Trashëgimi

Pusho në amshim Dom Antonio Bellushi, apostull i shqiptarizmës! - Nga Frank Shkreli

Frank Shkreli, ish-drejtor i VOA për Euro-Azinë

“Në ballkonin tim vazhdojnë të valëviten tre flamujt: shqiptar, kosovar dhe ai italian. Ndërsa në bibliotekën time, portretet si ata të Skënderbeut, Aleksandrit, Pirros, Adem Jasharit, për mua janë ndihmë, burim force e sensibilizimi që kjo Arbëri e arbëreshëve të jetë e përjetshme e mos të vdesë kurrë!” -  Antonio Bellushi.

Ndërroi jetë Dom Antonio Bellushi një kolos i shqiptarizmës. Bota Arbëreshe, Shqipëria dhe Kosova mbajnë zi për kalimin në amshim të Dom Antonio Bellushit, arbëreshit nga Kosova, siç e njihte komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë dekadave të fundit, sepse liria dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë ishin bërë pjesë e pandarë e jetës dhe e kryqëzatës së tij në mbrojtje të shqiptarëve kudo, sidomos gjatë viteve të luftës në Kosovë. Ishte një mbrojtës i vendosur i Kosovës gjatë njërës prej krizave më të rënda historike të kombit shqiptar.  Ai merrte pjesë shpesh në shumë takime dhe raste kombëtare të komunitetit shqiptaro-amerikan. Me Dom Antonio Bellushin, ishte gjithmonë kënaqësi të takoheshe. Të ishe në praninë e tij, ishte një përvojë e vërtetë patriotizmi - një rast frymëzimi i vërtetë atdhedashurie. për të gjithë.

Të shpejta qenë reagimet nga mbarë bota shqiptare për lajmin se At Bellushi ndërroi jetë, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 90-vjeçare.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani shprehu ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të Dom Antonio Bellushit me një deklaratë në rrjetët sociale: “Me dhimbje të thellë mora lajmin për kalimin në amshim të At Antonio Belushit, veprimtarit të paepur të çështjes shqiptare, i cili përveçse kultivoi me pasion gjuhën arbëreshe, nga vitet ‘90, bashkë me Presidentin Rugova e veprimtarë të tjerë, e mbrojti të drejtën e shqiptarëve për liri.  Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen e miqtë, Kishën Arbëreshe, institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut. Si Presidente e Kosovës kam pasur nderin ta takoja në bibliotekën e pasur të tij, të cilën e krijoi dhe e mbajti me aq përkushtim deri në vdekje. Kur ia akordova shtetësinë e Kosovës, ishte i stërlumtur, sepse iu plotësua dëshira e tij jetësore. I përhershëm qoftë kujtimi për at Antonio Belushin”, përfundon Presidentja Osmani reagimin e saj në emër të Republikës së Kosovës, me rastin e ndërrimit jetë të Antonio Bellushit, në emër të Kosovës, për të cilën ai punoi e veproi me gjithë shpirt për dekada, sidomos në bashkpunim me komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në një reagim të shpejtë e të shkurtër, me këtë rast, Dom Lush Gjergji i Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë, duke iu drejtuar atij me fjalët “Mik dhe vëlla i dashur Atë Ndue (Antonio)”, shkruan se, jeta e At Antonio Bellushit ishte “Një jetë e gjatë shumë e begatshme, me plot fryte, zell, angazhim, frymëzim, do të them edhe entuziazëm unik në të mirë dhe dobi të popullit tonë ilir, arbëror e sot shqiptar. Ai ka qenë mbi të gjitha prift arbëresh i ritit lindor apo bizantin, gazetar, publicist, etnograf, shkrimtar, udhëpërshkrues, pedagog, bibliotekar, mbi të gjitha i dashuruar në Zotin, Kishën Katolike, në popullin tonë”. Dom Lush Gjergji e ka njohur mirë At Antonio Bellushin, në jetë dhe veprimtaritë e tij, por njihte dhe shpresat e tij për kombin shqiptar, se e ardhmja e këtij kombi të lashtë do të jetë në skenën botërore për të mirën e tij dhe të tjerëve. Porosia e tij ishte e qartë, largpamëse dhe profetike, kujton Dom Lush Gjergji: “Ne mbijetuam për të dëshmuar lashtësinë, historinë, autoktoninë, mbi të gjitha Provaninë e Zotit dhe historinë tonë tejet të lavdishme me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun tonë në krye… Populli ynë tash e tutje do të jetë në skenë për të mirën tonë dhe të tjerëve, të gjithëve…”

E sjellim këtë shënim të shkurtër e modest për të kujtuar dhe nderuar Arbëreshin e Madh Dom Antonio Bellushin në ditën e shkuarjes së tij në amshim. Sepse i kemi shumë borxhe këtij burri të madh, por jo vetëm At Antonio Bellushit, por të gjithë arbëreshëve të Italisë, të cilët brez pas brezi, për më shumë se 500-vjet në dhe të huaj, kanë ruajtur gjuhën shqipe, traditën dhe kulturën kombëtare. Ai do mbahet mend si një përfaqësues i denjë i kulturës arbëreshe perëndimore.  Kujtimi i tij do të vazhdojë të ketë një influencë të thellë në komunitetin shqiptaro-amerikan me të cilin ai e ndiente veten si në shtëpinë e vet, por edhe do të kujtohet përgjithmonë në zhvillimet e ardhshme të letërsisë, gjuhës dhe kulturës arbëreshe.

U nda nga kjo jetë një njeri i shumë vlerave, fetare, kombëtare dhe kulturore të Arbërisë - një arbër me një idealizëm të pashoq - që po lë familjen dhe shumë miq të tij, anë e mbanë botës shqiptare me një ndjenjë humbjeje të thellë dhe të pazëvendsueshme; sidomos në mërgatën shqiptaro-amerikane të cilën e donte fort.

Pushofsh në paqe Dom Antonio (Ndue) Bellushi!

© Frank Shkreli - Telegraf