ua atashonin institucioneve financiare e kompanive të mëdha në botë, për rreth 6 muaj deri në një vit, pasi gjithmonë kishte mendimin se një inxhinier i mirë me pak njohuri financiarë bëhet një promotor i ekonomise, sepse inxhinierët janë rrezikues e krijues në ekonomi, ndërsa ekonomistët e ardhur prej kohës së komunizmit ishin pak frenues. Ideja nuk ishte e keqe, por nuk u realizua kurrë, e inxhinieret vazhdonin të merrnin rrugët nëpër botë. Diku kishte nevojë për ta.

Pasi e pashë që përpjekjet e Bashkimit dështuan, më kujtohet që një herë në një bisedë me mikun tim Met Dervishi, drejtor në Ministrinë e Kulturës së asaj kohe, ai më thotë se kishte në sirtar një bursë studimi pasuniversitare për në Suedi, e unë mund t’i plotësoja kërkesat e saj. Kaloi disa kohë e Meti e harroi atë histori. Më vonë më thote se atë bursën e kishte marrë një shok i tij i zyrës, Sherif Merdani, i cili ia kishte dhënë dikujt tjetër. Pra edhe ajo përpjekje shkoi kot.

Në vitin 1996 vjen nga Shtetet e Bashkuara shoku im i kursit Arjan Durrësi e më tregon se kishte shkuar për studime atje me një bursë të dhënë nga “Fondacioni Soros”. Më sugjeron që të aplikoja. Edhe unë bëra siç më tha ai. Aplikova për një bursë në administrim pushteti lokal në Columbus Ohio. Prisja përgjigje e nuk po e merrja. Një ditë shkova drejt e tek Fondacioni, që i kishte zyrat tek ish-Piramida. Hyra brenda e nuk dija kë të pyesja. Aty pashë ish-basketbollistin Arben Fagu, i cili as nuk m’i hodhi sytë. Nuk kaloi shumë e një fytyrë e njohur me doli para. Ishte Redina Tili, një këngëtare fine e asaj kohe. E njihja pasi banonte në Durrës e bënte plazh pak metra larg prej meje, tek muri i Vollgës. Redina më foli me shumë përzemërsi, hyri brenda e kontrolloi të gjithë aplikimet diku në një kompjuter. Doli pas pak kohe e më tregoi se aplikimi im nuk gjendej gjëkundi. Mesa duket, Fondacioni Soros nuk e kishte parë të arësyeshme të merrte në shqyrtim aplikimin tim. Në databasën e tij ndoshta figuroja person jo i përshtatshëm.

Këto ishin përpjekjet e mia për të marrë ndonjë të drejtë studimi që të bëhesha sa më i vlefshëm për vendin tim, por viti i mbrapshtë 1997 i përmbysi të gjitha. Aty kuptova se kisha humbur kot plot 6 vjet duke u përpjekur. Aty e ndjeva se kisha mbledhur energjinë e domosdoshme për t’u shkëputur përfundimisht nga vendi im, e ashtu bëra.

Si unë ikën plot. Ikën me dhjetra inxhinierë nga Elbasani, nga Fieri, nga Shkodra, nga Korça, nga gjithë Shqipëria. Inxhinierët ikën dhe mungesën e tyre sot po e ndjen shumë Shqipëria, pasi inxhinierët krijojnë, hapin industri, hapin vende pune, prodhojnë, e pa prodhim nuk ka ekonomi.

Në Shqipëri sot hanë bukë vetëm inxhinierët e ndërtimit e tek-tuk inxhinierët e kompjuterave. Nuk ka nevojë për krijuesit e mëdhej, që janë inxhinierët mekanikë e unë i shikoj çdo ditë kur më vinë ftesa për miqësi nga të rinj të sapodiplomuar në universitetet në Shqipëri, e në profilin e tyre shkruhet “Open to work “.

Kujt t’i flasesh? Askush nuk të dëgjon.  Në qeverinë e parë demokratike kishte disa inxhinierë e Kuvendi i pare kishte plot të tillë. Sot profesioni më pak i ndeshur në nivelet më të larta është ai inxhinierit.

Më thoni a ka ndonjë inxhinier në Parlamentin shqiptar sot? Se në qeveri e vetmja inxhiniere mesa di, është Diella.

© Bamir Bebeziqi - Toronto