Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 9 qershor 2024

  • Published in Kanada

Gaspé Peninsula - Québec

 

-British Columbia, 673 milionë dollarë për rinovimin e flotës së avionëve-ambulancë

-Alberta, hap dyert në Calgary qendra e re e konventave BMO

-Saskatchewan, komunitetet autoktonë synojnë prodhimin e energjisë elektrike me mikroreaktorë

-Nova Scotia, ndalohet përdorimi i telefonit celular gjatë mësimit në shkolla

-Ontario, shmanget në çastet e fundit para fillimit greva e transportit publik në Toronto

-Québec, Max Verstappen fiton Canadian Grand Prix në Montréal

 

British Columbia - Dymbëdhjetë avionë të rinj do të zëvendësojnë flotën e vjetër të ambulancave ajrore të British Columbia, njoftoi të premten (07.06) kryeministri David Eby në Aeroportin Ndërkombëtar të Vancouver-it. Sipas tij, me plakjen e popullsisë, rritjen e kërkesës dhe territorin e madh të provincës, duheshin më shumë investime për të mbështetur shërbimet e urgjencës, duke përfshirë ambulancat ajrore që u shërbejnë sidomos lokaliteteve rurale. Investimi i miratuar arrin shifrën 673 milionë dollarë. 12 avionët e rinj do jenë të tipit Beechcraft King Air 360CHW. Nëntë do të jenë në shërbim ndërsa tre do mbahen në rezervë. Avioni i parë ambulance i këtij tipi tashmë është funksional që nga 1 maji i kaluar, ndërsa të tjerët do vihen në përdorim deri në vjeshtë. Gjatë konferencës për shtyp të së premtes, përfaqësuesit e qeverisë dhe drejtuesit e shërbimeve shëndetësore të urgjencës nënvizuan avantazhet e këtij modeli të ri që janë: ulja në pista jo të asfaltuara, transporti bariatrik i pacientit, transporti i pacientëve neonatalë, transporti me barelë, transporti i pacientëve me izolim mjekësor dhe sistemi i oksigjenimit me membranë ekstrakorporale (ECMO). Në spitale pajisja ECMO kryen përkohësisht punën e zemrës dhe mushkërive, duke mundësuar që këto organe të pushojnë përkohësisht duke i dhënë ekipit të kujdesit shëndetësor hapësirë ​​frymëmarrjeje për të vendosur opsionet e trajtimit. Sipas ministrit të Shëndetësisë Adrian Dix, këto pajisje të reja do të ndihmojnë shërbimet e urgjencës që t'u shërbejnë më mirë komuniteteve rurale. Pajisjet do përdoren si për urgjencat mjekësore ashtu edhe për transferimin e pacientëve nga një institucion mjekësor në tjetrin. Shpërndarja e ambulancave ajrore sipas rajoneve do të jete: Kelowna: 3 (1 rezervë), Vancouver: 3 (1 rezervë) Prince George: 2 (1 rezervë) dhe Fort St. John 1.

 

Alberta - Pas dekadash planifikimi dhe më shumë se tre vjet punimesh rindërtimi dhe zgjerimi, ka hapur më në fund zyrtarisht dyert të mërkurën e kaluar (05.06) në Calgary Qendra e re e Konventave BMO. E vendosur mbi terrenin e Stampede, kjo qendër ka një sipërfaqe prej afro 100,000 m2. Drejtuesit e saj vlerësojnë se rinovimi dhe zgjerimi i saj, që kushtoi 500 milionë dollarë, ka arritur të krijojë një strukturë të klasit botëror për sa i përket dizajnit dhe kapaciteteve për të ofruar një përvojë të jashtëzakonshme për frekuentuesit. “Hapësira shtesë që fituam me këtë zgjerim e bëri qendrën një qendër konventash të klasit të parë dhe na lejon të konkurrojmë me qendrat e ngjashme më të mëdha në botë”, deklaroi për CBC/Radio-Canada Joel Cowley, drejtor i saj i përgjithshëm. Ai shtoi se ky objekt do të shërbejë si pike referimi në fushën e kulturës dhe argëtimit, duke theksuar se frekuentimi i madh i qendrës do të nxisë ndërtimin e hoteleve, restoranteve dhe bizneseve të cilat natyrisht do të sjellin më shumë klientë në këtë pjesë të qytetit. Në hyrje i përshëndet vizitorët një tabelë e ndriçuar me neon që paraqet një kauboj. Brenda, 38 salla takimesh janë të shpërndara në të gjithë hapësirën e objektit dhe mund të strehojnë deri në 33,000 të ftuar në të njëjtën kohë. Kati i dytë ka një shtrirje 333 m dhe ofron dritë natyrale për hapësirën e aktiviteteve The Exchange. Joel Cowley ka nënvizuar gjithashtu se qendra e re do të nxisë ndjeshëm ekonominë e Calgary-t, duke gjeneruar më shumë se 100 milionë dollarë të ardhura në vit dhe mijëra vende pune. Në total, 500 aktivitete janë rezervuar tashmë aty, duke përfshirë dhe Global Energy Show, një ekspozitë globale e energjisë, e planifikuar për javën e ardhshme.

Saskatchewan - Këshilli Fisnor i Meadow Lake, i cili përfaqëson nëntë komunitete autoktonë dhe Këshilli Kërkimor i Saskatchewan nënshkruan një marrëveshje këtë javë për të bashkëpunuar në një projekt për prodhimin e ngrohjes dhe energjisë elektrike në disa komunitete veriperëndimore të provincës. Sipas zëvendëskryetarit të Këshillit Fisnor të Meadow Lake, Richard Derocher, shumë komunitete autoktonë në zonën veriore të Saskatchewan përdorin naftë dhe propan për të ngrohur shtëpitë e tyre duke mos respektuar vlerat mjedisore. Mikroreaktorët janë shumë më të vegjël dhe nuk prodhojnë aq shumë sa termocentralet e tjera. Ata konsiderohen si një burim energjie neto zero dhe nuk lëshojnë gazra serrë si reaktorët bërthamorë. Aktualisht, mikroreaktorët nuk janë në përdorim askund në Saskatchewan, por disa versione mund t’u përshtaten nevojave të disa mijëra familjeve që kërkojnë një alternative më të mire në raport me faturat e larta të energjisë elektrike dhe ngrohjes, veçanërisht gjatë dimrave më të ashpër. Presidenti i Këshillit të Kërkimeve të Saskatchewan, Mike Crabtree, beson se kjo teknologji përfaqëson një alternativë serioze për komunitetet. Ai pohoi për CBC se deri në 15 mikroreaktorë mund të ndërtohen në veri të provincës gjatë dekadës së ardhshme. Vitin e kaluar, qeveria provinciale i akordoi 80 milionë dollarë Këshillit të Kërkimeve për ta ndihmuar në prodhimin e mikroreaktorit të parë.

Nova Scotia - Nxënësit e shkollave në Nova Scotia do t’u nënshtrohen rregullave të reja në lidhje me përdorimin e celularit në klasë. Kështu ka njoftuar të enjten e kaluar (06.06) ministrja e Arsimit të provincës Becky Druhan. Kësisoj, duke filluar nga shtatori i sivjetëm, të gjithë nxënësit e klasave nga 1 deri në 12 do jenë të detyruar t’i fikin celularët gjatë orëve të mësimit. Ndërkohë, vetëm nxënësit e klasave 7-12 do mund të përdorin telefonat e tyre gjatë drekës dhe pushimit, në varësi të rregullave të secilës shkollë. Me lejen e mësuesve, nxënësit e shkollave të mesme do mund t’i përdorin telefonat e tyre për qëllime edukative në klasë. Sipas rregullores së re të qeverisë, mund të bëhen përjashtime për të përmbushur nevojat individuale të nxënësve për arsye mjekësore ose aftësie të kufizuar dhe rregullat e veçanta për këto raste do të përcaktohen nga një ekip planifikimi. Ministria saktësoi gjithashtu se telefonat nuk do të lejohen në asnjë moment në tualete dhe dhomat e zhveshjes. Për më tepër, mësuesit dhe stafi mbështetës do të shërbejnë si model duke mos përdorur celularët e tyre personalë gjatë orës së mësimit për arsye që nuk lidhen me punën. Mësuesit gjithashtu do të mund t’u kërkojnë nxënësve që shkelin rregullin t’ua dorëzojnë atyre telefonat, për t’i vendosur në një vend të sigurt. Sipas faqes Web të qeverisë, nëse një nxënës nuk do respektojë rregulloren e re, drejtori ose nëndrejtori do kenë autoritetin t'i kërkojnë atij të dorëzojë telefonin derisa të kontaktohen prindërit ose tutori.

Becky Druhan

Ontario - Psherëtimë lehtësimi të premten (07.06) në mëngjes në Toronto për qindra mijëra përdorues të transportit publik. Shërbimi i metrosë, autobusëve dhe tramvajit funksionoi normalisht pas miratimit në parim të një marrëveshjeje kolektive midis Komisionit të Transportit (TTC) dhe 11.500 shoferëve dhe punonjësve të mirëmbajtjes, marrëveshje që shmangu paralizimin e rrjetit nga greva e paralajmëruar. Sindikata Unioni i Bashkuar i Transportit e njoftoi arritjen e marrëveshjes se re trevjeçare rreth orës 23:30 të mbrëmjes së të enjtes (06.06), vetëm disa orë para afatit të nisjes së grevës në orën 02:01 të mëngjesit. Detajet e marrëveshjes nuk do bëhen publikë përpara votimit të ratifikimit deklaroi sindikata, e cila luftoi për paga dhe avantazhe sociale më të mira, si dhe mbrojtje ndaj nënkontraktimit. Gjatë një konference për shtyp, kryebashkiakja e Torontos Olivia Chow deklaroi se ishte e lumtur me përfundimin e një marrëveshjeje në parim. “Kjo siguroi që nuk do të ketë ndërprerje në shërbimin e transportit publik që qytetarët e Torontos përdorin masivisht çdo ditë”, shtoi ajo. Për sa i përket kohëzgjatjes së negociatave, kryebashkiakja kujtoi se sindikata dhe Komisioni i Transportit nuk kishin negociuar prej disa vitesh për shkak të legjislacionit provincial. Ndërkohë, anëtarët e sindikatës kishin votuar 98% në favor të një greve nëse palët nuk do mund të binin dakord. Unioni i Bashkuar i Transportit nuk ka shpallur ende një datë për votën e ratifikimit. Kontrata kolektive e anëtarëve të kësaj sindikate pat skaduar më 31 mars 2024 dhe të dy palët kishin muaj që negocionin rinovimin e saj. Greva e fundit e punonjësve të TTC-së daton në vitin 2008. Qeveria liberale e Dalton McGuinty e pat anuluar me vendim të posaçëm të drejtën e tyre për grevë, duke konsideruar se bëhej fjalë për një shërbim thelbësor. Megjithatë, ky vendim u rrëzua më pas nga gjykatat.

Québec - Holandezi Max Verstappen (Red Bull) ishte sot (09.06) fituesi i garës së Formula 1 që u zhvillua në pistën Gilles-Villeneuve në Montréal. Kampioni i botës fitoi Çmimin e Madh të Kanadasë (Canadian Grand Prix) për herë të tretë në karrierën e tij dhe për të tretën here radhazi, përpara Lando Norris (McLaren) dhe George Russell (Mercedes) që u renditën në vend të dytë e të tretë. Ndërkohë, kanadezi Lance Stroll zuri vendin e 7-të. Verstappen i bashkohet Michael Schumacher dhe Lewis Hamilton si pilotët e vetëm që kanë fituar tri herë radhazi në Montréal, por Schumacher dhe Hamilton kanë secili nga 7 fitore në metropolin frankofon. “Ishte një garë e çmendur gjatë së cilës duhej të merrje vendimet e duhura”, deklaroi Verstappen pas përfundimit të garës.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; Associated Press; Getty Images/Mark Thompson