Java Kanadeze - Lajme shkurt 31 mars 2024
- Published in Kanada

Gaspésie - Québec
-British Columbia, autoktonët Squamish Nation promotorë të transformimit urban në Vancouver
-Alberta, mijëra vetë në Sherwood Park Edmonton për “gjuetinë” e vezëve të Pashkës
-New Brunswick, nga 1 prilli do rritet taksa provinciale mbi alkoolin
-Nova Scotia, krijohet korpusi i ri i vullnetarëve për situatat emergjente
-Ontario, katër bordet shkollore kryesore të provincës padisin Meta, Snapchat dhe TikTok
British Columbia - Në Vancouver, komuniteti autokton Squamish po e transformon aktualisht peizazhin e metropolit. Sipas Radio-Canada, nëpërmjet projekteve në shkallë të gjerë, ky komunitet synon të bëhet zhvilluesi më me ndikim i pasurive të paluajtshme në rajonin Kitsilano. Kjo zonë rezidenciale e qetë dhe e kërkuar pranë ujit, e dominuar nga duplekset dhe shtëpitë unifamiljare në më pak se një vit është shndërruar në një kantier të madh ndërtimi. Pranë urës Burrard ku deri tani ekzistonte një terren i pyllëzuar, dalëngadalë po rriten kullat deri në 56 kate. Ky projekt gjigant synon të strehojë deri në 12,000 vetë në rreth 6,000 apartamente me qira. Me një dendësi 13 herë më të madhe se ajo e qendrës së Vancouver dhe 8 herë më të madhe se ajo e Manhattan, New York, projekti Senakw, i promovuar nga Squamish Nation, është projekti më i madh i pasurive të paluajtshme i realizuar ndonjëherë nga një komunitet autokton në Kanada. Duke qenë se terreni ishte tërësisht në pronësi të Squamish Nation, projekti nuk kërkohej të ndiqte të njëjtin proces miratimi. Ky fakt po bën të mundur, në një kohë rekord dhe falë një kredie prej 1.4 miliardë dollarësh nga qeveria federale, transformimin e peizazhit urbanistik të Vancouver, qytet që u krijua mbi një terren që u përkiste komuniteteve Musqueam, Tsleil-Waututh dhe Squamish. Anëtarët e komunitetit Squamish patën jetuar në fshatin Sen̓áḵw, në rajonin Kitsilano, deri në vitin 1913, kur qeveria provinciale e asaj kohe i detyroi ata të largoheshin. Disa familje u evakuuan me maune në zona të tjera më në veri. Pas dekadash betejash gjyqësore, Gjykata Federale e Kanadasë i ktheu pronësinë e një parcele toke pranë urës Burrard Squamish First Nation në vitin 2003. Komuniteti sot e konsideron këtë terren prej 4,7 hektarësh si një mundësi për të siguruar prosperitetin e vet. Projekti Sen̓áḵw u konkretizua në vitin 2019 pas një referendumi në të cilin 87% e anëtarëve të Squamish Nation votuan në favor të tij.
Alberta - Mijëra banorë të qytetit Edmonton u mblodhën dje (30.03) në Sherwood Park për aktivitetin e quajtur “gjuetia” e vezëve të Pashkës. Më shumë se 100,000 vezë çokollate ishin fshehur paraprakisht që fëmijët t’i gjenin ato e më pas të shpërbleheshin dhe me çmime. Organizuar nga Park Church e Sherwood Park, aktiviteti parashikonte dhe disa lojëra zbavitëse. Sipas pastorit Joe Battiston, më shumë se 6,000 vetë e frekuentuan eventin, që për të, ishte një mundësi për të bashkuar komunitetin dhe për t’u ofruar familjeve aktivitete gjatë fundjavës së gjatë të Pashkës. Që nga shkurti, më shumë se njëqind vullnetarë u morën me përgatitjen e vezëve dhe më shumë se pesëdhjetë të tillë u zgjuan herët dje (30.03) në mëngjes për të fshehur 100,000 syresh. Ky ishte edicioni i tretë i “gjuetisë” së vezëve dhe siç pohon pastori Joe Battiston, pjesëmarrja ka ardhur duke u rritur nga viti në vit. Ai shpreson që aktiviteti të vazhdojë dhe në vitet e ardhshme.
New Brunswick - Qeveria e New Brunswick ka vendosur të rrisë nga nesër (01.04) taksën provinciale për pijet alkoolike të shitura nga NB Liquor. Kompania shtetërore ka njoftuar qysh nga 25 marsi në faqen e saj internet se rritja mesatare e çmimit të produkteve të saj do të jetë 2.8%. Një pjesë e këtyre rritjeve janë të lidhura me taksat federale të akcizës. NB Liquor është korporata shtetërore më fitimprurëse e New Brunswick. Ajo ka realizuar një fitim prej 199 milionë dollarësh në vitin fiskal që përfundoi këtë javë, 15 milionë dollarë më shumë se sa ishte planifikuar në buxhetin e provincës. Zëdhënësja e NB Liquor, Emilie Dow, raportoi për mediat se rritjet që do të hyjnë në fuqi nesër do të gjenerojnë 12.3 milionë dollarë të ardhura shtesë gjatë vitit të ardhshëm.
Nova Scotia - Ata qytetarë të provincës Nova Scotia që në të ardhmen do duan të kontribuojnë gjatë përballimit të fatkeqësive natyrore mund të regjistrohen tash e tutje në një korpus të ri vullnetar të quajtur Garda e Nova Scotia. Kryeministri Tim Houston njoftoi të enjten (28.03) se kushdo me aftësi të dobishme për situate të tilla mund të regjistrohet për t’u bërë pjesë e kësaj strukture pranë institucioneve provinciale, çka do të bëjë të mundur krijimin e një baze vullnetarësh që reaguesit e parë dhe organizatat e komunitetit mund t'i angazhojnë për ndihmë gjatë ose pas emergjencave. Sipas Houston, Garda do të mbikëqyret nga ministria e re e Menaxhimit të Emergjencave, i cili do të zëvendësojë Zyrën ekzistuese të Menaxhimit të Emergjencave sipas legjislacionit të ri paraqitur për miratim nga qeveria para Asamblesë Legjislative. Ministria e re do të drejtohet nga John Lohr, ministri aktualisht përgjegjës për Zyrën e Menaxhimit të Emergjencave. Ministria pritet të krijohet në vjeshtë, pas konsultimeve me bashkitë dhe organizatat e komunitetit. Kryeministri Houston theksoi gjithashtu se riorganizimi do të krijojë kushtet që provinca të përgjigjet në mënyrë më efektive ndaj emergjencave të lidhura me klimën, të tilla si zjarret dhe përmbytjet.
Tim Houston, kryeministri i Nova Scotia
Ontario - Mediat sociale, të krijuara për “përdorim kompulsiv”, kanë “riprogramuar mënyrën se si fëmijët mendojnë, sillen dhe mësojnë”, pretendon padia kundër gjigantëve të internetit e depozituar para drejtësisë nga katër borde shkollore anglofone të Ontarios. Kjo padi, e nënshkruar nga Bordet Publike dhe Katolike të Torontos (TDSB dhe TCDSB) si dhe Bordet Publike Peel (PDSB) dhe Ottawa-Carleton (OCDSB) adresohet kundër Meta (Facebook dhe Instagram), Snap (Snapchat) dhe ByteDance (TikTok). Shkollat kërkojnë një kompensim prej 4.5 miliardë dollarësh. Kjo iniciativë ligjore vazhdon në linjën e 40 shteteve amerikane vitin e kaluar kundër Metës, që e akuzuan këtë gjigant të internetit për dëmtim të shëndetit të fëmijëve. Katër bordet e shkollave të Ontarios, të cilët u shërbejnë më shumë se gjysmë milioni nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, i akuzojnë gjigantët e mediave sociale për neglizhencë dhe promovim me vetëdije të aplikacioneve që krijojnë varësi tek fëmijët. Sipas padisë, “aplikacionet e mediave sociale pengojnë mësimin e studentëve dhe sistemin arsimor. Më pas edukatorët dhe shkollat detyrohen të menaxhojnë pasojat, veçanërisht duke përdorur burime shtesë për shëndetin mendor ose IT”. “Nevojitet veprim urgjent për të mbrojtur nxënësit nga dëmtimet e mëtejshme”, ka deklaruar për CBC Rashmi Swarup, drejtor i mësimdhënies pranë Bordit Shkollor Peel. “Më shumë se 9 në 10 nxënës në shkollat tona përdorin rrjetet sociale çdo ditë. Më shumë se gjysma e këtyre nxënësëve kalojnë 5 orë ose më shumë në ditë në rrjete”, ka pohuar gjithashtu Pino Buffone, drejtor i mësimdhënies për Bordin Ottawa-Carleton. Katër bordet e shkollave kërkojnë që të bëhen ndryshime në algoritmet e aplikacioneve. Ata gjithashtu kërkojnë që të zbatohen kontrolle më të forta prindërore dhe kufizime për moshën e përdoruesve, veçanërisht. Kompensimi i kërkuar do të përdoret, sipas padisë, për të financuar burimet e nevojshme për të ofruar më shumë mbështetje për nxënësit.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; Nch’Kay Development Corporation; The Canadian Press/Vuaghan Merchant; Getty Images/Hapabapa;