Andej-Këtej

E vërteta për “Dialogun e Solothurn-it” - Nga Enver Robelli

 

1. Një muhabet joformal që nisi në vitin 2015 dhe nuk është as hairi, as sherri i askujt

Organizata joqeveritare amerikane Council for Inclusive Governance prej vitesh organizon takime mes politikanëve të Kosovës dhe Serbisë. Bashkëorganizatore e këtyre takimeve është Ministria e Jashtme e Zvicrës (EDA). Takimet zhvillohen në Zvicër, kryesisht në Solothurn, një qytet buzë lumit Aare dhe afër Bern, kryeqytetit të Zvicrës. Financimin e këtij organizimi e bën Qeveria e Zvicrës, respektivisht Ministria e Jashtme.

Takimet nuk janë sekrete. Në vitin 2022 gazeta “NZZ am Sonntag” ka shkruar për këto takime. Më 17 nëntor 2025 gazeta “Blick” e Zürich shkroi për një dialog mes politikanëve të Kosovës e Serbisë të zhvilluar në Solothurn. Diplomati zviceran Roland Salvisberg është organizator i këtyre takimeve. Që në nëntor ai i tha gazetës “Blick” se në tavolinën e bisedimeve “nuk janë vetëm përfaqësues të partive qeverisëse, por edhe të opozitës dhe shoqërisë civile”.

Pra, e vërteta është kjo: në Solothurn nuk kanë qenë vetëm politikanë të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe të partive të tjera dhe të shoqërisë civile. Njëjtë edhe nga Serbia: vijnë përfaqësues të partisë në pushtet, të opozitës, të shoqërisë civile (në nëntor në takimin e Solothurnit mori pjesë edhe një përfaqësuese e shoqërisë civile të serbëve të Mitrovicës së Veriut). Arsyeja pse shumica e pjesëmarrësve heshtin ka të bëjë me një premtim që i kanë dhënë organizatorëve amerikanë dhe zviceranë se nuk do të flasin publikisht për këto takime.

Në shkrimin e gazetës “Neue Zürcher Zeitung” thuhet se deri më tani nuk ka qenë e ditur se në takimet e Solothurn marrin pjesë edhe ministra. Sipas gazetës, në këto takime kanë marrë pjesë “nënkryetari kosovar” Besnik Bislimi (në të vërtetë Bislimi është zëvendëskryeministër, Kosova nuk ka nënpresident) dhe ministri i Jashtëm serb dhe ish-ambasador në SHBA, Marko Gjuriq. Gazeta nuk tregon nëse Bislimi dhe Gjuriq kanë marrë pjesë njëkohësisht (!) në këto takime. Sipas burimeve diplomatike, në takimin e nëntorit (2025) nuk ka marrë pjesë Bislimi, më herët po. Pyetja është kjo: A ka marrë ai pjesë - më herët - në takime të formatit të tillë ku i pranishëm ka qenë edhe Gjuriqi? Qeveria e Kosovës e ka demantuar këtë. “NZZ” përshkruan dy politikanë udhëheqës nga Serbia dhe Kosova që pas darkës në Solothurn po shkonin në hotel dhe linin përshtypje se po flisnin me njëri-tjetrin në mënyrë të civilizuar. E ç’të bënin? Të grushtoheshin sipas “traditës ballkanike”?

A ishin këta dy politikanë Bislimi dhe Gjuriqi? “NZZ” nuk e thotë. Herët apo vonë, kjo do të merret vesh. Andaj nëse sot qeveria e Kosovës nuk e thotë të vërtetën, gënjeshtra do t’i dalë në shesh një ditë. Shpresoj së shpejti. Politikanë të VV-së duhet ta kursejnë opinionin nga deklaratat e serta, aq më tepër që bëhet fjalë për takime ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të partive të tjera politike të Kosovës dhe po të kishte ndodhur ndonjë hata, shpejt do merrej vesh. Rivalët politikë të VV-së, të pranishëm në takimet e Solothurn, mund ta zgjidhin enigmën dhe të tregojnë kush ka qenë në këto takime. Ata janë dëshmitarë okularë.

Në përgjithësi mund të thuhet se dëmi i vetëm nga këto takime i shkaktohet taksapaguesve zviceranë. Harxhohen shumë para për takime që nuk prodhojnë asgjë. Së paku deri më tani. Në Solothurn vijnë politikanë ballkanikë, akomodohen në hotele, shtiren sikur duan dialog dhe vetëm dialog (sa për t’ia bërë qejfin organizatorëve) dhe kthehen në Kosovë e Serbi për të vazhduar me të vjetrën.

Edhe para disa viteve (para vitit 2020) Zvicra i ka ofruar një politikani të lartë të Kosovës një takim të fshehtë në një hotel në Zvicër me homologun e tij serb. Politikani kosovar ka reaguar duke qeshur dhe duke thënë: “Ne tashmë jemi duke u takuar në kryeqytete të tjera europiane”.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, qeveria zvicerane që nga viti 2015 e mbështet dialogun mes Kosovës e Serbisë “me instrumentet e saj plotësuese”. Çfarë domethënë kjo? Qe përgjigja që Ministria e Jashtme e Zvicrës ia ka dhënë gazetës “NZZ am Sonntag” në vitin 2022: “Departamenti për Paqe dhe të Drejta të Njeriut ka organizuar takime të rregullta, në të cilat kanë marrë pjesë përfaqësues të partive më me ndikim nga të dyja vendet”. Pra, përfaqësues të partive më me ndikim nga të dyja vendet takohen në Zvicër që disa vite. I kuptoj pse heshtin këta politikanë. Nuk duan të shkelin një kod të heshtjes për të cilin janë dakorduar me palën amerikane dhe zvicerane.

Për të qetësuar konspiracionistët: në këto takime nuk ka ndodhur asgjë spektakolare, as dikur, as sot. As nuk është shitur Kosova në Solothurn, as nuk ka lëvizur Serbia nga pozicionet e saj. Është një tentim dëshpërues i Zvicrës për të “ndërtuar besim mes palëve”. Sa ia ka arritur? Pyetje e tepërt, sepse rezultati nuk është fare impresiv. Po shihet. Ashiqare.

Zvicra është shtet neutral dhe si i tillë përpiqet të ofrojë “shërbime të mira” mes palëve. Ukraina dhe Rusia janë në luftë. Rusia e ka sulmuar Ukrainën. Dihet kush është agresori, kush është viktima. Megjithatë, një diplomat zviceran me emrin Thomas Greminger, i cili ka ushtruar funksione të larta në diplomaci dhe tash drejton Geneva Centre for Security Policy (Qendrën e Gjenevës për Politikë të Sigurisë), ka arritur të organizojë biseda në Gjenevë mes përfaqësuesve ukrainas dhe rusë. Janë takuar disa herë në Gjenevë dhe jo vetëm. Nuk bëhet fjalë për biseda zyrtare, as për negociata. Thjesht për shkëmbim mendimesh mes ekspertëve të afërt me qeveritë në Moskë e Kiev.

Përndryshe kryetar i bordit të Council for Inclusive Governance, i cili organizon takimet në Solothurn mes palës kosovare dhe serbe, është ish-diplomati amerikan Thomas Countryman. Ai ka qenë nënsekretar shteti për çështje të Sigurisë ndërkombëtare. Countryman ka shërbyer si diplomat edhe në Ballkan. Ka vizituar disa herë Kosovën. Disa nga politikanët e Kosovës që vijnë për muhabete në Solothurn, e njohin Countryman nga takimet ose vizitat e mëhershme në Kosovë.

Organizimi i takimeve joformale mes Kosovës e Serbisë në Zvicër ka një traditë relativisht të gjatë. Para më shumë se dy dekadave amerikani Allen Kassof drejtonte organizatën Project on Ethnic Relations (PER), Projekti për Marrëdhëniet Etnike. Në këtë cilësi ai organizonte takime mes politikanëve shqiptarë dhe serbë në Zvicër. Paratë i merrte nga Ministria e Jashtme e Zvicrës. Council for Inclusive Governance është trashëgimtare e Project on Ethnic Relations.

Para disa javësh, kur po bëja një ecje nga Luzern në Sursee, m’u kujtua njëri nga këta takime. Për ata që nuk e kanë lexuar kolumnën time më 16 dhjetor 2025 te “Koha Ditore”, ja edhe njëherë paragrafi përkatës: Nga larg (në Luzern) shihej hoteli “Schweizerhof”, i cili më kujtoi një kohë të shkuar, para dy dekadave. Atëbotë qeveria zvicerane organizonte në këtë hotel takime mes politikanëve të Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisë dhe politikanëve serbë. Ishte një iniciativë e mbështetur nga një organizatë amerikane, ndërsa Zvicra e financonte. Politikanë të ndryshëm vinin këtu, kalonin mirë në hotelin e jashtëzakonshëm, edhe pse rezultate konkrete nuk dukeshin askund. Megjithatë, ishte një periudhë kur politikanë shqiptarë dhe serbë rrinin së bashku në një hapësirë të përbashkët, 4-5 vjet pas luftës së Kosovës dhe 2-3 vjet pas luftës në Maqedoni.

Më kujtohet njëri nga këshilltarët e kryeministrit të atëhershëm serb, Vojislav Koshtunica, i cili e pyeti Arbën Xhaferin:

- “Zotëri Xhaferi, jeni mysliman apo katolik?”

Kjo pyetje tregonte dijen e kufizuar që një pjesë e elitave serbe kanë për shqiptarët - si për identitetin e tyre etnik ashtu dhe fetar. Në Prizren apo Gjakovë ndoshta mund të kishte njëfarë kuptimi të pyesje dikë nëse je katolik a mysliman, por për dikë nga Tetova ishte pyetje absurde. Shkuam te bari i hotelit me Arbën Xhaferin dhe ia plasëm një të qeshure mbi këshilltarin injorant të Koshtunicës. “Nesër me siguri do të më pyes se pse di serbisht kaq mirë”, tha Arbën Xhaferi me ironi.

Në një nga ato samite shqiptaro-serbe në Luzern, ku merrnin pjesë edhe politikanë zviceranë si ministri i Jashtëm, Joseph Deiss, u shfaq edhe kryeministri i Shqipërisë së atëhershme, Fatos Nano. Ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Xhoana, me të cilën sapo ishte martuar. Për një moment, vëmendja e politikanëve ballkanikë u zhvendos krejtësisht nga çështjet politike; të gjithë u mblodhën rreth tavolinës ku u ul Nano me gruan, sepse dëshironin “ta shihnin nusen”.

Kaq sa u përket parave të taksapaguesve zviceranë të investuara për pajtimin shqiptaro-serb.

P.S. Si taksapagues zviceran mund të them: paratë e harxhuara për muhabetet e Solothurn Zvicra do të mund t’i investonte në mënyrë më efikase. Lëvizja VV nuk duhet të shtiret sikur ka rënë në panik pas një artikulli gazetaresk që realisht nuk zbulon asgjë të re. Po, politikanë shqiptarë e serbë po takohen nganjëherë në Zvicër. Aty ka edhe përfaqësues të VV-së. Rezultati? Deri më tani: ZERO.

2. VV, Solothurni dhe polemikat shterpe

Eksponentë të partisë VV nuk do të duhej fare të zhvillonin polemika me përfaqësues lokalë lidhur me “bisedimet në Solothurn” të Zvicrës mes delegacioneve kosovare dhe serbe (të përbërë nga politikanë të të gjitha partive me ndikim dhe protagonistëve të shoqërisë civile). Për këto biseda ka shkruar një gazetë zvicerane (“NZZ”), andaj adresa për të demantuar lajmin - nëse ka diçka për të demantuar - është po kjo gazetë. Adresa dhe emaili i kësaj gazete janë publike. Jam kureshtar nëse eksponentë të VV-së (disa prej tyre zhurmaxhinj noterikë) do të kërkojnë nga gazeta zvicerane ta korrigjojë tekstin. Dhe edhe më kureshtar jam se cila do të jetë përgjigja e mediumit zviceran.

Nuk është fare problem të bisedosh me përfaqësues të Serbisë dhe të pakicës serbe. Problem është të ngjitesh në piedestal moral (njëfarë trapazani pseudopatriotik) dhe nga aty t’i përshkruash të tjerët si të padenjë në stilin: “Ne nuk flasim me Serbinë, ju të tjerët flisni”. Këto dokrra mund të shiten te ndonjë trushpëlarë. Opinioni kritik nuk i blen ato. Fundja, cila është alternativa e dialogut? Lufta dhe tensionet permanente. Nga kjo humbës janë të gjithë. Shqiptarë e serbë.

3. Solothurnit ç’i panë sytë… (Një tekst jashtëzakonisht serioz, pjesërisht)

Emrat e politikanëve që kanë marrë pjesë në takimet e Solothurnit në Zvicër qenkan bërë publikë. Pjesëmarrësit janë nga të gjitha partitë. Ndonëse asnjëri e asnjëra nuk i plotëson kriteret për t’u shpallur tradhtar apo tradhtare, mund të vazhdohet me rrëfime apokaliptike nga arka e përrallave. Njërës përrallë mund t’ia vendosim këtë titull: “Si u shit Kosova në Solothurn”.

Risia (jo aq e re) është se pjesëmarrëse paskan qenë edhe dy eksponente të një partie që, kur ishte në opozitë, edhe shoferët e autobusëve që kalonin nëpër Serbi i quante tradhtarë. Nejse, duket se me kalimin e kohës është hequr dorë nga kjo marrëzi. Edhe Joschka Fischer dikur e pati rrahur një polic gjerman, mandej nisi të punojë taksist dhe në fund u bë ministër i Jashtëm i Gjermanisë (madje në fazën vendimtare të çlirimit të Kosovës). Njerëzit pësojnë metamorfoza dhe, në rastin më të mirë, mësojnë. Tash paskan mbetur vetëm edhe emrat e aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët kanë qëndruar në Solothurn me ftesë të zviceranëve dhe amerikanëve.

Deri atëherë mund të prezantojmë disa atraksione të Solothurn, në mënyrë që anëtarët e delegacionit kosovar, kur të vijnë herën tjetër në Zvicër (nëse vijnë), të kenë çfarë të vizitojnë në këtë qytet me arkitekturë baroku. Solothurn është i lidhur si me magji me numrin 11: i ka 11 kisha, 11 shatërvanë, 11 kulla mbrojtëse; katedralja i ka 11 altarë dhe 11 kambana. Solothurn ka qenë kantoni i 11-të që i është bashkangjitur Konfederatës Helvetike. Midis viteve 1530 dhe 1792, Solothurn ishte rezidenca e ambasadorëve të mbretit të Francës. Nga këtu ata përfaqësonin interesat e vendit të tyre në kantonet zvicerane. Rekrutonin, për shembull, mercenarë. Zviceranët luftonin me honorar për fuqi të tjera. Pak a shumë si shqiptarët, siç na tregojnë këngët popullore gjakovare për shqiptarët që herë gjakoseshin në Betejën e Qerbelasë (Iraku i sotëm), herë në Jemen.

Solothurni nuk është qytet ilir, por disa fije shqiptare i ka. Në Muzeun e Qytetit gjendet piktura “Shqiptari në pritë” (“Albanese auf der Lauer”) e piktorit Frank Buchser, punuar më 1884. Buchser ishte aventurier. Udhëtoi gjithandej - nga Greqia e Shqipëria në Afrikën Veriore, por më së shumti qëndroi në SHBA. Në pikturën e tij shihet shqiptari me qeleshen e zverdhur nga dielli. Ai rri ulur mbi një lëndinë me lule, ndërsa shpata shkëlqyese qëndron mbi palat e fustanellës. Burri është i tëri sy e veshë. A do të marrë hak së shpejti? A do të plaçkitë ndonjë karvan? Apo do të sulmojë udhëtarët? Imagjinata është e pakufishme.

Festivali më i rëndësishëm i letërsisë në Zvicër mbahet në Solothurn (sivjet nga 15 deri më 17 maj; nëse mes politikanëve kosovarë rastësisht ka dashamirë të letërsisë, mos e humbni këtë rast - ikni pak nga takimet me delegacionin serb. Kosovën mund ta shisni më vonë). Mund të takoni edhe ndonjë shkrimtar a shkrimtare shqiptare në Festivalin e letërsisë të Solothurn. Kanë qenë të ftuar disa herë në të kaluarën.

Një shkrimtar i madh zviceran ka jetuar në Solothurn. Quhej Peter Bichsel (1935-2025). Kur fliste, të linte përshtypjen se me vete kishte një shportë nga e cila, në çdo dhjetë sekonda, nxirrte një anekdotë. Tregimi i tij “Në të vërtetë, zonja Blum do të donte ta njihte qumështsjellësin” është një perlë letrare. Qumështsjellësi vjen herët në mëngjes, lë qumështin dhe tëlynin në kutinë e posaçme, zonja Blum i lë aty paratë një natë më herët. Ata nuk takohen kurrë, por zonja Blum mendon për duart e qumështsjellësit. Bichsel është mjeshtër i përshkrimit të gjërave të vogla të përditshmërisë. Nga kjo ai ka krijuar letërsi të madhe.

A ka ndonjë lidhje me shqiptarët Peter Bichsel? Po, si jo. Ka qenë përkrahës i tyre kur ishin refugjatë në vitet 1990. Ka shkruar me tone subtile mbi debatin për integrimin e shqiptarëve.

Ja një paragraf: “Dhe madje edhe brenda vetë nocionit pozitiv ‘integrim’, gjithnjë e më shumë mund të dallohen tone armiqësore. ‘Ata tani duhet, më në fund, të mësojnë gjermanisht’ - nga gojët e politikanëve të caktuar kjo tingëllon si një kërkesë për detyra shtëpie që t’i japin si ndëshkim. Dhe me kë do të flasin ata pastaj, kur ta mësojnë gjuhën? Vallë me ne? Nuk ekziston integrimi i njëanshëm. Kush dëshiron integrimin, duhet të jetë vetë i gatshëm për integrim. Të mësosh gjuhën është diçka e bukur, por kjo nuk duhet të jetë parakusht për integrimin, por pasojë e tij. Të rinjtë shqiptarë të Kosovës po e përjetojnë këtë me dhimbje: ata flasin të njëjtin dialekt si ne, e përsëri u duhet të qëndrojnë të mbyllur brenda farefisit të tyre.” Pse? Sepse, sipas Bichsel, shoqëria zvicerane nuk ishte aq e hapur. Këto kohëra kanë ndryshuar, fatmirësisht.

Bichsel ishte modest. Thoshte: u bëra shkrimtar, sepse s’kisha talent për futboll. Po të ishte gjallë, me siguri do të ishte adhurues i Leon Avdullahut, i lindur në Solothurn, lojtar i Bundesligës gjermane dhe i kombëtares kosovare të futbollit. Në intervistën e tij të fundit të madhe Bichsel tha: “Më pëlqen të jem zviceran, më pëlqen të jetoj këtu, jam i interesuar për politikën. Por shteti më intereson më shumë sesa atdheu.” Kur shteti funksionon mirë, atëherë mund të jesh krenar për atdheun. Kur krenohesh e krekosesh për atdheun, por shtetin nuk e ke funksional, atëherë më mirë mbylle gojën dhe ule kokën. Puno. Për shtet. Jo për atdhe.

Para se të ndërronte jetë, Bichsel u pyet nëse do të dëshironte që emri i tij të vendosej në sheshe, institucione, bulevarde apo rrugë. Jo, tha ai, do të ishte bukur nëse një stacion i vogël autobusi do të bartte emrin e tij.

Në Solothurn ka jetuar edhe Azem Syla. Ka lënë gjurmë këtu edhe pasi është kthyer në Kosovë. Në atdhe rrinte ulur në Parlament, në Solothurn merrte ndihma sociale. Veprim i paligjshëm. Për këtë ishte kritikuar ashpër. Ndoshta tepër ashpër, kur i ke parasysh menaxherët e paaftë të bankave zvicerane që kanë arritur të falimentojnë institute të famshme financiare dhe ringritja e tyre i kushton shtetit qindra milionë franga.

Solothurn e ka ndihmuar Kosovën. Lista është e gjatë. Këtu po përmend vetëm një rast që më duket aq origjinal, aq prekës, aq solidar dhe aq shpirtmirë. Më 23 nëntor 1999 berberi Peter Kräuch dhe 12 berberë të tjerë morën pjesë në aksionin “Berberët ndihmojnë fëmijët në Kosovë”. Nga ora 8 deri në orën 12 ata qethën pandërprerë dhe paratë që morën nga klientët i dhuruan për Kosovën.

Në fund edhe diçka (që nuk ka lidhje me shqiptarët): më 1760 në Solothurn erdhi Giacomo Casanova. Po, po, ai tipi nga Venediku. Pjesën tjetër mund ta merrni me mend… megjithatë po e sjell këtu nga libri im mbi ecjet në Zvicër: në Solothurn Casanova filloi një lidhje me fisniken Ludovika von Roll. Ra terri, nisi nata e dashurisë. Në mëngjes Casanova konstatoi me habi: në shtrat nuk ishte e bukura Ludovika, por kushërira e saj ziliqare. Në jetë ndodhin këso ngatërrimesh. Sidomos në Solothurn. Shih, për shembull, takimin mes politikanëve ballkanikë në këtë qytet buzë lumit Aare.

© Enver Robelli