Java Kanadeze - Lajme shkurt 16 qershor 2024
- Published in Kanada

Prince Edward Island - East Point Lighthouse
-British Columbia, kryeministri David Eby i kërkon Ottawa informacion për ndërhyrjen e huaj
-Alberta, Bashkia Calgary shpall gjendje emergjence lokale pas çarjes së një tubi të ujësjellësit
-Nova Scotia, së shpejti tabela paralajmëruese për peshkaqenë në disa plazhe të provincës
-Ontario, një qytetar që refuzon kositjen e barit i gatshëm të shkojë deri në Gjykatën e Lartë
British Columbia - Në një letër drejtuar Justin Trudeau kësaj jave, kryeministri i British Columbia, David Eby, i kërkoi homologut të tij federal ta shpërndajë më mirë në rrugë zyrtare me provincat informacionin mbi ndërhyrjet e huaja në vend. “Aktualisht, British Columbia nuk ka akses në informacionin që i nevojitet për të adresuar siç duhet këto çështje”, shkruan David Eby. “E pranoj se ndryshimet në Ligjin Kanadez të Shërbimit të Inteligjencës janë në rrugë e sipër”, ka shtuar ai, “por ndarja e informacionit që ka të bëjë me sigurinë e provincës sonë është tashmë shumë e vonuar”. Kryeministri Eby ka theksuar gjithashtu faktin se raportet informative tregojnë se ka arsye të forta për të besuar se aktorët e huaj po përpiqen të ndërhyjnë mbi qytetarët e British Columbia me lidhje familjare në Kinë, Iran, Ukrainë, Indi dhe Rusi. “Ne jemi shumë të shqetësuar për aktivitetet e krimit të organizuar transnacional, bazuar në hetimin tonë për pastrimin e parave”, thuhet më tej në letër. Për të nënvizuar urgjencën e situates, David Eby ka raportuar edhe për një seri sulmesh kibernetike që kanë ndodhur kohët e fundit. Pikërisht muajin e kaluar, një sulm në sistemin kompjuterik të qeverisë provinciale thuhet se ka prekur 22 llogari të postës elektronike dhe 19 persona brenda shërbimit publik.
Alberta - Pas një çarjeje në një nga tubacionet kryesorë të furnizimit me ujë të qytetit, kryetarja e Bashkisë Calgary, Jyoti Gondek, shpalli dje (15.06) gjendjen e emergjencës. “Ky nuk ishte një vendim i marrë lehtë”, deklaroi ajo, duke shtuar se “shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme lokale i jep kompetenca të jashtëzakonshme bashkisë dhe do t’i lejojë ekipet e specializuara të ndërhyrjes të punojnë edhe në terrene private për të riparuar dëmin”. Nga ana e saj, Susan Henry, drejtuesja e Agjencisë së menaxhimit të emergjencave në Calgary, u kërkoi sërish bashkëpunim dhe mirëkuptim banorëve të qytetit për reduktimin e konsumit të ujit, pasi riparimet pritet të zgjasin deri në pesë javë. Në një deklaratë zyrtare, Ministri i Çështjeve Lokale, Ric McIver, pohoi se qeveria e Alberta-s mbështet Bashkinë Calgary në vendimin e saj për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme lokale. Ai saktësoi gjithashtu se ky vendim i lejon bashkisë të sigurojë më shpejt pajisjet e duhura dhe të koordinojë më shpejt riparimet.
Nova Scotia - Sipas CBC/Radio-Canada, tabela të posaçme paralajmëruese do të instalohen së shpejti në 12 plazhe në Nova Scotia, për të paralajmëruar notarët për praninë në rritje të peshkaqenëve të bardhë përgjatë bregut lindor të Kanadasë. Sipas Fred Whoriskey, drejtor ekzekutiv i Ocean Tracking Network pranë Universitetit Dalhousie, në Halifax, numri i peshkaqenëve të bardhë po rritet për shkak të efektivitetit të masave mbrojtëse për speciet. Rritja e numrit të fokave gri, një nga burimet ushqimore të këtyre grabitqarëve të mëdhenj detarë, shpjegon gjithashtu praninë e tyre në rritje në rajon. “Ndoshta po shohim më shumë të tillë këtu, por nuk e dimë sa”, pohon Fred Whoriskey, duke shtuar se “askush nuk e di me saktësi shtrirjen e popullatës së peshkaqenëve të bardhë në Atlantikun Veriperëndimor, por peshkatarët e gaforreve deklarojnë se po shohin në ujë gjëra që nuk i kanë parë për 40 apo 50 vjet. Kjo të shtyn të besosh që peshkaqenët po ripushtojnë zonat nga të cilat ata ishin larguar”. Peshkaqeni i bardhë është shpallur i mbrojtur në Kanada që nga viti 2011 dhe në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1994. Këto masa mbrojtëse u vendosën pasi studimet treguan se popullsia e peshkaqenëve u zvogëlua me gati 80% për shkak të rritjes së aktivitetit të peshkimit gjatë viteve 1970 dhe 1980. Vitet e fundit, në Nova Scotia janë raportuar gjithnjë e më shumë prezenca peshkaqenësh. Një notar u plagos gjithashtu nga në një sulm peshkaqeni në vitin 2021, ndërsa një qen u asgjësuq nga peshkaqeni në tetor 2023. Në Shtetet e Bashkuara, tabela paralajmëruese u vendosën në Massachusetts dhe Maine pas dy sulmeve fatale që ndodhën në 2018 dhe 2020. Sipas statistikave, çdo vit, rreth 500,000 vetë vizitojnë plazhet e Nova Scotia.
Ontario - Tre vjet më parë, Wolf Ruck vendosi të mos e kosisë barin rreth shtepisë së tij me argumentin se ky vendim i shërben më mire mjedisit, por Bashkia Mississauga, ku ai jeton, mendon ndryshe. Pas disa ankesave nga fqinjët dhe dy ndërhyrjeve të detyruara prej saj për kositjen e barit, Rock vendosi ta çojë çështjen në gjykatë. Shtatëdhjetëvjeçari në pension, ish-atlet olimpik dhe piktor amator, është adhurues i natyrës. Në vitin 2021, ai e ndërpreu kositjen e lëndinës në pjesën më të madhe të terrenit rreth shtëpisë së tij, me një qasje mjedisore që ndihmon në promovimin e biodiversitetit dhe përmirësimin e polenizimit. “Mënyra tradicionale e mirëmbajtjes së sipërfaqeve me bar është shumë e dëmshme për mjedisin dhe biodiversitetin. Kështu që vendosa të bëj pjesën time dhe t’i bashkohem kësaj lëvizjeje”, ka shpjeguar ai për CBC/Radio-Canada. Ndërkohë, në vitin 2023, Wolf Ruck vendosi të ndërmarrë veprime ligjore, por para një muaji Gjykata e Lartë e Ontarios hodhi poshtë pretendimet e tij se Bashkia Mississauga ka shkelur lirinë e tij të shprehjes duke e detyruar atë të kosiste lëndinën e tij. Në këto kushte ai e ka apeluar vendimin duke e dërguar çështjen në Gjykatën e Apelit të Ontarios. Kostot e tij ligjore dhe administrative tashmë i kalojnë 7,000 dollarë, por ai pohon se është gati të shkojë deri në Gjykatën e Lartë të Kanadasë. “Mënyra e vetme për të arritur qëllimet tuaja është të këmbëngulni”, konkludon Ruck.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada