Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 26 maj 2024

  • Published in Kanada

Québec City

 

-British Columbia, vazhdon ndërtimi i rrjetit të furnizimit me hidrogjen për industrinë e transportit

-Alberta, hapet në Calgary një qendër shpërndarjeje e robotizuar nga Amazon

-Nova Scotia, Bashkia Halifax ndryshon rregullat e zonimit për të lehtësuar ndërtimin e banesave të reja

-Québec, arratiset nga qendra e vuajtjes së dënimit në Laval një i dënuar për vrasje

-Ontario, Doug Ford provokon thashetheme për zgjedhje të parakohshme

 

British Columbia - Provinca British Columbia po vazhdon të mbështesë kompanitë që fokusohen tek hidrogjeni si opsion karburanti me mbështetjen federale. Në North Vancouver kompania HTEC ka njoftuar të premten që kaloi (24.05) se ka marrë më shumë se 130 milionë dollarë financim nga qeveria provinciale si dhe një hua prej 337 milionë dollarësh nga Banka e Infrastrukturës së Kanadasë (Canada Infrastructure Bank) për të vazhduar ndërtimin e rrjetit të stacioneve të furnizimit me hidrogjen për industrinë e transportit. Projekti H2 Gateway, me një kosto totale prej 900 milionë dollarë, planifikon të operojë deri në 20 stacione, duke përfshirë 18 në British Columbia dhe 2 në Alberta. 20 stacionet e rinj, që do t’u shtohen 5 ekzistuesve të HTEC, do të mbështeten nga tre impiante prodhimi (electrolyzers) gjithashtu të rinj në Burnaby, Nanaimo dhe Prince George si dhe nga një pikë qëndrore shpërndarjeje në North Vancouver. Ndërkohë, 14 stacione do mund të furnizojnë deri në 300 automjete të rënda në ditë. Sipas HTEC, nga ky projekt pritet të krijohen më shumë se 280 vende pune me kohë të plotë, ndërsa emetimi i gazrave me efekt serrë nga sektori i transportit mund të reduktohet me rreth 133.000 tonë në vit. Prej 2021, British Columbia u bë provinca e parë në Kanada që hartoi ​​një strategji globale për përdorimin e hidrogjenit.

Alberta - Gjigandi Amazon inauguroi të premten (24.05) qendrën e pestë të shpërndarjes në provincën Alberta. I ndërtuar në Calgary, objekti i pagëzuar YYC4 do të jetë hapësira e pare e robotizuar e qytetit. Qendra e re prej më shumë se 260 mijë m2 do të mundësojë hapjen e 1500 vendeve të reja të punës. YYC4 është një nga magazinat më të mëdha të Amazon në Kanada, por edhe një nga më modernet. Sipas menaxherit të përgjithshëm, Sushant Jha, Amazon kishte tashmë 6000 punonjës në provincë përpara inaugurimit të qendrës së re. Nga ana e saj, kryeministrja Danielle Smith, ka deklaruar se “ky është vetëm fillimi i përqëndrimit të Amazon në province dhe YYC4 konfirmon besimin e biznesit ndaj Alberta-s, si një qendër inovacioni dhe një vend ku bizneset mund të zhvillohen dhe të prosperojnë”. Sipas Amazon, kjo gamë e re qendrash robotike të shpërndarjes krijon kushte që punonjësit të operojnë në një mjedis pune më të sigurt dhe të përmirësojnë efikasitetin e prodhimit duke bashkëpunuar me robotët për përgatitjen, paketimin dhe dërgimin e porosive për klientët.

Nova Scotia - Pas një seance publike dy-ditore dhe disa orësh debati, këshilli bashkiak i Halifax votoi njëzëri këtë javë miratimin e një sërë ndryshimesh zonale. Të martën (22.05) dhe të mërkurën (23.05) nga specialistët përkatës u paraqitën para këshilltarëve rregullat e reja që dikton Fondi Federal i Përshpejtimit të Strehimit prej të cilit Halifax iu akorduan 79 milionë dollarë vitin e kaluar për të përshpejtuar ndërtimin e banesave. Plani lejon deri katër banesa në parcela brenda kufijve në zonat e shërbimeve dhe deri në tetë banesa, në varësi të madhësisë së parcelës, në shumicën e zonave rezidenciale brenda bërthamës urbane. Ndërtesa më të larta deri në shtatë ose nëntë kate do të lejohen në rrugët kryesore të tranzitit, zonat e trashëgimisë do të zgjerohen ose do krijohen të reja si dhe do të miratohen dhjetëra projekte specifike. Ndryshimet zonale pritet të krijojnë mundësi për ndërtimin e më shumë se 200.000 banesave të reja në vitet e ardhshme, përfshi rreth 135.000 në zonat periferike të bashkisë dhe rreth 70.000 në qendrën urbane. Halifax ishte rajoni i dytë urban me rritje më të shpejtë në Kanada në vitin 2022, përkatësisht 14%, gjatë pesë viteve të fundit.

Québec - Policia Provinciale e Québec po kërkon ndihmën e publikut në përpjekjet për të gjetur dhe arrestuar Yacine Zouaoui, 32 vjeç, i cili u arratis të enjten në mbrëmje (23.05) nga Qendra Federale e Trajnimit, një institucion vuajtje dënimi i sigurisë së ulët në Laval. Oficerët e shërbimeve korrektuese konstatuan se Yacine Zouaoui ishte zhdukur rreth orës 22:45. Ata njoftuan menjëherë Policinë Provinciale dhe Shërbimin Policor Laval. Zouaoui është dënuar për vrasje të shkallës së dytë në vitin 2011 nga një gjykatë në British Columbia. Ai është parë për herë të fundit të enjten i veshur me një bluzë me ngjyrë të çelur, xhinse dhe atlete të zeza. Ai flet anglisht dhe ka tatuazhe në fytyrë dhe dorën e majtë, ka specifikuar në deklaratën e saj për shtyp Policia Provinciale e Québec. Correctional Service Canada (CSC) nuk ka dhënë detaje se në çfarë konteksti ka ndodhur arratisja, por vetëm ka konfirmuar se po hetohen rrethanat e këtij incidenti dhe po bashkëpunohet me policinë për ta kapur sa më shpejt të arratisurin. Në një mesazh elektronik drejtuar Radio-Canada, CSC ka theksuar se arratisjet janë të rralla dhe numri i personave që janë arratisur nga një institucion federal vuajtje dënimi përfaqëson vetëm rreth 0.1% të të burgosurve në shkallë vendi. Në rast arratisjeje të dënuarit u nënshtrohen një rishikimi të klasifikimit të tyre të sigurisë dhe për ta ngrihen edhe akuza shtesë, ka theksuar shërbimi federal i burgjeve.

Ontario - Sipas CBC/Radio-Canada, kryeministri i Ontarios Doug Ford ka nxitur thashethemet për zgjedhje të parakohshme duke refuzuar në mënyrë të përsëritur të premten (24.05) të angazhohej për datën e planifikuar të qershorit 2026. Komenti është bërë pas njoftimit të Ford se projekti i tij që synon synon lejimin e shitjes së produkteve alkoolike në të gjitha dyqanet ushqimore do bëhet realitet më shpejt se sa ishte parashikuar. Ai pat deklaruar në fund të vitit të kaluar se ndryshimi madhor në këtë fushë që deri tani ka qenë ekskluzivitet i dyqaneve shtetërore do të bëhej deri në vitin 2026, por në fakt do të fillojë shumë më herët, me fazën e parë që do të konkretizohet këtë verë. Doug Ford u pyet nga gazetarët nëse ai po e përshpejtonte projektin për të përgatitur terrenin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Kryeministri pohoi se nuk ishte kjo arsyeja e njoftimit të tij për alkoolin, por kur u pyet disa here me radhë për gatishmërinë e tij për të mbajtur zgjedhjet në qershor 2026, ai nuk u përgjigj drejtpërdrejt. Ford u mjaftua të thotë se synonte të sigurohet që do mund t'i përmbahet agjendës së tij dhe që do të mund t’i mbajë premtimet që ka bërë.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada