Tema debatesh boshe mbi Sali Berishën - Nga Ilir Levonja

Shoh në disa studio debatin më të panevojshëm mbi atë se çfarë duhet të bëjë Sali Berisha në izolim. Duhet të hapë krahun apo jo? Përderisa edhe Anglia vazhdon të mos e heqi “non grata”-n etj. Duhet t’ia delegojë dikujt tjetër drejtimin e opozitës, pasi po afrojnë edhe zgjedhjet e vitit tjetër?
Po e filloj nga kjo e fundit. Delegimi nuk bëhet me veto, ose nuk duhet të ndodhë më kështu, nëse pas lëvizjes Berisha (janar 2022) u vendos që primaret janë tashmë fuqia e opozitës, pra vetot e Unit bien poshtë. Për më tepër që tashmë PD-ja e ka një përvojë të hidhur me delegimin, siç ishte dhe rasti Basha, apo tashmë, faqja e zezë e partisë më të madhe opozitare. Pushteti nuk delegohet, është vota e lirë e demokratëve dhe kjo nëse është e domosdoshme për kohën. Sidomos kur pasojat janë prej Zotit a shëndetit.
Po e vazhdoj me këtë çështjen më kot që debatohet, ridebatohet, “non grata” e Amerikës, Anglisë etj. Ka plot raste në botë, të cilët Amerika kur ia do interesi i vet, nuk pyet as për “non grata”-t dhe as për embargot e gjata ekonomike. E kam përmendur edhe më parë, rasti më i freskët është kryeministri i Indisë, i shpallur “non grata” në 2002 dhe i ftuar në 2012 nga Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë. Dhe në 2022 nga Joe Biden, presidenti aktual.
Mesazhi është i qartë, atë që zgjedhin qytetarët e tyre, Amerika do e gëlltisë kur t’ia dojë interesi i vet. Kush e kupton, mir për 'të, kush e kupton, punë e madhe. Kush nuk do ta kuptojë dhe u çjerr veshët shqiptarëve me punë “non grata”-sh, do vetëm të sundojë dhe jo të qeverisë.
Po e përfundoj me atë që, duhet të hapë krahun apo jo Saliu. Nuk duhet ta hapë!
Kur të gjithë nuk kishim besim tek rikthimi i tij, ai u rikthye. Nuk i kërkoi kujt ndihmë, por përballë një proçesi përjashtues, të tipit demaskues si në kohën e Enver Hoxhës karshi armikut të klasës, ai u ngrit i vetëm. U kërkoi publikisht forumeve në të gjithë qytetet e vendit, pa u tutur nga demaskimi, të drejtën themelore, duke pranuar po publikisht edhe gabimet, por edhe kapjen e votës nga emërimet po nga lart.
Ne ishim deshmitarë të një beteje 100% demokratike. Shume nga ne nënqeshnin por vitaliteti i një burri në moshë ishte përmbi dhjetra rosakë që hiqen opozitarë dhe kurrë nuk dolën në një protestë jo të opozitës, por të qytetarit opozitar. Shumë nga ne i përmendëm faktin e luftës personale, për emrin, për familjen e tij etj., dhe megjithëse jemi shqiptarë ne harrojmë se, po ne e themi me mburrje, për familjen time do bëhem copa. Edhe ai shqiptar është, dhe, po nuk u bë copash për familjen e tij, mos prisni të bëhet për familjet tuaja.
Do ta mbajnë në izolim? Edhe mundet. Ne nuk besonim se do kthehej vula. I kërkuam të rithemelohej edhe me një emër të ri. Ai nuk bëri kompromis, ndaj edhe fitoi. Do ia marrin mandatin? Edhe mundet, sepse është pushteti më bastard, ku një makineri e tërë punon për shpërbërjen e embrionit opozitar, në një luftë klasash pa kompromis. Por mos harroni se e drejta triumfon. I keni shembujt me shumicë. Mandela mundi nga burgu Anglinë.
Dhe e fundit fare, merruni me regjimin, jo me viktimat. Ndryshe mos flisni më për demokraci.
© Ilir Levonja